Medvedev: Pasurim të gjerë nuklear deri në 2011
Rusia ka vendosur të pasurojë në maksimum armatimin e saj deri në vitin 2011, duke nisur si prioritet me forcat nukleare. Presidenti rus, Dimitri Medvedev, në një deklaratë për shtyp ka shpjeguar tre arsyet e marrjes së këtij vendimi. Sipas tij, arsyeja e parë janë kërcënimet e vazhdueshme të terrorizmit ndërkombëtar; e dyta, kriza rajonale dhe e treta, përpjekjet e NATO-s për t’u zgjeruar deri në kufirin e Federatës ruse. “E gjitha kjo kërkon moderimin cilësor të forcave tona të armatosura”, tha Medvedev. Presidenti rus ka treguar detyrat prioritare të shtetit, ndër të parat e të cilave renditeshin rritja cilësore e kapacitetit luftarak të Ushtrisë, fillimisht e Forcave Nukleare Strategjike, që sipas këshillave të tij duhet të zgjidhin të gjitha detyrat dhe detyrimet për të garantuar sigurinë militare të Rusisë. Sipas liderit të Kremlinit, një detyrë tjetër parësore është ajo e “ofrimit forcave të armatosura armatimet më moderne e më të sofistikuara”. Medvedev ka biseduar mbi këto vendime me këshilltarët ushtarakë për të ardhmen e forcave të armatosura. Medvedev më pas ka kritikuar zgjerimin e NATO-s deri në kufijtë e federatës ruse, duke kujtuar se në shumë vende të botës mbetet një situatë me konflikte potenciale. “Analiza e situatave politike ushtarake në botë tregon se në një sërë rajonesh ka ende një rrezik potencial konfliktesh, që mbeten kërcënime të lidhura edhe me krizën lokale, ekziston edhe terrorizmi ndërkombëtar dhe mosndërprerja e përpjekjeve të NATO-s për të mbërritur deri në kufi me Rusinë”, tha Medvedev.