E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha con në Krujë ish-kryeministrin Malajzian, Mohamed

TIRANE- Kryeministri Berisha ishte sot në një vizitë në qytetin e Krujës, së bashku me ish- Kryeministrin e Malajzisë, Dr.Mahathir Mohamad dhe bashkëshortet e tyre, për të kaluar këtë të dielë së bashku me to në qytetin historik të Krujës dhe për të parë disa nga vendet turistike më të bukura të këtij qyteti.
Zyra e shtypit e Kryeministrit bëri të ditur se Kryeministri Berisha dhe Dr. Mohamad vizituan në fillim Muzeun Historik të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe më pas Muzeun Kombëtar Etnografik, i cili ndodhet në këtë qytet.
Gjatë kësaj vizite Kryeministri Berisha zhvilloi dhe një shëtitje në Pazarin e Vjetër të qytetit të Krujës dhe në dyqanet karakteristike të këtij pazari, ku u takua me shumë tregtarë të prodhimeve artizanale të mjeshtrave krutanë.
Kryeministri Berisha u interesua nga afër për punën dhe për nevojat e tyre në drejtim të përmirësimit të aktivitetit të tyre, si dhe për ndihmën që mund të jepte qeveria dhe pushteti vendor i qytetit, si në lidhje me infrastrukturën e zonës së vjetër, të ndriçimit të zonës së pazarit, etj.
Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha kërkoi nga përfaqësuesit e pushtetit vendor që t’i përgjigjeshin kërkesave të qytetarëve krutanë me sa më efikasitet dhe shpejtësi, në mënyrë që vera që po vjen të shënojë një numër edhe më të madh me turistë, krahasuar me verën e shkuar.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›