E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irani ankohet në OKB

Irani do të paraqet një ankesë në OKB, për atë që e sheh si kërcënim të presidentit amerikan, Barack Obama, për të sulmuar Iranin me armë bërthamore, ka theksuar sot Ministria e Jashtme në Teheran.

Obama javën e kaluar e bëri të qartë se Irani dhe Koreja e Veriut nuk janë të përfshira në kufizimet e reja për shfrytëzimin e arsenalit bërthamor nga ana e SHBA-së-një qëndrim ky i cili nga Teherani u interpretua si kërcënim nga ana e Washingtonit për të sulmuar Iranin me armë bërthamore.

“Deklaratat e këtilla dëshmojnë se shtetet, të cilat posedojnë armë bërthamore, janë kërcënimi më i madh për sigurinë botërore”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit Ramin Mehmanparast.

“Ne do të paraqesim zyrtarisht ankesën tonë në OKB në lidhje me këto kërcënime”, shtoi ai.

Ankesa u mbështetet nga letra, e nënshkruar nga 255 prej 290 anëtarëve të parlamentit të Iranit, njoftoi agjencia e lajmeve, FARS.

Obama po tenton të bindë fuqitë tjera globale që të japin pëlqimin e tyre për rrethin e katër të sanksioneve të OKB-së kundër Iranit, për shkak të refuzimit të Teheranit që të ndalë punën e vet bërthamore, për të cilën perëndimi dyshon se ka për synim prodhimin e armëve bërthamore, gjë që mohohet nga Teherani zyrtar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›