E Shtunë, 31 Tetor 2026

Polonia në Zi

Trupi i presidentit polak, Lech Kaczynski dhe 96 personave të tjerë që humbën jetën në aksidentin ajror në Rusi, janë dërguar në Moskë me dy helikopterë të mëdhenj.

Vëllai binjak i presidentit, ish-kryeministri Jaroslav Kaczynski vizitoi vendin ku u rrëzua aeroplani, së bashku me kryeministrin e Rusisë, Vladimir Putin dhe identifikoi trupin e presidentit dhe bashkëshortes së tij.

Kryeministri Putin po i kryeson vetë hetimet për këtë tragjedi, ku humbën jetën dhjetëra oficerë të lartë dhe politikanë polakë.

Dhoma ruse e kontrollit tha se piloti kishte tentuar ta ulte aeroplanin në aeroportin e qytetit Smolensk në kushtet e mjegullës së dendur, megjithëse ishte udhëzuar të mos e bënte këtë.

Aeroplani po udhëtonte prej Varshavës dhe Kaczynski ishte paraparë që të merrte pjesë në 70 vjetorin e masakrës së Katinit, ku mijëra polakë u vranë nga forcat sovjetike.

Aeroplani i tipit Tupolev i presidentit ishte prodhim i vitit 1960 dhe disa zyrtarë në të kaluarën kishin kërkuar që të zëvendësohej me një aeroplan tjetër modern.

Sot në gjithë Poloninë u mbajtën dy minuta heshtje për të nderuar viktimat e katastrofës. Kjo shënoi edhe fillimin e shtatë ditëve të zisë për viktimat e tragjedisë ajrore.

Trupat e pajetë të Kaczynskit dhe të bashkëshortes së tij ishte paraparë të ktheheshin sot në ora 14:00 në Varshavë, njoftoi radioja publike polake, Trojka.

"Ceremonia ushtarake e varrimit të presidentit dhe bashkëshortes do të bëhet në Smolensk.Trupat e tyre do të transportohen me një avion ushtarak Casa", deklaroi një korrespondent i radios në Rusi.

Dhjetëra mijëra persona ishin mbledhur mbrëmë para pallatit presidencial në Varshavë, në shenjë homazhi për viktimat e aksidentit ajror në të cilën humbi jetën presidenti dhe delegacionit që e shoqëronte për të marrë pjesë në ceremonitë përkujtimore me rastin e 70-vjetorit të Masakrës së Katinit.

Lista e viktimave e publikuar në faqen e internetit të Ministrisë ruse të Situatës së Emergjencave përmbante emrat e 96 personave, ndër të cilët 88 ishin udhëtarë dhe tetë anëtarë të ekuipazhit.

Në ndërkohë, kryetarët e shteteve më të mëdha të botës kanë dërguar telegrame ngushëllimi, pas vdekjes tragjike të Kaczynskit.

Presidenti amerikan Barack Obama theksoi se vdekja e presidentit polak Lech Kaczynski në një aksident ajror është "e tmerrshme" për Poloninë, Shtetet e Bashkuara dhe botën", duke u shprehur "ngushëllimet më të sinqerta autoriteteve polake".

"I telefonova sot kryeministrit Donald Tusk për të shprehur ngushëllimet e sinqerta të Mishelës dhe të miat për popullin polak", deklaroi presidenti në një komunikatë.

Kryeministri britanik, Gordon Brown u shpreh i tronditur nga vdekja e presidentit polak.

"Jam i tronditur dhe i pikëlluar nga vdekja e presidentit polak, Lech Kaczynski dhe bashkëshortes së tij Maria. Presidenti Kaczynski ishte një nga aktorët më të rëndësishëm të historisë politike moderne të Polonisë'', theksoi në një komunikatë Brown.

Edhe presidenti rus Dmitri Medvedev shprehu në emër të popullit rus "ngushëllimet më të thella dhe më të sinqerta" për vdekjen e homologut polak Lech Kaczynski.

Ngushëllime ka shprehur edhe Papa Benedikti XVI, i cili u shpreh se ka mësuar me dhimbje të thellë vdekjen tragjike të presidentit polak Lech Kaczynski.

"Mësova me dhimbje të thellë vdekjen tragjike të presidentit Lech Kaczynski", deklaroi papa Benedikti XVI në një telegram drejtuar kryetarit të parlamentit polak Bronislaw Komorowski, përmbajtja e të cilit u bë publike nga salla e shtypit të Vatikanit.

Ministri i Jashtëm i Spanjës, në emër të Bashkimit Evropian, tha se BE-ja i ofron mbështetje Polonisë që “po përballet me një tragjedi të këtij lloji”.

Ngushëllime ka shprehur edhe kancelaria gjermane, Angela Merkel, e cila vdekjen e Kaczynskit e cilësoi si një shok të vërtetë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›