E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trupi i presidentit Kaczynski në Varshavë

Trupi i presidentit polak, Lech Kaczynski dhe 96 personave të tjerë që humbën jetën në aksidentin ajror në Rusi, kanë mbërritur në Varshavë.

Për të pritur arkivolin me trupin e presidentit në aeroportin ushtarak kishin dalë vëllai binjak i tij, ish-kryeministri Jaroslav Kaczynski, kryeministri aktual, Donald Tusk, dhe presidenti në detyrë Bronislaw Komorovski.

Trupi i presidentit Kaczynski është vendosur në pallatin presidencial ku do të bëhen homazhe.

Të dielën u mbajtën dy minuta heshtje në të gjithë Poloninë, duke shënuar fillimin e zisë kombëtare për shtatë ditë.

Vëllai binjak i presidentit, ish-kryeministri Jaroslav Kaczynski vizitoi vendin ku u rrëzua avioni bashkë me kryeministrin rus, Vladimir Putin.

Kryeministri Putin po i kryeson vetë hetimet për këtë tragjedi, ku humbën jetën edhe dhjetëra oficerë të lartë dhe politikanë polakë.

Korrespondenti i BBC-së thotë se tashmë dihet se avioni po fluturonte shumë ulët dhe preku disa pemë teksa po ulej në pistë në kushtet e një mjegulle të dendur.

Kontrollorët e trafikut ajror thanë se e kishin udhëzuar disa herë pilotin që të mos e ulte avionin në aeroportin e qytetit Smolensk në kushtet e mjegullës së dendur.

Avioni Tupolev i presidentit polak ishte prodhim i vitit 1960 dhe disa zyrtarë në të kaluarën kishin kërkuar që të zëvendësohej me një avion modern. /bbc/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›