E Shtunë, 31 Tetor 2026

Istog, përfundon votimi, pjesëmarrja 38.20 për qind

ISTOG-

Istog, përfundon votimi, pjesëmarrja 38.20 për qind

Ora 20:00- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë njoftoi se nga gjithsej 39 mijë e 307 votuesit potencialë të Istogut, deri në orën 19:00, kur edhe janë mbyllur kutitë e votimit, të drejtën për të votuar e kanë shfrytëzuar 15 mijë e 14 votues, apo 38.20 për qind e votuesve.

Florian Dushi, kryesues i përkohshëm i KQZ-së, e vlerësoi pozitiv procesin zgjedhor në komunën e Istogut.

“Procesi përgjithësisht nga KQZ-ja është vlerësuar si proces i rregullt. Ka pasur disa incidente që i ka raportuar edhe Policia e Kosovës, që, për fat, kanë qenë jashtë qendrave të votimit dhe për të cilat ne konsiderojmë se nuk kanë pasur ndonjë ndikim në mbarëvajtjen e zgjedhjeve”, tha Dushi.

Nga 15 qendra të votimit me 55 vendvotime, vetëm një nuk është hapur në fshatin Osojan, bënë të ditur zyrtarë të KQZ-së.

Kryesuesi i KQZ-së, Dushi, ka shpjeguar se gjatë ditës kishin dërguar një ekip mobil për qytetarët serbë për të votuar, por, siç ka thënë ai, asnjë nga qytetarët nuk ka votuar.

Ndërkohë, në intervalin kohor prej orës 23:00 e deri rreth orës 24, KQZ-ja pritet të japë rezultatet preliminare për zgjedhjet në Istog.

Zgjedhjet në Istog, arrestime në Banjë, KQZ: Procesi i rregullt

Ora 16:00-Komisioni Qendrore Zgjedhor ka bërë të ditur se dalja e qytetarëve të Istogut në vendvotime deri në orën 15:30 ka qenë 27.63 për qind.
“Procesi zgjedhor në komunën e Istogut përgjithësisht po shkon në rregull, ka pasur vetëm një incident që nuk ka ndikuar në procesin zgjedhor”, ka deklaruar Florian Dushi, kryesues i përkohshëm i KQZ-së.
Gjatë paradites u njoftua se në Banjë të Istogut kishte ndodhur një incident dhe se për këtë arsye policia kishte arrestuar 8 veta.

Policia e Kosovës ka arrestuar së paku tetë persona në qendrën e votimit në fshatin Banjë të Istogut. Dëshmitarët thanë për Kosovapress se arrestimet janë kryer pasi shumë persona kanë ardhur nga komunat tjera dhe kanë tentuar të hyjnë në vendvotime dhe kanë shkaktuar telashe në procesin zgjedhor.

Zgjedhjet në Istog kishin si qëllim zgjedhjen e kryetarit të komunës së Istogut.
Zgjedhjet në komunën e Istogut mbahen pas vdekjes së kryetarit Fadil Ferati. Të drejtë vote patën 39. 307 qytetarë. Procesi i votimit u përcoll nga 589 vëzhgues.
Kandidatët që garojnë për të parin e komunës së Istogut ishin Shasivar Haxhijaj (PDK), Haki Rugova (LDK), Muhamet Shatri (AAK), Ismet Mulaj (AKR) dhe Rifat Osmani (LDD).

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›