E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha debat për shifrat e jetimëve

"Një fëmijë i mbrojtur, një buzëqeshje më shumë". Ky ishte slogani i konferencës kombëtare për fëmijët e cila mblodhi dje jo vetëm drejtuesit e ministrive të linjës, organizatat joqeveritare por edhe kryeministrin Berisha, në një tryezë të përbashkët. 

zirina llambro

Nuk munguan kritikat për ministrat Pollo e Barka nga kreu i qeverisë. Ai i kërkoi ministrit të Punës të marrë masa për largimin e fëmijëve që lypin në rrugë. Ndërsa ministrit të Arsimit të zhdukë analfabetizmin. "Tolerancë zero ndaj analfabetizmit, nuk duhet të kemi asnjë fëmijë të tillë në vendin tonë, ju zoti ministër duhet të merrni masa për këtë", tha Berisha. Por si rrallë herë në kësi aktivitetesh, ku të gjithë dëgjojnë vetëm të ftuarit në panel që flasin, s'munguan as polemikat. Përfaqësues të shoqatave të fëmijëve akuzuan kryeministrin se po bën shoun e radhës, ndërsa fëmijët sot përballen me një realitet të mjerueshëm. Madje, kryetari i Shoqatës së Jetimeve, Kadri Aliaj, bëri me dije kryeministrin për mënyrën si trajtohen fëmijët jetimë sot. "Zoti kryeministër më lejoni të përdor atë shprehjen, nga lart uji i burimit rrjedh i pastër, e turbullohet rrugës. Pra, ajo çka ju thoni nuk vihet aspak në zbatim. Unë po ju them se në vend janë rreth 70 mijë fëmijë jetimë, 4500 prej të cilëve nuk kanë bukë të hanë. Ka nëna që rrisin të vetme fëmijët dhe marrin një ndihmë eko-nomike qesharake prej 20 mijë lekësh të vjetra në muaj", u shpreh kryetari i Shoqatës së Jetimëve, Kadri Aliaj. Ai shtoi se, Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Ndoka s'ka ilaçe për t'ua siguruar fëmijëve. "Nuk ka bërë një qendër shëndetësore për t'u ardhur atyre në ndihmë", u shpreh Aliaj. I menjëhershëm ishte reagimi i kryeministrit Berisha. "Kadri, e ekzagjerove pak me shifrat. Po thua se janë 70 mijë fëmijë jetimë. Nuk mund të jenë asnjëherë kaq se i bie që 30 % e fëmijëve të jenë jetimë në Shqipëri. Do të thosha edhe një gjë tjetër. Nuk mund të ketë trajtim të barabartë për të gjithë. Sepse ka fëmijë jetimë që e kanë njërin prind biznesmen, ka nga ata pastaj që nuk kanë bukë të hanë. Prandaj besoj se jemi dakord në këtë pikë", vijoi Berisha. Ai shtoi se, ka ligje të përcaktuara që duhet të zbatohen sa i përket stafit.
Raporti
Përtej debateve, një raport i hollësishëm  i "Unicef" paraqiti të dhënat alarmante për gjendjen në të cilën jetojnë fëmijët sot në vendin tonë. Nga të dhënat rezulton se, 6.6% e fëmijëve nën 5 vjeç janë mesatarisht të kequshqyer dhe 1.7% janë të kequshqyer në mënyrë të theksuar. "Një në 5 fëmijë ose 22% e fëmijëve, janë shumë të shkurtër për moshën", cilëson raporti. Shqetësuese mbetet dhuna që ushtrohet në familje dhe shkolla. Rreth 49% e të gjithë fëmijëve të moshave 2-14 vjeç dhe 59% e fëmijëve që jetojnë në familjet më të varfra, kanë përjetuar forma të ndryshme të dhunës psikologjike dhe fizike në familje", Veç kësaj, 26% e të gjithë fëmijëve përjetojnë dhunë fizike kur janë në shkollë, kjo qoftë nga mësuesit, qoftë nxënësit e tjerë. Për të ndryshuar disi këtë situatë, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, nisur nga përvoja, arritjet dhe problemet e derisotme në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri, ka ndërmarrë iniciativën ligjore për hartimin e një ligji për zhvillimin e të drejtave të fëmijëve.

Debati për jetimët

Kryetari i Shoqatës së Jetimëve:
"Zoti kryeministër më lejoni të përdor atë shprehjen, nga lart uji i burimit rrjedh i pastër, e turbullohet rrugës. Pra, ajo ç'ka ju thoni nuk vihet aspak në zbatim. Unë po ju them se në vend  janë rreth 70 mijë fëmijë jetimë, 4500 prej të cilëve nuk kanë bukë të hanë. Ka nëna që rrisin të vetme fëmijët dhe marrin një ndihmë ekonomike qesharake prej 20 mijë lekësh të vjetra në muaj", u shpreh kryetari i Shoqatës së Jetimëve.

Berisha
"Kadri e ekzagjerove pak me shifrat. Po thua se janë 70 mijë fëmijë jetimë. Nuk mund të jenë asnjëherë kaq na nxore që 30 % e fëmijëve të jenë jetimë në Shqipëri. Do të thosha edhe një gjë tjetër. Nuk mund të ketë trajtim të barabartë për të gjithë. Sepse ka fëmijë jetimë që e kanë njërin prind biznesmen, ka nga ata pastaj që nuk kanë bukë të hanë".

statistikat

    6.6% e fëmijëve nën 5 vjeç janë kequshqyer     1.7% të kequshqyer në mënyrë të theksuar     22% e fëmijëve janë shumë të shkurtër për moshën     49% e fëmijëve të moshave 2-14 vjeç kanë përjetuar dhunë     26% e të gjithë fëmijëve përjetojnë dhunë fizike në shkollë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›