E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS në ethe për zgjedhjet, ndan sot detyrat



Kryesia e Partisë Socialiste pritet të zyrtarizojë sot në mbrëmje planin për fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009.

Më në fund, pas dy javësh, anëtarët e kryesisë do të marrin në shqyrtim propozimet e shtabit elektoral që drejtohet nga Gramoz Ruçi për organizimin e fushatës elektorale nga qendra deri në bazë. Prej më se dy javësh, në PS është përfolur për këtë mbledhje të kryesisë, për të cilën nuk është gjendur koha e duhur edhe për shkak të vizitave të kryetarit jashtë shtetit apo mungesës së anëtarëve të kryesisë. Por edhe pse kjo do të jetë kryesia e parë që do të marrë vendime për fushatën, pritet të anashkalohet çështja e listës së kandidatëve, për të cilën ka shumë debate dhe ankth në radhët e socialistëve.

Plani

Shtabi i përgjithshëm elektoral do të drejtohet nga Gramoz Ruçi, Fatmir Xhafa, Kastriot Islami, Etleva Bisha etj., të cilët kanë për detyrë koordinimin me kujdestarët e qarqeve, në 12 qarqet e vendit. Këta të fundit kanë për detyrë që të raportojnë direkt të kryetari i PS-së, Rama. Në nivelin e dytë, pas drejtuesve të shtabit qendror, vijnë pikërisht kujdestarët e qarqeve. Kryesisht anëtarët e kryesisë së PS-së janë shpërndarë në këto 12 qarqe dhe secili prej tyre ka në varësi një qark, i konsideruar ndryshe si një njësi zgjedhore. Deputetët socialistë të këtyre zonave janë në varësi të kujdestarëve të qarqeve dhe kanë për detyrë koordinimin e veprimeve me kryetarët e degëve, strukturat e tjera të këtyre degëve si anëtarët e asambleve, krerët e organizatave socialiste etj. Të gjithë së bashku kanë një synim, atë të rekrutimit të sa më shumë njerëzve në radhët e partisë që përkthehet sipas tyre në votë. Një tjetër detyrë është ajo e bërjes së një testi për njerëzit që janë të lëkundur dhe për të vërtetuar se sa të qëndrueshëm janë për votën që do japin.

Të gjitha këto, në lidhje me organizimin, pasi fushata përfshin edhe detaje të tjera të rëndësishme siç është ajo e imazhit që duhet të japë. Partia Socialiste gjatë fushatës. Këtu përfshihen spotet televizive, slogani i përgjithshëm i fushatës, komunikimi me mediat etj. Ndërsa PS-ja është duke u përgatitur për fushatën, çështje tjetër shqetësuese, të paktën për ata që kanë ambicie që të kandidojnë më tej, është ajo e listës së kandidatëve. Për momentin, Rama i ka shpërndarë të gjithë në bazë, pa u dhënë asnjë garanci nëse do të konfigurohen. Pak kohë më parë, Rama deklaroi se të gjithë duhet të vazhdonin të punonin shumë dhe konfigurimi i tyre në listën e kandidatëve për deputetë varej edhe nga performanca parlamentare dhe ajo e bazës. Tanimë deputetët janë të detyruar që të kenë një marrëdhënie të mirë me kujdestarët e tyre, të cilët do raportojnë për punën me bazën në selinë e partisë. Të gjitha strukturat që përbëjnë shtabin qendror, pritet të miratohen sot, duke i dhënë kështu edhe legjitimitet fushatës elektorale të PS-së.

Malaj: Program elektoral dhe program qeverisës

Ndërsa plani për fushatën elektorale pritet të zyrtarizohet sot, PS-ja është në fazën përmbyllëse të programit elektoral dhe atij qeverisës. Anëtari i kryesisë së PS-së, Arben Malaj, deklaroi dje se bëhet fjalë për një model të ri politik dhe qeverisës, i cili ka asistencën e një ish-kryeministri francez si dhe dy ish-kryeministrave italianë, D’alema dhe Amato. PS-ja synon që programi të jetë gati për zbatim sapo ajo të vijë në pushtet. Për hartimin e këtij programi, Malaj vëren si të rëndësishme dy elemente, atë të rezultateve të turit “Dialog me Shqipërinë” si dhe mospërsëritjen e gabimeve që ka bërë PD-ja kur erdhi në pushtet. “Kjo është imponuar nga sfidat që ka vendi e para dhe e dyta nga modeli negativ që u krijua nga ardhja në pushtet e Partisë Demokratike, e cila për shkak të mosnjohjes nga afër të problemeve dhe për shkak të fokusimit në një program elektoral, i krijoi vendit vonesa të menjëhershme në ekonominë shqiptare”, - tha Malaj. Kryesisht, programi qeverisës i PS-së fokusohet të zgjidhja e problemeve sociale dhe atyre ekonomike. Njëkohësisht, Malaj thekson se e rëndësishme është kontakti i PS-së me institucione të rëndësishme të BE-së, duke i shprehur vizionin e saj dhe duke kërkuar edhe bashkëpunim. “Unë besoj se për shkak se ka një model të ri të hartimit të programit politik dhe qeverisës, për shkak se është krijuar një rreth gjithnjë e më i madh njerëzish që kanë akses për të bërë vërejtjet, sugjerimet dhe për të sjellë kontribute pozitive, të dyja këto së bashku janë një bazë e mirë për të qenë optimistë se do të jetë një dokument serioz dhe i implementueshëm. Idetë janë në fazën e përpunimit dhe ato do të jenë prezente për publikun”, - tha Malaj. Ndërkohë që ai bëri të ditur se për hartimin e programit po punon një grup i specializuar nën ndihmën e ndërkombëtarëve, por edhe të politikanëve të njohur, si ish-kryeministri francez, si dhe dy ish-kryeministra italianë, D’alema dhe Amato.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›