E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD miraton hapjen e dytë, afrimi i njerëzve nga administrata

Në prag të zgjedhjeve të reja, PD-ja kërkon të angazhojë në radhët e saj specialistë që janë provuar profesionalisht në administratën shtetërore. Përmes hapjes së re të partisë, demokratët këmbëngulin për prurje të reja, të ngjashme me ato të KOP-it, por tashmë duke zgjedhur vetëm më të mirët. Njëherësh me këtë proces, PD-ja ndryshon dhe mënyrën e organizimit, duke mënjanuar disa nga strukturat e partisë, të kushtëzuara nga sistemi i ri elektoral. Po dje u miratuan dhe kriteret për kandidatët që do garojnë për strukturat e reja të PD-së. Kandidati duhet të jetë anëtar partie, të ketë kontribut në këtë parti, i angazhuar në zgjedhje të ndryshme lokale dhe qendrore si dhe domosdoshmërisht duhet të ketë arsimin e lartë. Kryeministri Sali Berisha mblodhi pasditen e djeshme kryesinë e PD-së e cila mori në shqyrtim formulën e re të organizimit të partisë, gjithnjë në funksion të një mandati të dytë qeverisës. Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode, shpërndau për anëtarët e kryesisë një udhëzues të posaçëm për zgjedhjet e brendshme. Sipas këtij udhëzimi, shkrihen 100 nëndegët e partisë në të gjithë vendin dhe funksionet e tyre do t’i marrin grup-seksionet përmes zgjedhjeve të reja, të cilat do të përfshijnë 38 degët dhe 12 qarqet në të gjithë territorin. Burime brenda mbledhjes thanë se në funksion të kësaj lideri Berisha është shprehur pro ndarjes së pushteteve në degët lokale të PD-së, ku një drejtues lokal të mos jetë i zgjedhur dy herë në strukturat partiake. Nga burimet mësohet se z. Berisha është shprehur për thithjen e kontigjenteve të reja në radhët e PD-së përmes ristrukturimit që nga bazë deri në qendër. Berisha ka vënë theksin mbi atë kategori njerëzish që janë provuar në administratën e lartë shtetërore, çka paralajmëron një KOP të dytë në partinë në pushtet, por tashmë duke bërë kujdes me aftësitë e atyre që do hyjnë rishtas në këtë parti. Por vëmendja e kryesisë dje u përqendrua kryesisht tek përshtatja e organizimit të partisë me sistemin e ri zgjedhor. Kjo çështje është lënë e hapur për një mbledhje tjetër të kryesisë së PD-së. Anëtarët e kryesisë, Beja, Spaho, Bano etj. kërkuan sqarime rreth udhëzuesit të ri, ndërkohë që së shpejti do lajmërohet dhe një tjetër mbledhje për ndryshime të tjera në mënyrën e funksionimit të saj. Grupet e punës do të zbresin në bazë për vënien në zbatim të draftit më të ri të demokratëve.

Bode: Ja formula e zgjedhjeve në PD

Pas mbledhjes, sekretari i përgjithshëm demokrat, Ridvan Bode, konfirmoi se mbledhja e kryesisë kishte për objekt miratimin e një udhëzimi, për marrjen e një vendimi përkatës për fillimin e procedurave të zgjedhjeve të reja në strukturat e PD-së. Sipas tij, ndryshimi i këtij udhëzuesi dhe marrja e këtij vendimi detyrohet dhe nga fakti që tashmë është miratuar në Parlament ndryshimi i sistemit zgjedhor për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “I gjithë organizimi i PD-së duhet të përputhet me organizimin elektoral të vendit, çka e bën të domosdoshme mënjanimin e strukturave organizative të partisë ku kanë qenë në përputhje me zona elektorale, e cila ka qenë nëndegë sipas kompetencave që i jep statuti. Kryesia e PD-së miratoi mënyrën e re të organizimit të gjithë strukturave të saj dhe fillimin e procesit zgjedhor brenda strukturave të partisë”, - tha z. Bode. Zyrtari demokrat bëri të ditur se do të jenë anëtarët e kryesisë dhe funksionarët e tjerë politikë të angazhuar në këtë proces i cili duhet të jetë i shpejtë dhe një proces reflektues. Bode pohoi se njësia më e spikatur në PD ka qenë nëndega që kishte një përputhje me zonat elektorale, tani zonat elektorale nuk funksionojnë më. Bode shpjegoi se tani në çdo qendër votimi, që është njësia bazë, do të jetë një seksion i PD-së. Kjo, sipas tij, do të jetë njësia që lidh anëtarët e PD-së me strukturat e saj. Bode vijoi duke thënë se niveli i dytë do të përputhet me njësinë administrative më të vogël, atë lokale, çka do të thotë që çdo komunë do të ketë një grup seksionesh dhe çdo bashki do të ketë një grup seksionesh. Në këtë mënyrë, bashkitë do të kenë të tjera grupe sesionesh, të cilat do të kenë grupe të tjera ndarjesh organizative. Niveli i tretë do të jetë dega, që përputhet më nënprefekturën ose rrethin me konceptin e vjetër, dhe që është njësia më e organizuar dhe njësia drejtuese më kryesore territoriale e PD-së. Kurse niveli i katërt do të jetë qarku, i cili përputhet me zonën elektorale, të sotmen, e cila do të drejtohet nga një grup individësh dhe me një koordinator që zgjidhet nga strukturat e PD-së. “Zgjedhjet në degët e Tiranës do të kalojnë në disa seksione, ku do të zgjidhen kryetarët e seksioneve dhe më pas, gradualisht, në të gjithë degën”, - deklaroi z. Bode.

Komiteti Ndërministror bën bilancin e zbatimit të MSA-së

Komiteti Ndërministror për Integrimin shqyrton nismat më të rëndësishme ligjore që janë ndërmarrë nga qeveria shqiptare në përputhje me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Kryeministri Berisha në mbledhjen e djeshme të këtij komiteti veçoi disa nga ligjet dhe vendimet më të rëndësishme që ka miratuar qeveria shqiptare, ndërkohë që shprehu domosdoshmërinë që të plotësohet sa më shpejt i gjithë kuadri i nevojshëm ligjor në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian. Kreu i qeverisë vuri në dukje disa nga ligjet të cilat pritet të miratohen nga Parlamenti, ku veçoi ligjin "Për administratën gjyqësore" dhe ndryshimet e Kodit Penal lidhur me dënimet alternative, ndërkohë që sipas tij, është në proces ligji për funksionimin e prokurorisë. "Është miratuar strategjia kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit, është realizuar vënia në funksion të plotë e disa burgjeve në të cilat po investohet si ai i Korçës, është miratuar Kodi Ajror dhe përmbarimi gjyqësor privat", - tha Kryeministri. Por sipas kreut të qeverisë, ende mungon ligji "Për shërbimet postare", dhe pritet të paraqitet për miratim ligji "Për mbrojtjen e bashkëpunëtorëve të drejtësisë", i cili sipas tij është "një ligj i rëndësishëm që vendos standarde ndërkombëtare". Kryeministri theksoi se Këshilli i Ministrave do të zhvillojë ditën e premte një mbledhje jashtë radhe për të miratuar disa nga këto ligje kaq të rëndësishme. Duke u ndalur te ligji për urbanistikën, Kryeministri theksoi se "ky është një ligj i rëndësishëm që kërkon një lloj diskutimi, ndaj duhet të bëhet një konsultë me qeverinë vendore, në mënyrë që ligji të miratohet në muajin tetor".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›