E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kancelarët dhe gjyqtarët përplasen në Kuvend

Projektligji për “Administratën gjyqësore” ka qenë në qendër të debatit politik ditët e fundit, ku “molla e sherrit” kanë qenë kompetencat e kancelarëve të gjykatave. Ndërsa opozita dhe Shoqata e Gjyqtarëve nuk kanë pranuar që kancelarët të kenë liri veprimi, siç parashikon projektligji, vetë kancelarët mendojnë të kundërtën. Komisioni i Ligjeve ka dëgjuar dje grupet e interesit për të dhënë mendime për projektligjin, ku përfaqësuesja e kancelarëve ka dalë kundër eprorëve, gjyqtarëve. Kancelarët mbështetën projektin e qeverisë, pasi sipas tyre, ky projekt i motivon ata për punë. “Duke sjellë këtu edhe frymën e punonjësve të administratës të gjykatave së shkallës së parë ku punojmë, ne themi që ky projektligj më së miri mbron interesat, i motivon ata në punën e tyre dhe është shumë më e lehtë për t’i kërkuar llogari, është shumë më e lehtë për t’i vënë njerëzit në punë, sepse ku ka motivim më të madh që është paga”, - tha në Komisionin e Ligjeve, Ardena Veli, kancelare e gjykatës së rrethit gjyqësor Durrës. Por eprorët e kancelarëve, gjykatësit, nuk janë dakord me projektligjin e qeverisë. Sipas tyre, kancelari duhet të jetë nën varësinë e kreut të gjykatës përkatëse. Përveç kundërshtive të shumta, kryetarja e Shoqatës së Gjyqtarëve, Manjola Bejleri, tha se asetin financiar të gjykatës do ta mbajë kancelari, çka nënkupton ndërhyrje në sistem. “Kalimi në administrim të kancelarit të pasurive të luajtshme e të paluajtshme të gjykatës është një parashikim që cenon në mënyrë të hapur pushtetin gjyqësor dhe pikërisht pavarësinë financiare të tij. Pavarësia e një pushteti nuk mund të kuptohet pa pavarësinë e vet financiare. Kjo pavarësi nënkupton ekskluzivitetin e çdo pushteti në administrimin e aseteve të tij që janë të luajtshme e të paluajtshme”, - tha Bejleri. Gjithsesi, kancelarët e gjykatave nuk janë të këtij mendimi. Ardena Veli shtoi më tej projektligji parashikon një lidhje ndryshe me punën të administratës së gjykatave, si dhe do të jetë më i mirëpaguar. “Ky projektligj nuk e përjashton fare punën e gjyqtarit nga administrata. Ai krijon një lidhje të madhe, sepse sekretari do të jetë më i përgjegjshëm dhe më i motivuar për të punuar në këtë detyrë dhe kancelari do të jetë dyfish më shumë i përgjegjshëm. Më parë ka pasur një përgjegjësi dyfishe të kryetarit të gjykatës dhe kancelarit, kurse ky projektligj ndan dhe cilëson përgjegjësinë e kryetarit të gjykatës nga ato të kancelarit”, - shtoi Veli. Pavarësisht se përfaqësuesit e kancelarëve që preken drejtpërdrejt nga projektligji, ishin dakord me projektin e qeverisë, Shoqata e Gjyqtarëve i kërkoi Komisionit të Ligjeve pezullimin e diskutimit të këtij projektligji. Sipas gjyqtares Bejleri, kjo shoqatë i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese që të pezullojë këtë projektligj, pasi sipas saj, bie ndesh me Kushtetutën. “Ne i kërkojmë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë që të pezullojë procedurën e shqyrtimit të projektligjit “Për administratën gjyqësore” deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës së Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve nga Gjykata Kushtetuese”, - tha Bejleri. Kërkesa e Bejlerit u rrëzua menjëherë nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, i cili tha se “kjo kërkesë nuk është pjesë e axhendës së punës së Komisionit të Ligjeve”.

Debati mes kancelarëve dhe gjyqtarëve në Komisionin e Ligjeve

Manjola Bergeri, gjyqtare

Të pretendosh se kjo gjë bëhet në të mirë të punës në gjyqësor, është fyerje jo vetëm për inteligjencën e gjyqtarëve, por edhe të kujtdo tjetër që aspiron për një shtet të së drejtës. Ekzekutivi, legjislativi dhe gjyqësori, si tre pushtete të pavarura nga njëri-tjetri duhet ta përzgjedhin dhe drejtojnë vetë administratën që punon për ta. Është pikërisht kjo varësi hierarkike që rrit eficensën në punë të çdo pushteti.

Ardena Veli, kancelare

Duke sjellë këtu edhe frymën e punonjësve të administratës të gjykatave së shkallës së parë ku punojmë, ne themi që ky projektligj më së miri mbron interesat, i motivon ata në punën e tyre dhe është shumë më e lehtë për t’i kërkuar llogari, është shumë më e lehtë për t’i vënë njerëzit në punë, sepse ku ka motivim më të madhe që është paga.

Manjola Bergeri, gjyqtare

Kalimi në administrim të kancelarit të pasurive të luajtshme e të paluajtshme të gjykatës është një parashikim që cenon në mënyrë të hapur pushtetin gjyqësor dhe pikërisht pavarësinë financiare të tij. Pavarësia e një pushteti nuk mund të kuptohet pa pavarësinë e vet financiare. Kjo pavarësi nënkupton ekskluzivitetin e çdo pushteti në administrimin e aseteve të tij që janë të luajtshme e të paluajtshme.

Ardena Veli, kancelare

Është hera e parë që administrata e gjyqësorit trajtohet me kujdes. Është hera e parë që rritet menjëherë kjo pagë dhe merret në konsideratë puna e administratës gjyqësore. Ky projekt përveç se rrit kompetencat e kancelarit, rrit një pjesë të madhe të punës së tij. Kancelari është i përgjegjshëm dhe këtë punë që ky projekt nen për nen e ka deklaruar, e ka bërë që në fillimin e emërimit të vet, që në fillim të krijimit të strukturës së tij me ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e gjyqësorit”, në vitin 2000.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›