E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS kundër projektligjit, mendime, por jo amendime

Partia Socialiste, nëpërmjet deputetit Besnik Dervishi, paraqiti dje në Komisionin e Ligjeve një relacion ku kundërshton projektligjin e qeverisë për “Administratën gjyqësore”. Pavarësish se PS-ja paraqiti argumentet e saj kundër në lidhje me këtë projektligj, nuk dha asnjë propozim për ndryshim konkret të projektligjit. “Konstatojmë se me këtë projektligj tentohet të ndahet administrimi i përditshëm nga gjykimi, ndërkohë që ka shumë aspekte të administrimit të përditshëm që lidhen me gjykimin dhe që në një mënyrë ose në një tjetër ndikojnë në gjykim. Nga administrimi thuajse është përjashtuar fare kryetari i gjykatës, ndërkohë që ai është autoriteti më i lartë drejtues në një gjykatë. Me parashikimet e projektligjit po tentohet t’i jepen kancelarit të gjykatës kompetenca që e kthejnë atë de facto në njeriun më të rëndësishëm në funksionin administrativ në gjykatë, ndërkohë që figura e kryetarit në këtë aspekt mbetet onorifike”, - thuhet në relacionin e deputetit Dervishi. Në kërkesën për ndryshim në ligj, PS-ja ka kërkuar një faturë financiare. Sipas relacionit, “projektligji duhej të ishte shoqëruar edhe me një faturë financiare, detyrim i cili buron drejtpërsëdrejti nga parashikimet kushtetuese për efekt të pagave në administratën gjyqësore të cilat parashikohen në projektligj. Megjithëse në projekt përcaktohet se efektet financiare fillojnë më 1 janar 2009, duhej që në projektligj të përcaktohej edhe fatura e saktë financiare”.

Kuvendi sot, pushim. Arsyeja, puna e dobët e deputetëve

Ditën e sotme nuk do të mbahet seancë plenare, siç është programuar zakonisht ditën e enjte paradite. Ky ndryshim ka ndodhur për shkak se në seancë nuk ka gati asnjë nisëm ligjore për t’u diskutuar dhe votuar. Mungesa e nismave ligjore në Kuvend ka ardhur për shkak se komisionet parlamentare nuk janë efikase në punën e tyre. Pavarësisht se procedura parlamentare kërkon që komisionet brenda një kohe të caktuar të diskutojnë nismat ligjore për t’i kaluar në seancë plenare, koha procedurale shpesh nuk është respektuar. Për diskutimin e një projektligji, shpesh është dashur edhe muaj, gjë që ka bërë që seancat plenare të mos ketë proporcion të barabartë. Seancat plenare shpesh kanë projektligje të pakta, por shpesh kanë edhe projektligje të shumta për t’u shqyrtuar nga seanca. Kjo gjendje është provokuar edhe për shkak të nismave ligjore, në kuadër të reformës në drejtësi. Aktualisht, në sirtarin e Kuvendit është projektligji i “Administratës gjyqësore”, i cili po kërkon kohë për t’u shqyrtuar. Njëkohësisht, pritet të mbërritje një sërë projektligjesh të tjera për këtë reformë, duke bërë që puna në komisionet përkatëse të shtohet. Komisioni i Ligjeve, në veçanti, ka pasur një punë më të shtuar, pasi i është dashur të merret direkt me projektligjet për reformën në drejtësi, ligjin e spiunëve apo edhe mjaft ndryshime në Kodin Penal.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›