E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha del në mbrojtje të Bashës e Mediut



Në ditën e fundit të vizitës së tij në SHBA, kryeministri Sali Berisha ka dhënë një intervistë për Zërin e Amerikës, në të cilën ka dhënë detaje të takimeve me personalitete të qeverisë së SHBA-ve, ka garantuar për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, ka komentuar ligjin e dosjeve dhe akuzat për korrupsion ndaj ministrave të qeverisë së tij. Në fund të mandatit të tij qeverisës kryeministrit Berisha i është dashur që edhe në këtë intervistë të mbrojë dy ministrat e akuzuar të qeverisë së tij, Bashën dhe Mediun. Sipas Berishës, vendimet e marra për rrugën “Durrës-Kukës” janë kolektive, pasi janë miratuar nga i gjithë kabineti qeveritar dhe kjo e shmang përgjegjësinë e ish-ministrit të Transporteve për abuzime. “Për rastin e rrugës, çdo akt, çdo vendim është absolutisht kolektiv. Megjithatë, pavarësisht nga kjo, është kjo shumicë që i ka hequr imunitetin ministrit, në përputhje me zotimin e saj të plotë, se çdo kërkesë e Prokurorisë për heqje imuniteti, do të gjejë miratimin e saj”, - është shprehur Berisha. Përsa i përket akuzës kundër ish-ministrit Mediu për tragjedinë e Gërdecit, Berisha tha se deri tani nuk është gjetur asnjë provë që të faktojë përgjegjësinë e tij. “Për Gërdecin, ka një vit që botohen me qindra e qindra artikuj, nuk kanë qenë në gjendje të faktojnë as edhe me elementin më të vogël të implikimit për korrupsion të zotit Fatmir Mediu”, - është shprehur Berisha. Ai rrëzoi poshtë pretendimin se Mediu ka anashkaluar ushtrinë në vendimet e marra, duke bërë të ditur se ekzistojnë mbi 30 vendime me firmat e ushtarakëve.
Ligji i dosjeve
I pyetur për një ndër çështjet më të debatuara së fundi jo vetëm nga politika shqiptare, por edhe nga faktori ndërkombëtar, siç është ligji i lustracionit ose hapja e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të regjimit komunist, Berisha tha se ky ligj nuk do të përdoret kundër kundërshtarëve. Berisha theksoi se këtë ia kishte bërë të ditur sekretares Amerikane të Shtetit, Hilari Klinton, e cila është interesuar në veçanti për zbatimin e këtij ligji, për të cilin Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka reaguar ashpër.
“Ky ligj nuk përdoret për të bërë gjahun e kundërshtarëve dhe ne e kemi faktuar këtë me amendimet që i bëmë me kërkesën e opozitës. E dyta, gjithçka do të zhvillohet në përputhje me rregullat e shtetit ligjor dhe në këtë pikë kishte mirëkuptim të plotë”, - është shprehur Berisha.
Drejtësia
Përsa u përket marrëdhënieve të debatuara të kryeministrit Berisha me median dhe me Drejtësinë, vetë ai i cilëson këto marrëdhënie të shkëlqyera. Berisha shkon më tej, duke e akuzuar Drejtësinë për vendime asimetrike. Ai bën të ditur se mbi 400 dosje të dërguara për qeverinë e mëparshme flenë në zyrat e Prokurorisë. Ndërsa thekson se qeveria nuk ushtron asnjë lloj kontrolli ndaj këtij pushteti. “Kjo qeveri i ka krijuar hapësirën më të madhe Drejtësisë. Ndonëse flihet mbi dosje të mëdha korrupsioni të qeverisë së mëparshme, dhe janë jo më pak se 400, është kjo qeveri, e cila e falënderon Drejtësinë, se gjykon dhe se la mënjanë padënueshmërinë, e cila rrënon më shumë se gjithçka tjetër, moralin e një shoqërie. Unë u kam thënë disa herë, publikisht dhe privatisht bashkëpunëtorëve të mi, se e keqja e madhe e vendit do të ishte po të mos dënonin. Ata dënojnë në mënyrë asimetrike, dhe natyrisht pushteti duhet mbajtur me përgjegjësi. Pra, nuk ka në mënyrë absolute ndërhyrjeje”, - është shprehur Berisha. Ai hedh poshtë dhe kritikat për kontroll të tij ndaj medieve, ndërsa akuzon kryetarin e opozitës për një gjë të tillë.
Takimet në SHBA
Në përfundim të vizitës së tij në SHBA, ku mori pjesë në Mëngjesin e Lutjeve, Berisha e cilëson këtë vizitë të shkëlqyer, ndërsa ndalet në takimin me Sekretaren e Shtetit, Hilari Klinton. Berisha bën të ditur se mesazhi i vizitës së tij në SHBA është që me administratën e presidentit Obama, marrëdhëniet me Shqipërinë do të jenë të shkëlqyera dhe do të njohin zhvillime dhe dimensione të reja. Berisha më tej ka dhënë garanci për zhvillimin e një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. “Për mua dhe qeverinë time, këto zgjedhje të lira dhe të ndershme janë më kryesoret, objektivi më madhor dhe i kërkova Sekretares, që Shtetet e Bashkuara të dërgojnë numrin më të madh të mundshëm të vëzhguesve, se këtë kërkesë ia kam bërë kujtdo, edhe vendeve të tjera. Pra unë jam i bindur se Shqipëria dhe politika shqiptare do të nderojë në radhë të parë qytetarët e vet, që ata të votojnë si qytetarë të një shoqërie të lirë, por edhe miqtë e tyre kudo në botë”, - është shprehur Berisha.

9 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›