Civici: “Prekja indirekte nga kriza mund të ndikojë në sektorin e turizmit”
“Ekonomia shqiptare është prekur indirekt nga kriza ekonomike botërore, por kjo mund të ketë pasojat e saj në sektorë kyç të ekonomisë ku më i rrezikuari këtë vit mbetet turizmi”. Kështu ka deklaruar dje njëri prej ekspertëve më të njohur të ekonomisë në vend, prof. dr. Adrian Civici, njëkohësisht dhe njëri prej anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së, në një intervistë për mediat vizive. "Rreziku i efekteve të krizës, duke përfshirë edhe emigracionin shqiptar, mund të prekë sidomos sektorin e turizmit në Shqipëri", - tha ai. Civici ka shtuar më tej se Shqipëria është e prekur indirekt nga kriza ekonomike botërore. "Nuk kemi simptomat që të na prekin në mënyrë direkte nga kriza. Por ne duhet t'i hyjmë në detaje krizës në mënyrë që të shmangen të gjitha efektet e saj", - vijoi më tej Civici. Sipas tij, është biznesi ai që po e ndien më shumë krizën, ndaj po kërkon politika mbështetëse nga ana e qeverisë në mënyrë që ta përballojë këtë krizë ekonomike. Sipas Civicit, qytetarët shqiptarë duhet të depozitojnë paratë e tyre në banka sepse në Shqipëri ka një sistem bankar të sigurt. Lidhur me masat e ndërmarra nga qeveria për krizën, Civici theksoi se pozitive është që edhe fondi i kontigjencës është deklaruar se mund të përdoret për krizën. "Ne duhet të shqetësohemi nëse kemi apo jo një skenar për krizën nëse prekemi, cilat janë masat që do merrnim ne në rast krize dhe këtë nuk duhet ta bëjë vetëm qeveria, por edhe grupe të ndryshme të shoqërisë civile", - nënvizoi ai. Lidhur me reagimin e lekut ndaj monedhës së huaj, ai tha: "Në raport me dollarin dhe euron, leku është dobësuar pak, por nuk ka vend për t'u shqetësuar. Mendoj se është diçka konjukturale e këtyre ditëve, në muajin janar edhe tregu financiar ka rregullat e veta të kërkesë-ofertës, që mund të çojnë në disproporcion mes monedhës vendase e asaj të huaj", - tha ai.
Shkurt/////////////////////////////////
Kriza në Itali, qeveria “Berluskoni” miraton planin antikrizë 2 miliardë euro
Qeveria italiane miratoi dje një paketë prej 2 miliardë eurosh që do të përdoret si ndihmë për industrinë e makinave dhe të prodhimeve të artikujve shtëpiakë. Sipas kësaj pakete, çdokush që heq makinën e vjetër që ndot ambientin, për të blerë një të re, përfiton 1500 euro në dorë. Masat e vendosura nga Ekzekutivi konsiderohen një hap përpara, por duhet bërë ende më shumë në favor të të gjithë sistemit. Por pavarësisht masave të marra, një parashikim i zymtë për Italinë vjen nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Sipas organizatës, rënia ekonomike në këtë vend do të vazhdojë deri në vitin 2010. Në një raport për ekonominë italiane i FMN-së, parashikohet që prodhimi i brendshëm do të tkurret me 2,1 për qind këtë vit dhe 0,1 për qind një vit më pas (në 2010). Borxhi do të arrijë në 108,2 për qind, duke i ofruar qeverisë një hapësirë të kufizuar veprimi për të përballuar krizën globale. FMN-ja parashikon që rimëkëmbja do të jetë e dobët dhe e ngadaltë për shkak të mungesës së konkurrencës dhe hapësirës së kufizuar për një përgjigje fiskale.
Kursi zyrtar i këmbimit të lekut me valutat e huaja sipas Bankës së Shqipërisë:
Lekë për njësi të monedhës së huaj
Dollari amerikan USD 99.24 +1.07
EURO EUR 127.20 +0.80
Paundi britanik GBP 145.89 +3.13
Franga zvicerane CHF 84.73 +0.05
Jeni japonez (100) JPY 108.52 -0.93
Dollari australian AUD 65.38 +1.68
Dollari kanadez CAD 79.97 -0.04
Korona suedeze SEK 12.05 +0.17
Korona norvegjeze NOK 14.53 +0.19
Korona daneze DKK 17.05 +0.07
SDR SDR 148.37 +1.52
Ari (OZ 1) XAU 90586.67 +869.11
Argjendi (OZ 1) XAG 1271.20
9 Shkurt 2009