E Diel, 1 Nëntor 2026

Sami Gjergji: “Ministrat aleate demtuan qeverisjen”

Deputeti i PD-së komenton mandatin qeverisës të PD-së

Eljona Ballhysa

Deputeti i Partisë Demokratike, Sami Gjergji, komenton në një intervistë për gazetën “Albania” qeverisjen gati katërvjeçare të PD-së. Në këndvështrimin e tij, ky mandat qeverisës nuk ka qenë i lehtë për PD-në, pasi lidershipit i është dashur të mbulojë gabimet e ministrave aleatë dhe të përballet me akuzat e opozitës që kërkojnë të veshin me korrupsion kryeministrin Berisha. Megjithatë, Gjergji shprehet se jo gjithçka ka shkuar vaj gjatë këtij mandati, pasi ai rezervon kritikat e tij për disa emërime në adminitratë, por edhe për disa vendime të qeverisë, të cilat, sipas tij, janë mirë të paraqiten me prova në forumet e partisë, në mënyrë që fjala e tij në prag të zgjedhjeve të mos përdoret në favor të opozitës. Deputeti i Durrësit ndalet edhe në situatën brenda Grupit Parlamentar të PD-së, duke nënkuptuar mungesën e demokracisë së brendshme. Ai shprehet se në PD lejohet mendimi ndryshe, por ai nuk merret në konsideratë dhe, pavarësisht se kush ka të drejtë, fiton ai që ka shumicën. I pyetur për konfliktet institucionale, përplasjet e herëpashershme midis tre krerëve më të lartë të PD-së, Berishës, Topallit dhe Topit, Gjergji mohon se kjo luftë ka si prapavijë pushtetin brenda PD-së. Gjergji, edhe si një përfaqësues i biznesit, komenton marrëdhëniet e qeverisë me grupet e biznesit dhe vendimet e marra prej saj.

Z. Gjergji, PD-ja prej disa muajsh është futur në një proces zgjedhor për drejtuesit e strukturave të partisë në bazë. Si ka ecur deri tani ky proces?

Si politikan i ri në karrierë, por me një përvojë të gjatë në biznes, unë nuk do të ngutesha të përgjigjesha as në mënyrë optimiste dhe as me ngjyra pesimiste, sepse procesi zgjedhor i drejtuesve të partisë i ngjan procesit të mbjelljes së farës, të cilin filozofia popullore e ka karakterizuar me thënien e vyer: “Çfarë të mbjellësh, do të korrësh”. Në fakt, përpjekjet e bëra kanë synuar dhe synojnë “fara” të zgjedhura për të pasur “të korra” të mbara.

Ju jeni deputet i Durrësit, cilët janë kandidatët favoritë për postin e kryetarit të degës në këtë qytet?

Me keqardhje mund t’ju them se t’i japësh përgjigje kësaj pyetjeje, duke përmendur publikisht emra të caktuar, del jashtë etikës së një politikani që aspiron vendimmarrje me anë të votës së fshehtë. Në të kundërt mund të përfshihesh në një lobing të pandershëm dhe aspak me kërkesat e kohës për një konkurencë, ose garë të ndershme, sipas parimit: secili “atlet” në korsinë e tij. Ajo çfarë do të desha të theksoja përsa i përket të qenit kandidat favorit është ballafaqimi i premtimeve dhe i rezultateve për çdo kandidat të mundshëm me parashikimet dhe synimet e harmonizuara të PD – së si tërësi me degën në veçanti.

Z. Gjergji, jemi në muajt e fundit të mandatit qeverisës të PD–së. Në këndvështrimin tuaj, si ka qenë ky mandat?

Ka qenë një mandat tejet i vështirë në kuptimin e vërtetë të premtimeve dhe përpjekjes së PD –së, kreut dhe disa ministrave të saj në qeveri, pasi u është dashur të kompensojnë gabimet dhe sjelljet e pahijshme politike të aleatëve qeverisës veçanërisht në drejtim të korrupsionit, aq i lakmuar nga opozita e majtë në luftën e saj politike për të manipuluar opinionin publik në drejtim të z. Berisha, për ta angazhuar këtë të fundit në debate dhe replika si dhe për ta devijuar nga kursi i tij normal i veprimit politik drejt objektivave të vendosura nga qeveria dhe cilësia e qeverisjes.

Çfarë mendoni se nuk ka bërë mirë PD –ja gjatë qeverisjes?

Kësaj pyetjeje përgjigjen e saktë do t’ia japin rezultatet e zgjedhjeve të qershorit 2009. Unë mund të kem kritika personale për disa veprime, sjellje dhe emërime individësh në administratën publike, por nuk mund t’i bëj publike, së pari, për hir të etikës që duhet ta karakterizojë një deputet në prag të zgjedhjeve në parti dhe caktimit të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e ardhshme dhe, së dyti, jemi në pragfushatë të zgjedhjeve dhe nuk mund të bëj luftë politike në favor të opozitës. Çfarë duhet thënë, duhet thënë në forume shoqëruar me fakte dhe prova dhe jo me hamendje apo bazuar mbi thashetheme kafenesh.

Ju përfaqësoni shtresën e biznesmenëve në politikë. Ka pasur debate për disa vendime të qeverisë që ndikojnë mbi biznesin. Sipas jush, si është sjellë qeveria me biznesin?

Ballafaqimi i arritjeve me premtimet e dhëna nga qeveria në programin e saj qeverisës për rritjen ekonomike dhe krahasimi i arritjeve dhe i pritjeve me vendet fqinje dhe përtej tyre, flet për arritje dhe suksese të qeverisë. Por pa dyshim, askush nuk mund të thotë se çdo gjë që ka bërë qeveria ka qenë e përkryer, që justifikon pikërisht debatet. Tek e fundit, debatet shërbejnë për të rritur nivelin e komunikimit ndërmjet qeverisë dhe biznesit dhe, kuptohet, shkëmbimi i ideve dhe informacionit nga palët nuk mund të përputhet me vendimmarrjen pasi kjo e fundit influencohet nga interesat e grupeve të ndryshme brenda radhëve të biznesit dhe jo rrallë nxitet nga interesat politike të opozitës. Edhe në këtë çështje rezultatet e zgjedhjeve janë një prej vlerësuesve të përgjithshëm për një qeveri. Unë si politikan i përmbahem parimit që vlerësimi nuk duhet t’i kërkohet atij që ka përgjegjësinë politike të qeverisjes, por atij që shijon frutat e saj.

Është folur gjithmonë për luftë “klanesh” në PD. Por ajo që është vënë re këto katër vite është lufta e theksuar institucionale. Jo rrallëherë, Kryetarja e Kuvendit dhe Kryeministri i janë kundërvënë Presidentit të Republikës. A është kjo një luftë për më tepër pushtet në PD?

Do ta nisja përgjigjen time duke e kapur nga fundi pyetjen. Lufta për pushtet në PD është diçka e ligjshme, sepse politika nuk nënkupton tjetër gjë veçse luftën për pushtet të një partie, të grupeve dhe individëve brenda tyre për përfaqësimin e interesave. Në këtë kuptim, ajo që ju e etiketoni luftë “klanesh”, nuk ka asnjë lidhje me Presidentin e Republikës, pasi është shkëputur publikisht në zbatim të Kushtetutës nga angazhimet dhe përfaqësimet e anshme politike. Po ashtu, nuk do të desha të pranoja konceptin e kundërvënies në kontekstin e detyrave dhe kompetencave kushtetuese që ka si Kryeministri, si Kryetarja e Kuvendit, ashtu dhe Presidenti i Republikës. Ndarja e pushteteve, ose kompetencat që ka çdo pushtet, nënkuptojnë korrigjimin e dyanshëm që njëra hallkë e pushtetit duhet t’i bëjë hallkës tjetër, në zbatim të Kushtetutës dhe legjislacionit të Republikës së Shqipërisë. Ajo që e konceptoni si kundërvënie nuk është gjë tjetër veçse një qëndrim i caktuar i bazuar në Kushtetutë dhe/ose ligj. Kjo ndodh kudo në botën demokratike, ashtu siç ndodh edhe në vendin tonë. Nuk është kjo ajo për të cilën duhet të shqetësohemi, por tejkalimi i kompetencave ligjore dhe në raste të tilla ka struktura kushtetuese që vendosin se cila palë ka të drejtë.

Disa kohë më parë u përfol për një lëvizje që do të ndërmerrnin mbështetësit e Topit për më shumë hapësira dhe demokraci në PD. A ekziston ende kjo nismë dhe çfarë synon?

Kjo pyetje, për fat të keq, ka brenda papajtueshmëri në logjikën e saj. Së pari, Presidenti Topi mandatin e ka deri në vitin 2012 me të drejtën për të qenë i rizgjedhur. Me ndryshimet e fundit është partia, ose koalicioni në pushtet, që propozon dhe e voton kandidatin për President me 71 vota pro. Pra është shumë herët, aq më shumë ta pretendosh një investim të tillë politik, para se të dalin rezultatet e zgjedhjeve të qershorit, më duket se nuk qëndron. Së dyti, edhe në rastin më profetik të parashikimit të votës së zgjedhësve pro PD–së dhe aleatëve të saj, për një distancë kohore 2009 – 2012 (tre vjet) sikur nuk ta mbush mendjen që nuk do të kete zhvillime në PD dhe në krejt harkun e politikës shqiptare. Në Shqipëri, sikundër thuhet shpesh me shaka, gjërat ndryshojnë brenda natës. Pjesa tjetër e pretendimit të pyetjes për ekzistencën e mbështetësve të Topit bie vetvetiu që në gjenezë.

Gjithmonë e më shumë vihet re mungesa e debatit në Grupin Parlamentar të PD–së dhe në ato raste që vihet re një zë ndryshe, ai shkarkohet ose “ngrin”. Pse ndodh kjo z. Gjergji?

Çdo parti ka nevojë për disiplinë. Në përgjithësi, unë mund t’i referohem qëndrimit tim të përhershëm personal si deputet, i cili është udhëhequr nga parimi i kombinimit të interesave të zgjedhësve të zonës sime elektorale me premtimet e qeverisë. Në këtë linjë arsyetimi, çdo person i shkarkuar ose “i ngrirë” nga këndvështrimi i vet personal pa frikë mund të thotë “kam ose kisha të drejtë unë”. Por një mendësi e tillë politike nuk pajtohet me strukturat dhe forumet e PD–së në parti, qeveri dhe Kuvend. Për këtë arsye janë zgjedhur kryetarët, forumet udhëheqëse etj. Të shohësh ndryshe nuk ndalohet, por nuk merr zgjidhjen që kërkon. Tek e fundit, demokracia është marrje vendimi me shumicë votash. Fiton ai që siguron shumicën.

Tashmë ndodhemi vetëm 5 muaj larg zgjedhjeve parlamentare, çfarë shifrash paraqesin sondazhet e selisë “blu” për mbështetjen e PD–së në elektorat?

Unë nuk e kam atë tagër që të flas në emër të PD–së, por natyrisht kam një bindje timen që e mbështes te elektorati i zonës sime, që më duket pozitiv në drejtim të fitores dhe mbi këtë bazë besoj se ku më shumë e ku më pak është kjo prirje.

A do të ketë sërish një kompani të huaj për organizimin e fushatës zgjedhore të PD–së?

Besoj që një e vërtetë rreth faktit që do të ketë ose jo një kompani të huaj kjo do të merret vesh kur të shpallet programi dhe të hapet fushata zgjedhore. Mundësitë për të zgjedhur janë të shumta. Të shohim.

Së fundmi, si do të hartohet lista e kandidatëve për deputetë të PD–së dhe kur do të nisë ky proces?

Kjo është një nga pikat kyçe për suksesin e fushatës, sepse kushtëzohet nga prirja për të mos u ngutur në zgjedhjen e tyre, por edhe për të mos menduar se ka kohë për ta bërë një punë të tillë. Bollëku i kohës në këtë drejtim a ka buzëqeshur opozitës një ditë pas fitores së PD–së në 2005-n. Procesi i përzgjedhjes së kandidatëve dhe i hartimit të listës së tyre nuk përkon për momentin me detyrimin që ka lideri kryesor i PD–së si Kryeministër, që i duhet të kryejë detyra të tjera më të rëndësishme, sidomos për kushtet e veçanta të ndikimit të krizës financiare globale. Megjithatë, pa dashur të dal mbi etikën personale dhe partiake të PD–së, shpresoj që përgjigjen ta merrni shpejt.

9 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›