Rama: “Do t’u japim vlerën e duhur diplomave në arsim
Takimi i dytë i Rrjetit të Vullnetarëve të Partisë Socialiste është zhvilluar dje në qytetin e Patosit. Në këtë takim ka marrë pjesë kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, i cili, gjatë fjalës së tij, ka shpalosur premtimin për të rimëkëmbur sistemin arsimor dhe për t’u dhënë vlerën e duhur diplomave universitare.
Rama dënoi qeverisjen e paaftë dhe të korruptuar të Sali Berishës, duke thënë se Shqipëria nuk meriton që të humbasë edhe katër vjet të tjera duke mbetur në të njëjtat duar të paafta dhe të korruptuara. Kreu i PS-së shprehu bindjen për fitoren e saj në zgjedhjet e 28 qershorit. Ai premtoi se qeveria e ardhshme socialiste do të ringrejë sistemin e shkatërruar arsimor, duke shtuar premtimin për dhënien e vlerës që meritojnë diplomat universitare. “Ne do t'i bëjmë gjimnazet e universitetet tona hapësira të dijes, të konkurrencës e të meritës dhe do të garantojmë investimet e çdo familjeje për nxënësit e studentët jo duke dhënë letra pa vlerë që quhen diploma, por duke i dhënë çdo diplome vlerën e saj. Ne kemi bindjen se arsimimi është politika më e mirë ekonomike dhe në katër vjet do të bëjmë për arsimimin e fëmijëve e të të rinjve aq sa politika e vjetër nuk ka bërë në 18 vjet”, - tha kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.
9 Shkurt 2009