E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: “Qeveria, abuzime me tenderat në ndërtimin e rrugës së Gjirit të Lalëzit”



Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka bërë publike dje fakte të reja që tregojnë për abuzime të qeveritarëve me tenderat për ndërtimin e rrugës së Gjirit të Lalëzit. Braçe ka inspektuar dje punimet në rrugën e Gjirit të Lalëzit, e cila duhej të kishte përfunduar brenda vitit 2008. Por, siç tregon Braçe, deri tani ka mbaruar asfaltimi vetëm i 55% të rrugës, ndërsa pjesa tjetër nuk i ka filluar punimet. Braçe bën të ditur se edhe pjesa e rrugës që është asfaltuar ka filluar të rikonstruktohet, pasi është prishur për shkak të cilësisë së dobët të punimeve. Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së sjell në vëmendje se qëllimi i ndërtimit të kësaj rrugë është rritja e vlerës së një sërë pronave të blera nga ministra, dhe familjarë të qeveritarëve në këtë zonë. “Së dyti, kjo rrugë nuk po bëhet thjesht dhe vetëm si nevojë e banorëve të kësaj zone. Përkundrazi, nevoja e banorëve të kësaj zone po shfrytëzohet kriminalisht nga qeveria për të rritur vlerën e pronave të saj të përfituara në mënyrë të paligjshme, ose të blera për një copë buke nga banorët e varfër të zonës në Gjirin e Lalëzit. Një vit më parë në Parlament kam treguar njoftimin e një kompanie imobiliare, që e shpallte Argita Malltezin si konsulente ekskluzive të kësaj kompanie në shitblerjen e pasurive të paluajtshme. Bashkë me të dhe njoftimin se kompania kishte nxjerrë në shitje 2.4 mln metra katrorë tokë në Gjirin e Lalëzit të disponuara me certifikatë qeveritare, thuhet në njoftim. Rruga dhe ky njoftim është shembulli më i mirë që sjell në evidencë të njëjtën skemë, siç ajo e Damir Fazlliçit në Porto Romano, sipas së cilës përdoren vendimet politike të qeverisë si dhe paratë publike të shqiptarëve për të rritur vlerën e pronave të paligjshme të pushtetarëve. Së treti, fundi i rrugës është në fshatin e qeverisë. Nuk e kam fjalën për fshatin e vjetër dhe banorët autoktonë. E kam fjalën për fshatin e luksit, ku banon e ruhet me roje vajza e kryeministrit, kunati i kryeministrit, disa ministra, disa zv.ministra si dhe dy drejtorë të agjencive më të rëndësishme publike të shtetit, midis tyre dhe drejtori aktual i Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve”, - është shprehur Braçe.

9 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›