Berisha denoncon skemën e Dushkut te ndihmëssekretarja e Shtetit
04/05/2005 Ndihmëssekretarja e Shtetit, Ketlin Steven dhe ambasadorja amerikane, Marsi Rice, zhvilluan dje një takim me kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, ku u diskutua për situatën parazgjedhore në vend. Pas bisedës, kreu demokrat u shpreh se i ka bëtë të ditur ndihmësekeretares së Shtetit, Stevens, tentativat e qeverisë për megadushkun dhe kthimin e parave të pista në mandate deputetësh. “Objekti i bisedës tonë ishte natyrisht megadushku. Gjithashtu, unë e njoha ndihmëssekretaren e Shtetit, znj.Ketlin Steven, me problemin që krijon megadushku, duke cënuar ndershmërinë e procesit elektoral. E njoha me kandidimin nga ana e Kryeministrit, të bosëve të mafias shqiptare dhe të Ballkanit, kontrabandistëve që iu arratisën anijet, sipas të gjitha informacioneve njerëzve me dosje, që duan që paratë e tyre të pista t'i shndërrojnë në mandate”, tha Berisha. Gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së nuk la pa përmendur edhe deklaratën e Presidentit Moisiu në Berat, i cili u shpreh kundër kandidimit në zgjedhje të drejtuesve të institucioneve publike dhe mundësisë së blerjes së votave nga biznesmenë të ndryshëm. “Këtë praktikë e ka denoncuar publikisht BE dhe Brukseli, e ka denoncuar dhe Presidenti i Republikës. Dënimin përfundimtar do t’ia japin qytetarët shqiptarë kësaj praktike, e cila synon të dëmtojë edhe në momentin më solemn procesin elektoral”, tha Berisha. Ndërkohë, gjatë fjalës së tij, lideri demokrat përshëndeti prurjet e reja në Kryesinë e PD, duke e konsideruar zgjedhjen e tyre në këtë strukturë si një rifreskim që i bëhet partisë.