E Hënë, 2 Nëntor 2026

PD-PS arrijnë konsensusin për pronat

04/05/2005  Shtyhet afati që kanë në dispozicion ish-pronarët për të kërkuar kompensimin

Deri në muajin mars 2006 do të shqyrtohen ankesat për vendimet e mëparshme

Pronarëve do t'u lihet dhe një vit kohë për të kërkuar kthimin ose kompensimin e pronës së tyre. Komisioni i Ekonomisë ka miratuar, pa diskutime, kërkesën e paraqitur prej deputetit të PD-së, Fatos Beja dhe deputetit të PS-së, Taulant Dedja, mbi shtyrjen e afateve të përcaktuara në ligjin e pronave. Tashmë konsensusi paraprak mes të dy forcave politike për çështjen e pronave do të reflektohet dhe në seancën parlamentare, ku do të paraqitet për votim kërkesa për ndryshimin e ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave.

Afatet

Me këtë propozim, Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do të ketë afat deri më 15 mars të vitit 2006, për të shqyrtuar ankesat që do të kenë pronarët mbi vendimet e marra më parë. Sipas ligjit, deri në marsin e shkuar, komiteti duhej të merrte në shqyrtim ankesat e pronarëve. Në rast se do të vëreheshin shkelje të ligjit, atëherë komiteti do ta shpallte atë të pavlefshëm. Por, duke parë se deri në këtë muaj nuk ishin miratuar aktet nënligjore, si dhe nuk kishte përfunduar rregullorja e punës së komitetit, nuk u mor në shqyrtim asnjë kërkesë. Duke parë se për këtë çështje nuk ka pasur të fajësuar rruga më e mirë është parë shtyrja e afateve të parashikuara në ligj. Nga një vendim i tillë i jepet e drejta dhe pronarëve për afatet që kanë në dispozicion, që të paraqesin kërkesat për të kërkuar kthimin e pronave. Sipas ligjit aktual, pronarët kanë të drejtë që të kërkojnë kthimin dhe kompensimin brenda një viti nga hyrja në fuqi e tij. Në rast se ky afat kalon, pronarëve u humb e drejta e kërkesës. Porqë, prej hyrjes në fuqi të ligjit, nuk është marrë në shqyrtim asnjë dosje e pronarëve. Kjo për shkak se është dashur miratimi i metodikës për çmimet e tokës, si dhe të një sërë procedurave të tjera. Ndaj, komiteti u ka kërkuar partive politike që të vendosin shtyrjen e afateve dhe për një vit.

Debati

Duke parë vonesat në zbatimin e ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave, krerët e Bashkimit Evropian kanë shprehur shqetësimin e tyre, duke paralajmëruar dhe shtyrjen e bisedimeve. Madje, vetëm pak ditë më parë në Bruksel, Shqipëria ka dhënë shpjegimet mbi hapat që janë hedhur mbi këtë pikë. Ndërsa, më datën 10 maj pritet që të rinisin bisedimet zyrtare. Në këtë takim do të marrin pjesë anëtarët e Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave si dhe ministrja e Integrimit, Ermelinda Meksi, e shoqëruar me ekspertët e kësaj ministrie.

Dokumentet për të kërkuar pronën

Çdo subjekt për të nisur procedurën për marrjen e kompensimit, duhet të paraqitet në komisionet e qarqeve, ku do të paraqesë kërkesën si dhe dokumentet e kërkuara me ligj. Së pari, kërkohen dokumentet që vërtetojnë pronësinë e subjektit si dhe pozicionin gjeografik të pronës, vërtetim pronësie që merret te zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për efekt të kthimit dhe kompensimit të pronave, dokument kadastral që mund të gjendet pranë zyrave të Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës në Këshillin e Qarkut, vendim gjyqësor i formës së prerë, së bashku me hartën e pasurisë me vulën e gjykatës. Dokument që vërteton heqjen ose marrjen e të drejtës së pronësisë së subjektit të shpronësuar nga shteti, sipas akteve ligjore, nënligjore, vendimeve penale të gjykatave ose në çdo mënyrë tjetër të padrejtë që nga data 29.11.1944. Në dokumentet shtesë kërkohen dokumente nga Arkiva Hipotekore që merret në zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, dokument nga Arkiva e Shtetit Shqiptar, që duhet vetëm në ato raste kur dokumentet hipotekore apo kadastrale janë të depozituar në to, dokument hartografik, planvendosje e vjetër e pronës, nëse ka sigurohet nga Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, Arkivi Qendror Teknik dhe arkivat teknikë në rrethe Instituti i Studimit të Tokave, në arkiva hartografike dhe tek Arkivi i Shtetit Shqiptar.

Harta aktuale, në varësi të vendit të pronës së pretenduar, mund të sigurohet nga:

Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për të gjitha zonat urbane dhe për zonat rurale, ku është bërë regjistrimi. Akti i trashëgimisë dhe prokurë e posaçme në rastin e përfaqësimit. Në të gjitha rastet, subjekti duhet të paraqitet me dokument identifikimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›