Sot votohet kërkesa për heqjen e imunitetit të Nikollë Lesit

04/05/2005 Këshilli Rregullores paraqet relacionin mbi kërkesën e Sollakut
Kuvendi do të diskutojë sot mbi kërkesën e prokurorit të Përgjithshëm për heqjen e imunitetit deputetit të Partisë Demokristiane, njëkohësisht botuesit të gazetës "Koha Jonë", Nikollë Lesi. Në seancë, këshilli për rregulloren dhe imunitetin e deputetëve do të paraqesë raportin e përpiluar mbi kërkesën e Kryeprokurorit Theodhori Sollaku. Pas kësaj, do të jetë Lesi, që do të japë argumentet e tij dhe më pas gjithçka do t'i lihet debatit të deputetëve. Megjithatë, votimi për këtë pikë do të shtyhet për seancën e ditës së hënë, pasi rregullorja kërkon që deputetët të reflektojnë mbi kërkesën e paraqitur për disa ditë. Në kërkesën e paraqitur, Sollaku ka akuzuar Lesin për shpifje ndaj Kryeministrit Fatos Nano. Në këtë akuzë, Sollaku është bazuar në deklaratën që ka dhënë Lesi në një seancë parlamentare, ku ka zbardhur një përgjim mes Nanos dhe Fehmi Abdiut, në lidhje me trafiqe armësh. Lesi është shprehur se zotëron një kasetë, ku vërtetohet biseda. Në të kundërt me këtë, Sollaku thekson se nuk ka kasetë, që të vërtetojë përgjimin dhe nuk ka asnjë provë, që një bisedë mes Nanos dhe Abdiut, në lidhje me trafiqe armësh, të jetë e vërtetë. Si pasojë, Sollaku ka kërkuar heqjen e imunitetit ndaj Lesit, për të proceduar me veprën penale për shpifje.