Sezon provimesh, voto në Tiranë
04/05/2005 Studentët e Tiranës do të jenë me sezon provimesh ditën e zgjedhjeve, për këtë arsye kush dëshiron mund ta “zhvendosë” votën në Tiranë. Pritet, që kësaj nisme t’i bashkohen dhe universitetet e rretheve të tjera, që kanë konvikte. Lëvizja "Mjaft!", MPVD dhe Rektorati i Universitetit të Tiranës, kanë ndërmarrë një nismë për sensibilizimin e të rinjve në procesin e ardhshëm zgjedhor në Shqipëri, pasi, fatkeqësisht, në sondazhe ata cilësohen si një nga bojkotuesit kryesor të votës. Për këtë qëllim, lëvizja "Mjaft!", Ministria e Pushtetit Vendor dhe Rektorati i Universitetit të Tiranës, kanë nënshkruar dje një marrëveshje, në bazë të të cilës angazhohen të bashkëpunojnë në ndërgjegjësimin e të rinjve për të votuar. Përreth 2 javë, lëvizja "Mjaft!" e ndihmuar nga vetë studentët, do të kërkojë regjistrimin e studentëve, të cilët gjatë sezonit të provimeve do të jenë në Tiranë, në mënyrë që të mund të votojnë në njësitë bashkiake të Tiranës. Atyre do t’u paraqitet një formular, i cili pas plotësimit do të dorëzohet në sekretaritë e fakulteteve. Pas kësaj në bashkëpunim me Ministrinë e Pushtetit Vendor, do të bëhet zhvendosja e emrave të tyre nga vendet ku jetojnë për të votuar në Tiranë. Vetëm në Tiranë janë rreth 10 mijë studentë nga rrethet dhe vota e tyre është mjaft e rëndësishme, ndërkohë që nisma, afati i së cilës skadon më 20 maj, do të ndërmerret edhe në qytete të tjera universitare. Nisma e ndërmarrë nga lëvizja "Mjaft!", MPVD dhe rektorati i Universitetit të Tiranës, e konsideron mjaft të rëndësishme votën e të rinjve, të cilët do të vendosin për sistemin politik të së nesërmes që do t'i udhëheq.