Berisha, deputetëve: Ky është vit elektoral, afrohuni me njerëzit
Kryeministri Sali Berisha njofton deputetët e vet që ky është vit elektoral dhe si i tillë duhet të afrohen më shumë njerëzve. Gjatë mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar, Berisha pohoi se “që tani jemi në vit elektoral dhe duhet të jeni sa me afër njerëzve. Dëgjojuani hallet që kanë”. Kurse deputeti demokrat Preç Zogaj u shpreh se duhet të mbyllen njëherë investimet e nisura në rrugë pastaj të merremi me të tjerat. Zgjedhjet që priten të mbahen në qershor të vitit 2009, kanë vënë në lëvizje partitë politike për të nisur fushatën, por akoma nuk po ndihet tensioni që krijon në të vërtetë një vit elektoral sidomos në radhët e deputetëve. Është dashur porosia e kreut të qeverisë, njëkohësisht dhe kryetar i partisë në pushtet, që të kujtojë grupin parlamentar për të nisur kontaktet me bazën e partisë dhe elektoratin në përgjithësi. Sipas Berishës, duhet që partia dhe deputetët të kenë më shumë kontakte me njerëzit për të krijuar lidhjet me popullin para se të nisë fushata intensive. Këto kontakte pritet që të ndihmojë Partinë Demokratike për të fokusuar programin politik dhe premtimet e saj elektorale në muajt e fushatës elektorale. Si rregull, një ditë në javë deputetët e kanë takim me elektoratin e zonës, por këto takime nuk janë të rregullta për shkak dhe të angazhimeve të tjera që kanë parlamentarët. Por tani që motorët e fushatës po ndizen, këto takime pritet të shpeshtohen. Ndërkohë Kryeministri po zhvillon një tur takimesh me moton “Shqipëria po ndryshon”, por ky tur megjithëse i shërben rritjes së besimit në elektorat, nuk është cilësuar si fushatë elektorale.