Manjani: Qeveria prodhon projektligje antireformë
Kryetarit i Komisionit të Ligjeve, Sigurisë dhe Administratës Publike në PS, Ylli Manjani, akuzoi dje qeverinë se po prodhon ligje që në të vërtetë janë antireforma. “Qeveria vazhdon të paraqesë në Kuvend nisma ligjvënëse gjysmake dhe antireformë. Projektligji për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm (SHKB) është mjeti i radhës që kjo qeveri tenton të përdorë për të kontrolluar policinë, SHISH-in, prokurorinë, si dhe çdo institucion apo individ që nuk pajtohet me Kryeministrin e vendit”, - tha Manjani. Sipas tij, me këtë projektligj qeveria synon të ndërtojë një super Ministri të Brendshme, e cila ka në dorë Policinë e Shtetit, Policinë Gjyqësore, madje edhe prokurorinë dhe SHISH-in. “Qeveria propozon ndërtimin e një strukture mbikëqyrëse të Policisë së Shtetit, dhe paralele me prokurorinë dhe me SHISH-in. Kompetencat e papërcaktuara qartësisht për SHKB-në do të shkaktojnë përplasje ndërmjet këtyre institucioneve, nga ku fiton gjithmonë pushteti më i fortë, pra ai i qeverisë. Kjo është një tjetër tentativë e qeverisë për të vënë nën kontroll institucionet e autoritetet ligjore të pavarura nga qeveria”, - tha Manjani.