E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-drejtues së PS-së Ballsh divorcohen me Ramën

Disa ish-drejtues lokalë të PS-së deklarojnë divorcin me Edi Ramën.

Largimi është bërë i ditur nga ish-kryetari i kësaj dege, Axhem Zotaj, i cili ka renditur të gjitha arsyet e largimit dhe afrimit drejt Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në emër të një grupi të ish-drejtuesve të PS-së së Ballshit, Zotaj tha se “ndihemi të harruar, të shpërfillur e të përjashtuar, jo vetëm nga vëmendja e drejtuesve të PS-së, por edhe nga hapësirat organizative për të dhënë kontributin e angazhimin tonë politik. Na mungon aksesi dhe lidhja shpirtërore për t'u motivuar si më parë”. Më tej në këtë deklaratë të përbashkët thuhet se tashmë PS-ja, nga një parti e shtresave të paprivilegjuara është kthyer në një grupacion të njerëzve të tejborgjezuar. Njëkohësisht, grupi i ish-drejtuesve të PS-së verën se PS-ja ka dhe mban një përgjegjësi për humbjen e thellë në zgjedhjet vendore të vitit 2007, ku nga 12 qarqe fitoi vetëm një në shkallë vendi, kurse në Mallakastër humbi 7 njësi vendore dhe fitoi vetëm 2. Njëkohësisht, përcaktohet se “Monologu me Shqipërinë tregoi e po tregon se demagogjia është në themel të të ashtuquajturës projekt i politikave të reja. Vetë dialogu u katandis: "Unë flas e ju dëgjoni". PS-ja tashmë ka një drejtim kolektiv dhe ka humbur identitetin”.

Ish-drejtuesit ngrenë shqetësimin se PS-ja është e ndarë mes qytetit dhe fshatit dhe se nuk ka asnjë strukturë të mirëfilltë vendimmarrëse në bazën e PS-së. “Pra, nuk ka vendimmarrje, nuk ka mendim e veprim tek anëtarësia, pra nuk demokraci të brendshme. Brenda PS-së ka një vijë të radikalizmit, të klanizimit, të sharlatanizmit, të klientelizmit me kokat e transplantuara”.

Nisur nga kjo, ata deklaruan se “LSI-në, që nga krijimi e sot, e gjejmë në përshtatje e përputhje me aspiratat tona politike e për këtë arsye vendosim të bëhemi pjesë e saj, që me kontribute e angazhime të përbashkëta të arrijmë sukses në sfidat e ardhshme politike elektorale”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›