Berisha-deputetëve: Ngrini dorën për çka t‘ju thotë PS-ja
Partia Demokratike ndez motorët për kryerjen e reformës elektorale. Kryeministri Sali Berisha u ka komunikuar deputetëve demokratë strategjinë e PD-së për të pranuar çfarëdolloj pakete të propozuar nga opozita për reformën zgjedhore. Shefi i partisë më të madhe në vend ka urdhëruar deputetët e tij që brenda kësaj jave t‘i jepet fund procesit të negociatave për sistemin elektoral dhe të nisin urgjentisht ndryshimet në Kushtetutë. Në këtë mënyrë, deputetët e Partisë Demokratike do të ngrenë dorën për të miratuar çfarëdolloj kërkese të partisë më të madhe opozitare në lidhje me ndryshimet në Kushtetutë. Kryeministri Berisha u shpreh pro realizimit të reformës zgjedhore, duke u përqendruar kundër fenomenit të Dushkut. Berisha ka siguruar deputetët e tij se është i gatshëm të lëshojë pe atëherë kur opozita bën një propozim të arsyeshëm për sistemin zgjedhor. Kryeministri e ka cilësuar propozimin e Partisë Socialiste për reformën zgjedhore si të arsyeshëm. Pasi ka përshëndetur propozimet e PS-së, Berisha ka theksuar se këto i japin fund fenomenit të Dushkut. Një ditë më parë, Berisha ka theksuar se nuk ka asgjë tjetër përveç vullnetit të përbashkët, të hapur dhe jo të fshehtë, për të promovuar reformën. "Kur është i fshehtë është vërtet i tillë, kur them është i hapur është vërtet i tillë dhe duhet t‘i merrni fjalët ashtu siç ua them. Nuk ka asgjë të fshehtë. Të dyja palët janë të detyruara të procedojnë me reformën", është shprehur Berisha menjëherë pas kthimit nga Bukureshti. Duke besuar se bashkëpunimi i opozitës në vazhdimin e reformave të tjera të rëndësishme nuk do të mungojë, Kryeministri u shpreh se qeverisë nuk i mbetet gjë tjetër veçse të bëjë çdo përpjekje për të shkurtuar sa më shumë të jetë e mundur kohën e shndërrimit të ftesës në anëtarësim të plotë. "Shpresoj që edhe opozita është e vendosur të kontribuojë që të ecim në reformën elektorale, në reformën në drejtësi, në reformën ekonomiko fiskale, reformën në ushtri dhe në tërësi. Reformat kanë pasur një rezonim shumë të fuqishëm dhe një vlerësim të vërtetë të madh. Reformat flasin, ato jehojnë dhe kjo ndodhi me reformat tona, por ta konsiderojmë këtë vetëm si një stacion për të kapur një stacion tjetër më të madh", tha ai. Mes falënderimeve për ftesën e NATO-s, Kryeministri nuk ka veçuar as opozitën. "Deputetët e opozitës, të cilët me votën e tyre, si në ligjin për drejtësinë, apo dhe në marrëveshje dhe ligje të tjera, kanë kontribuar në zhvillimin e reformave jetike për vendin", tha Berisha. Kryeministri theksoi se krahas rolit shumë të rëndësishëm diplomatik që luajtën institucione të tilla si Ministria e Jashtme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, një rol tejet të rëndësishëm në kompletimin e këtij procesi ka luajtur edhe diplomacia parlamentare.