E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasili kundër PS-PD për reformën zgjedhore

Lëvizja Socialiste për Integrim shpreh keqardhjen e thellë që socialistët janë bërë mbështetës të hapur të kompromiseve antikushtetuese dhe jashtë institucioneve me Berishën. Duke ripërsëritur, sipas Petrit Vasilit, se proceset bipartizane kanë shkatërruar zgjedhjet dhe imazhin e Shqipërisë dhe vonuan kaq shumë edhe marrjen e ftesës në NATO. Ai paralajmëroi publikisht ideatorët e zgjedhjeve të majit të 1996 si dhe ata që ideuan, zbatuan dhe përfituan nga Dushku i madh dhe i vogël. "Përgjegjësitë e prishjes së procesit zgjedhor do të jenë edhe shumë të rënda, për arsye të sajimit të një reforme zgjedhore okulte bipartizane dhe jashtë institucioneve, aq më shumë sot që Shqipëria është ftuar të bëhet pjesë e NATO-s", theksoi Vasili. Ai shtoi se lidershipet e PD dhe PS duhet ta harrojnë se mund t‘u hedhin hi syve shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë me çerek reformat bipartizane thellësisht të dështuara e pa përmbajtje që ata po ndërmarrin. LSI thotë se do të mbështesë vetëm procese të vërteta, transparente, institucionale reformash, që i bëjnë mirë popullit shqiptar dhe do t‘i kundërvihet e demaskojë në çdo komunë e bashki, si dhe në çdo seli të partnerëve ndërkombëtarë, çdo shpërdorimi që bëhet në dëm të Shqipërisë dhe Shqiptarëve. Vasili vlerësoi edhe vendimin historik të marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO si një moment shumë të rëndësishëm reflektimi të thellë për politikën shqiptare. "Si dhe e vlerëson atë si një meritë të jashtëzakonshme të popullit shqiptar, që ka pasur aftësinë dhe inteligjencën për t‘u orientuar drejt progresit, lirisë dhe demokracisë që vetë NATO ka simbolizuar", u shpreh Vasili. I gjithë ky kontekst i ri politiko-shoqëror, argumentoi ai, kërkon ndërtimin e një procesi politik reformash thellësisht të ndryshëm nga ai i deritanishmi "dhe ku ndërtimi i konsensuseve të gjëra, ashtu si edhe vetë fryma e marrjes së vendimeve në NATO, duhet detyrimisht të mbizotërojë në Shqipëri", sqaroi Vasili. Ai insistoi se përkundrejt një detyrimi të tillë parimor që ftesa e sapomarrë na imponon, mënyra e keqe e kryerjes së reformave të pjesshme, jokonsensuale dhe klienteliste po dominon politikën duke shpërdoruar atë besim që NATO i dha popullit shqiptar.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›