E Shtunë, 31 Tetor 2026

Instituti i Shëndetit Publik: Një km nga krateri, zonë e rrezikshme

Tre janë elementet e rrezikshëm, që nëse gjenden në tokë, kanë kosto shëndetësore për banorët e Gërdecit. Për të gjetur nëse toka në këtë zonë, në mënyrë të veçantë pjesa pranë kraterit, ka përmbajtje të elementëve kimikë si dioksina, furanet por edhe poliklorurbifenilet, specialistët kanë dërguar mostra për analiza në institutin e Siena-s, Itali. Nëse përfundimet e këtij instituti do të pohojnë që mostrat e tokës përmbajnë elementë të tillë kimikë, atëherë do të thotë që banorët rrezikojnë të preken nga sëmundje edhe tumorale. Nëse toka është e kontaminuar nga kësisoj elementesh do të thotë që rrezikohen edhe ujërat nëntokësorë. Sipas analizave që kryhen herë pas here në zonën e Gërdecit, zona e ndotur është rreth 1 kilometër larg kraterit. Megjithatë specialistët e ISHP-së kanë kërkuar monitorim të vazhdueshëm të kësaj zone. Ekspertët e mjedisit shqiptar, por edhe ata të huaj, kanë kërkuar që përpara se të fillojë ndërtimi i shtëpive në Gërdec, duhet të bëhet pastrimi i thellë i tokës. Në të kundërt, banorët rrezikojnë shëndetin. "Situata mjedisore në Gërdec nuk paraqet ndotje substanciale dhe rreziqet shëndetësore të popullatës janë minimale", tha kreu i ISHP-së, Alban Ylli. Sipas tij uji i pijshëm i rrjetit në Bashkinë Vorë, rezulton i pa ndotur nga mbetjet toksike, probleme janë evidentuar në ujin e puseve, për të cilin është rekomanduar moskonsumimi i tij. Veç ekzaminimit të ujit të pijshëm, zona Gërdec, ku ka ndodhur shpërthimi, i është nënshtruar dezinfektimit dhe pastrimit nga mbetjet toksike dhe kafshëve të ngordhura, me synim që të shmanget kontaminimi i ambientit. "Jemi ende duke monitoruar situatën mjedisore, specialistët po i afrohen sa më afër zonës së karterit dhe nuk kanë identifikuar agjentë toksikë mbi normat normale, madje në zonën e shpërthimit nuk ka ndotje radioaktive", sqaroi Ylli. Ndërkaq, disa ditë më parë në një forum të organizuar nga gazeta "Shqip", specialisti i kimisë ushtarake, Shkëlqim Bejo, deklaroi se në zonën e/////// duhet të kontrollohet seriozisht për radioaktivitet në zonën e shpërthimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›