E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Politika, larg "Gërdecit"

Ambasadori amerikan Xhon Uidhers ka deklaruar se fajtorët e tragjedisë së Gërdecit do të hetohen dhe dënohen, pavarësisht postit që ata mbajnë. Ai konfirmoi se me hetimin e kësaj ngjarjeje po merren edhe 6 ekspertë të FBI-së. Deklaratat e ambasadorit u bënë në një takim të zhvilluar në Prokurorinë e Përgjithshme, ku ishte e pranishme edhe shefja e organit të akuzës, Ina Rama. "Sot, përpara drejtësisë shqiptare ndodhet një hetim shumë i rëndësishëm mbi tragjedinë e Gërdecit. Unë dua të shpreh mbështetjen time të plotë për një hetim tërësor, të gjithanshëm dhe të paanshëm për shpërthimin e Gërdecit. Ky hetim duhet të arrijë kudo ku çojnë të dhënat, pavarësisht se në ç‘drejtim apo se cili është i përfshirë", tha Withers, duke shtuar se vetëm kjo do të rivendosë besimin publik në institucionet shqiptare të drejtësisë.

Asnjë ndërhyrje politike

Në fjalën e tij, ambasadori shpresoi se Prokuroria e Përgjithshme, për të gjetur të dhënat për kundërvajtje, nuk do të hasë asnjë ndërhyrje politike të asnjë lloji. "Shpresoj që procedurat gjyqësore të jenë rigoroze dhe që çfarëdo vendimesh që mund të jepen nga gjykatat shqiptare, të jenë në përputhje me krimet, pavarësisht statusit apo lidhjeve politike të kriminelëve. Unë besoj që jemi të gjithë me shumë fat që këtë hetim e drejton Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama", tha ambasadori i SHBA-së. Më pas, duke iu drejtuar Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, ai tha se ka besim të plotë në udhëheqjen dhe drejtimin e saj për këtë hetim, duke saktësuar se "në përgjigje të kërkesës suaj, gjashtë agjentë të hetimit penal federal nga SHBA-të, agjencia ATF, të cilët janë specialistë në hetimet për shpërthimet, mbërritën për të ndihmuar prokurorët dhe oficerët e policisë të ekipit hetimor për Gërdecin". Ambasadori deklaroi se shteti që përfaqëson në Shqipëri po ofron ndihmë pas tragjedisë së Gërdecit me ekspertë ushtarakë nga Komanda Evropiane e Ushtrisë së SHBA-së (EUCOM). Kjo komandë ka dërguar një ekip ekspertësh për mjetet shpërthyese, materialet e rrezikshme, analizat mjedisore, si dhe mjekësinë ligjore. Ekipi po shqyrton vendin e shpërthimit në Gërdec çdo ditë dhe po i ofron këshilla autoriteteve shqiptare.

"Gërdeci, zonë e rrezikshme"

Gjatë aktivitetit për "Teknikat e hetimit financiar", ku ishte e pranishme edhe kryeprokurorja Ina Rama, ambasadori amerikan Xhon Uidhers shprehu shqetësimin për menaxhimin e vendngjarjes në fshatin Gërdec. "Ekspertët tanë e kanë këshilluar qeverinë që ekzistojnë çështje të sigurisë që mund të çojnë në lëndime të mëtejshme, nëse nuk ndërmerren ndryshime" tha Uidhers, duke shtuar se zona është ende e mbushur me municione të pashpërthyera, një pjesë e madhe e tyre nën sipërfaqe dhe shumica e shtëpive në zonën e shpërthimit kanë pësuar dëme serioze strukturore. Më tej, saktësoi se ekzistojnë gjithashtu rreziqe mjedisore që janë ende për t‘u analizuar. "Për këtë arsye, këshilloj të mos lejohen banorët vendas të rikthehen në shtëpitë e tyre para kohe. I kuptoj banorët, të cilët, kuptohet, mezi presin që të rifillojnë jetën normale. Megjithatë, kthimi tepër herët është si të afrosh rreziqe serioze për njerëz që tashmë kanë vuajtur shumë. U kërkojmë autoriteteve shqiptare që të këshillojnë durim deri sa të jetë përfunduar pastrimi i zonës dhe deri sa të jenë rindërtuar shtëpitë e dëmtuara", tha ambasadori.

Ina Rama

Mbërrijnë në Shqipëri 6 ekspertët e FBI-së

"Do të studiojnë shpërthimin e Gërdecit"

Gjashtë ekspertë të FBI-së kanë mbërritur në Tiranë për të ndihmuar prokurorët shqiptarë në hetimin për shpërthimin e 15 marsit në Gërdec. Gjatë aktivitetit për "Teknikat e hetimit financiar", kryeprokurorja Ina Rama, deklaroi se "në përgjigje të kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme kanë arritur në Shqipëri gjashtë ekspertët e FBI-së, që do të asistojnë në grupin hetimor të ngritur për çështjen ‘Gërdeci‘, për të bërë një hetim më të plotë kriminalistik të vendit të ngjarjes dhe në përcaktimin e shkakut të shpërthimit". Shefja e organit qendror të akuzës mendon se ekspertiza sa më profesionale e këtij momenti do të çojë grupin hetimor në një konkluzion të saktë dhe shkencor në lidhje me rrethanat e kësaj ngjarjeje. "Një ndihmesë e madhe për zbardhjen e kësaj çështjeje mendojmë se do të jenë edhe të dhënat e kërkuara nga organet e drejtësisë së SHBA-ve rreth kompanisë amerikane ‘South Ammunition Company‘, si dhe çdo kërkesë tjetër, e cila mund të rezultojë e nevojshme në vijim të hetimit. Ne shpresojmë se edhe në këtë drejtim do të gjejmë të njëjtën gatishmëri bashkëpunimi nga homologët amerikanë", tha kryeprokurorja. Më pas deklaroi se institucioni që drejton do të ofrojë të njëjtën gatishmëri për t‘ju përgjigjur çdo kërkese të palës amerikane në kuadër të investigimeve që ata kryejnë.

Ekspertët e FBI-së kanë mbërritur në Shqipëri pesë ditë me vonesë, pasi akuza qendrore, me anë të një njoftimi për shtyp, deklaronte se FBI-ja do të zbarkojë ditën e mërkurë, më datë 2 prill. Por gjithçka është bërë zyrtare vetëm pesë ditë më pas, në një takim të kryeprokurores Ina Rama me ambasadorin amerikan Xhon Uidhers. Pas përfundimit të takimit, ekspertët kanë zhvilluar një takim me drejtuesin e hetimeve për dosjen "Gërdeci", Zamir Shtylla, për të marrë direktivat përkatëse. Pas kësaj faze, ata pritet të kryejnë verifikime në kraterin e shpërthimit për të gjetur shkakun e vërtetë të shpërthimit që i mori jetën të paktën 24 personave. Ndërkohë, ish-ushtarakë kanë deklaruar në gazetën "Shqip" se shpërthimi ka ndodhur nga raketat e vendosura në depot e armatimit.

Ndërkohë gjatë seminarit të djeshëm, të organizuar në Prokurorinë e Përgjithshme, Ina Rama, në fjalën e saj, ka përshëndetur ardhjen dhe asistencën që do të ofrojë pranë kësaj njësie edhe prokurorja federale Cynthia Eldridge. Për këtë çështje, ambasadori amerikan John Withers pohoi se ambasada e SHBA-së ka kënaqësinë e veçantë t‘i uroj mirëseardhjen Këshilltares së re Ligjore për antikorrupsionin nga OPDAT, zonja Sindi Eldrixh, e cila do të vendoset pranë Njësisë së Përbashkët Hetimore të Tiranës për Luftën Kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit. "Ajo do të punojë ngushtë me shumë prej jush. Edhe projekti ynë për Sundimin e Ligjit, nga USAID-i, është ndërtuar për të përmirësuar eficencën, efektshmërinë dhe transparencën e sistemit të gjykatave" tha Uidhers. s.çobo

Ndihma e SHBA-së për tragjedinë e Gërdecit

Brenda tri orësh pas shpërthimit, ambasada ofroi ndihmë mjekësore me vlerë 1,000 dollarë për qendrën e traumës së Spitalit Ushtarak, të blera me financimin e USAID-it.

Gjithashtu, USAID-i ka ofruar 50,000 dollarë për artikuj ushqimorë dhe joushqimorë emergjence për familjet e zhvendosura. Kryqi i Kuq Shqiptar do t‘ua dorëzojë këto furnizime të prekurve gjatë dy muajve të ardhshëm.

Ekspertë amerikanë për menaxhimin e krizave, në Korpusin Xhenier të Ushtrisë së SHBA-së dhe Qendrës për Marrëdhënie Civilo-Ushtarake, janë konsultuar ngushtë me Qendrën për Menaxhimin e Krizave të Ministrisë së Mbrojtjes.

Një ekip me 10 anëtarë nga personeli i Ushtrisë së SHBA-së, me përvojë të gjerë në materiale shpërthyese dhe shkatërrimin e tyre, sigurinë mjedisore, materialet e rrezikshme, rindërtimin dhe funeralet, i ofruan ndihmë Ministrisë së Mbrojtjes në vendin e shpërthimit, si dhe ndihmuan bashkërendimin e operacioneve në vend.

Komanda Evropiane dërgoi një ekip vlerësues me ekspertë të specializuar për shkatërrimin e armëve për të vendosur se çfarë ndihme tjetër mund të ofrohet.

Garda Kombëtare e shtetit të Nju-Xhersit ka dërguar tre ekspertë për të vlerësuar nevojat për ndihmë përpara dërgimit të një ekipi specialistësh për rikuperimin nga fatkeqësitë.

Një kontraktor amerikan i financuar nga qeveria e SHBA-së do të arrijë javën e ardhshme për të vlerësuar vendin e shpërthimit përpara se të fillojë puna për pastrimin e materialeve të pashpërthyera në zonën pranë shpërthimit.

Byroja e SHBA-së për Alkoolin, Duhanin dhe Armët e Zjarrit do të dërgojë gjashtë specialistë për bombat për të ndihmuar Prokurorinë e Përgjithshme për hetimin pas shpërthimit në Gërdec. Ky ekip do të ofrojë ndihmë për të përcaktuar origjinën dhe shkakun e shpërthimit.

Punonjës shqiptarë dhe amerikanë të SHBA-së, si dhe familjet e tyre dhanë ndihmesë duke mbledhur rreth 3,000 dollarë për të blerë artikuj ushqimorë dhe higjiene si dhe mjete e materiale të tjera. Ata dhuruan ushqime, veshje, artikuj të kujdesit për fëmijët, lodra, si dhe kohën e tyre për të ndihmuar.

Vazhdojmë të shqyrtojmë me qeverinë shqiptare se çfarë ndihme tjetër mund të nevojitet dhe do të përpiqemi të ofrojmë asistencë sipas kërkesës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›