Berisha, deputetëve: Votoni ndryshimet në ligjin e SHISH
Deklarata
Kryeministri njofton se shumë shpejt do të bëhen ndryshime në ligjin për Policinë Gjyqësore
Shefi i qeverisë i cilësoi dje si tepër të rëndësishme ndryshimet në ligjin e ri për Shërbimin Informativ Kombëtar, duke theksuar se atë bëjnë që Shqipëria të zbatojë praktikat më të mira europiane në këtë drejtim. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Berisha theksoi se risia kryesore në këtë nismë e cila pritet të miratohet së shpejti në Parlament, është e drejta e SHISH për të akuzuar për korrupsion personat publikë. “Cilësore do të thosha unë është vendosja e veprës së korrupsionit për personin publik. Nuk është ky një vendim i imi apo i qeverisë; kjo është një praktikë, të cilën e kanë vendosur në ligj vende të tilla si Polonia dhe vende të tjera”, deklaroi Berisha në fjalën e tij, përpara deputetëve të PD-së. Po kështu, Berisha theksoi se në ligjin e ri sanksionohet në mënyrë të qartë bashkëveprimi i SHISH-it me institucionet e tjera në luftën kundër krimit të organizuar. Por nga ana tjetër, Kryeministri theksoi se risi në këtë nismë është edhe kufizimi i mandatit të kryetarit dhe nënkryetarit të SHISH-it, i cili aktualisht është i pakufizuar. Po kështu Berisha, i cilësoi si të rëndësishme ndryshimet që lidheshin me përfshirjen e Parlamentit në propozimin e drejtorit dhe nëndrejtorit të SHISH. “Në ligj përcaktohet më qartë detyrimi ligjor i bashkëpunimit, por në këtë nen, vetë shërbimi ka sjellë disa propozime, pasi u miratua ligji në qeveri. Unë ju ftoj që ato t’i shqyrtoni, sepse shërbimi ka bërë propozime, gjykoj të dobishme, si në këtë nen, ashtu edhe në ndërhyje në nenin 14, si dhe propozime të tjera”, u shpreh Berisha. Po dje, Kryeministri Sali Berisha njoftoi deputetët për përgatitjen e një ligji për Policinë Gjyqësore. “Edhe ky ligj synon një reformim të mëtejshëm, të veprimtarisë të Policisë Gjyqësore, vendosjes në baza ligjore të reja të disa aspekteve të kësaj veprimtarie. Natyrisht, Kushtetuta e vendit, drejtimin e hetimit ia ka dhënë prokurorit. Ky është varianti që ekziston në Shqipëri, besoj se duhet të ekzistojë edhe në vende të tjera, disa vende të tjera e kanë vetëm policia. Ne do t’u përmbahemi plotësisht prerogativave kushtetuese, një memorandum është firmosur më përpara midis Prokurores së Përgjithshme dhe Ministrisë së Brendshme”, premtoi Berisha. Memorandumi, shtoi ai, gjykoj se përbën një bazë solide për t’u amenduar ligji mbi frymën dhe parimet e vendosura në këtë memorandum, duke pasur parasysh se Kushtetuta e vendit, hetimin ia njeh si detyrë prokurorit dhe Prokurorisë së Përgjithshme, si udhëheqje. “Pra këto janë disa nga ligjet e rëndësishme, ligje të tjera shumë të rëndësishme janë në përgatitje e sipër. Reforma e inspektorateve, reformat e investimeve në fushën e investimeve të huaja, reforma e shëndetësisë, pra është një proces do të thosha i pandalshëm, perpetum mobile”, tha Kryeministri.
#