Berisha deputetëve të PD: Ulni tonet, më korrektë me opozitën
Kryeministri Sali Berisha u kërkon deputetëve të Partisë Demokratike të ulin tonet dhe të tregohen korrektë dhe më etik me opozitën. Kreu i maxhorancës, në mbledhjen me dyer të mbyllura në Grupin Parlamentar të PD-së, ka kërkuar nga ana e deputetëve të PD-së që të jenë më pak pasionantë në fjalimet e tyre në Kuvendin e Shqipërisë. Sipas deputetëve të PD-së, kërkesa e Kryeministrit lidhet me debatet e muajve të fundit në Kuvend, të cilat kanë pasur në qendër të tyre vetëm çështjen e hapjes ose jo të kutive, si dhe akuza të ndërsjellta. Kreu i Qeverisë ka kërkuar evitimin e akuzave dhe përsëriti nevojën për një marrëdhënie më korrekte me opozitën. Berisha kërkoi një nivel më të lartë debati. Përballë medias, kreu i Qeverisë foli për ekonominë shqiptare e në veçanti ai i cilësoi si të papranueshme akuzat e opozitës për krizë ekonomike. “Ata, të cilëve nuk u del ndonjëherë kriza nga koka dhe që flasin nga mëngjesi deri në darkë për krizë shqiptare, në qoftë se do t’u referoheshin fakteve të institucioneve ndërkombëtare, ekspertëve më të mirë dhe jo sharlatanëve, do të ndjeheshin të turpëruar me sulmet e paskrupullta dhe të paprincipta që bëjnë çdo ditë ndaj ekonomisë shqiptare”, tha Berisha. Ai shtoi se falë ligjit për heqjen e makinave të zyrtarëve, i cili bën të mundur kursimin e mëse 30 milionë dollarëve në tij, janë kursyer para që do të shërbejnë për rritjen e pagave dhe pensioneve. “Reforma që bëmë për transportin e zyrtarëve, e shkëputi Shqipërinë nga një praktikë e nomenklaturës dhe me ato kursime u bë e mundur që këtë vit të rrisim rrogat dhe pensionet, për rreth 820 mijë qytetarë shqiptarë”, tha Kryeministri. Në lidhje me akuzat e opozitës për krizë ekonomike, Berisha tha për opozitën se “ndodhen në një stad të largët e primitiv, nuk kanë arritur në stadin e pendesës, por kanë mbetur në stadin e turpit, i cili është një stad shumë i hershëm në evolucionin e qenieve njerëzore. Tani del krimi ekonomik dhe krimi elektoral. E keni vënë re binomizimin, se si i bëjnë binom? Ku është krimi elektoral?” Ai lëshoi akuza ndaj ish- guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani, duke e cilësuar sharlatan pasi, sipas tij, ka lëshuar sulme ndaj bankave private, veçanërisht ndaj atyre greke.