E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Berisha vlerësoi Aneta Ramën”



Fatos Mahmutaj

Gjykata e Lartë rrëzoi dje pretendimet e Aneta Ramës, nënës së kryesocialistit Edi Rama, për të thirrur në këtë seancë një prokuror, në procesin që ajo ka hapur kundër Kryeministrit të vendit, Sali Berisha, për shpifje. Avokatët e Ramës, Arjan Salati dhe Eno Bushi kërkuan praninë e prokurorit në seancë, kurse avokatja Erinda Ballanca, mbrojtëse e Kryeministrit Sali Berisha pohoi se këtë e linte në çmim të gjykatës. Gjykata argumentoi se rrëzonte kërkesën e palës së dëmtuar-akuzuese, pasi kemi të bëjmë me një rast specifik. Gjykata pohoi se kërkesa për praninë e prokurorit në këtë gjyq duhet të bëhet në një fazë të mëvonshme dhe do të jetë në vijimësi të procedurave. Po kështu në të njëjtin moment, Gjykata e Lartë shpalli moskompetencën për padinë civile të Aneta Ramës kundër Kryeministrit, duke pohuar se ky institucion gjykon në juridiksionin fillestar vetëm çështje penale të personave me imunitet. Avokatët e Ramës pohuan se të dyja paditë ishin të lidhura dhe se duhet të gjykoheshin bashkë, por Gjykata e Lartë me vendim të ndërmjetëm shpalli si kompetente për këtë padi Gjykatën e Tiranës, ku do të transferojë dosjen. Pretendimi i mbrojtësve të Ramës u kundërshtua nga avokatja e Kryeministrit, e cila pohoi në gjyq se dëmshpërblimi, sipas ligjit, mund të kërkohej vetëm pas një dëmi material të shkaktuar nga i padituri. Pas kësaj, avokatët e nënës së kryesocialistit paraqitën në gjykatë parashtrimet hyrëse të procesit. Ata pohuan gjatë fjalës së tyre se përballë trupit gjykues ndodhej një nënë, bashkëshorte dhe qytetare shqiptare, që kërkonte nga togat e zeza jo shpagim, por drejtësi. Më tej avokatët pohuan se me fjalën e tij, Kryeministri Berisha ka shpifur ndaj Aneta Ramës duke synuar të ulë dinjitetin e saj si nënë para syve të mbarë opinionit publik, sepse sipas Berishës megjithëse e ndërgjegjshme për sëmundjen e birit të saj, ajo nuk paska pasur as kurajën dhe as sinqeritetin që t’ua bëjë atë të ditur shqiptarëve, megjithë përgjegjësinë që ka ndaj tyre si qytetare dhe si nënë shqiptare. Më tej, mbrojtësit e Ramës pohuan se Berisha përhap shpifje duke synuar të zhvleftësojë para opinionit publik personalitetin e klientes së tyre, të krijuar gjatë tërë jetës me punë të ndershme dhe marrëdhënie gjithnjë korrekte me shoqërinë. Ndërkohë, avokatja mbrojtëse e Kryeministrit pohoi se padia ndaj numrit një të Qeverisë nuk ishte mbështetur në prova dhe ligj. “Akuza e shpifjes duhet të provohet prej palës kërkuese, të dëmtuarit akuzues i duhet që të provojë se thëniet e Kryeministrit s’janë të vërteta. Populli, (votuesit.red) u kanë besuar deputetëve për sinqeritetin”, pohoi avokatja Ballanca. Më tej ajo tha se Kryeministri nuk ka pasur aspak si qëllim të shpifë për të denigruar paditësen, pasi ai gjatë fjalës së vet ka përmendur faktin se ka respekt për zonjën Aneta Rama, e cila është e dëmtuara akuzuese në këtë proces. Duke argumentuar fjalët e Kryeministrit se Aneta Rama ka kuruar të birin 10 vjet për sëmundjen e skizofrenisë, avokatja Ballanca pohoi se nuk është fatkeqësi dhe nuk është e diskriminuar një nënë që ka një njeri të sëmurë të tillë në familje. “Përkundrazi, Kryeministri gjatë fjalës së vet e vlerësoi përkushtimin e kësaj nëne”, shtoi avokatja e Kryeministrit, duke përfunduar se në këtë proces gjyqësor nuk ka vepër penale dhe akuza nuk është plotësuar ende nga pala paditëse. Po kështu, ajo shtoi se deklarata e Kryeministrit ka qenë politike dhe është bërë nga foltorja e Parlamentit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›