Hasmëria, dorëhiqet kryekomunari
MIRDITE/ ROLAND NIKOLLI
Pas dy vjet ngujimi nga frika e gjakmarrjes, kreu i komunës Selitë në Mirditë ka dhënë dorëheqjen. Sipas burimeve, Nikolin Lleshaj e paraqiti dorëheqjen e tij me shkrim në këshillin e komunës, duke argumentuar edhe shkakun e këtij vendimi të detyruar për të. Që nga muaji gusht i viti 2008, Lleshaj nga fshati Merkurth ndodhej i ngujuar, duke e drejtuar komunën me anë të telefonit, pasi vëllai i tij kreu një vrasje. Kërkesa e tij për t'u mbrojtur nga ana e shtetit, madje thirrja për ndihmë edhe tek ambasadat e huaja, nuk gjeti mbështetje. Frika e gjakmarrjes nga "hasmi" e ka detyruar Lleshaj të largohet nga Shqipëria. Këtë fakt e pohojnë të afërm të tij, por për arsye sigurie, ata nuk japin të dhëna për shtetin ku ndodhet kreu i sapodorëhequr i komunës. Burime nga komuna bënë të ditur se kreu i saj gjatë gjithë kësaj kohe kishte drejtuar me anë të telefonit, duke mos pasur kontakte të drejtpërdrejta me administratën. Madje gjashtë muaj më parë, ai kishte deleguar një pjesëtar të administratës për firmosjen e çekut të pagave të punonjësve të tij. Në dorëheqjen e paraqitur një javë më parë në këshillin e komunës së Selitës, ai shprehej se "duke filluar që nga muaj mars 2010, unë Nikolin Lleshaj nuk do jem më kryetar i komunës Selitë". Sipas burimeve ne komunë, ai argumentonte shkaqet personale të tij, të cilat kanë të bëjnë me problemet e gjakmarrjes, si motiv i këtij vendimi. Tre muaj më parë, këshilli i komunës Selitë, i preu pagesën kryekomunarit Nikolin Lleshaj për mosparaqitje në detyrë. Kështu, fondi për marrjen e pagës nuk do t'i kalohet nga dega e thesarit në Rrëshen. Në këto kushte, komuna Selitë po drejtohet nga nënkryetari i saj. Ndërsa pas tre muajsh, në bazë të Kushtetutës në këtë komunë duhet të votohet për kryetarin e ri. Ligji parashikon zgjedhjen e kryetarit të ri të një komune, në rastet kur ai nuk paraqitet në punë për një periudhë të gjatë, apo në kushtet kur ai jep dorëheqjen. Nikolin Lleshaj, u zgjodh për herë të dytë kryetar i komunës Selitë, me 78 për qind të votave në zgjedhjet e 2007-ës, pasi kandidoi nën siglën e Partisë Demokratike. Komuna e Selitës është një zonë e thellë malore, më shumë se 1 orë larg nga qyteti i Rrëshenit. Qendra e saj është Kurbneshi, dikur një qytet me më shumë se 7 mijë banorë, shumica e të cilëve punonin në minierën aty pranë. Por sot në këtë qytet kanë mbetur qindra shtëpi të braktisura.