Rama: Protesta për të larguar qeverinë e ndalur rrënimin ekonomik
Kryesocialisti Edi Rama u bëri thirrje dje qytetarëve të dalin në sheshe, për të shprehur revoltën e tyre ndaj gjendjes së vështirë ekonomike. “Protesta për të zbardhur krimin elektoral dhe për të ndalur rrënimin ekonomik”, tha Rama në thirrjen e tij dje nga selia rozë. “Protestat në çdo qytet, në çdo fshat do të vazhdojnë dhe do të përshkallëzohen, për të kulmuar më 30 prill e më tej. Protesta dhe vetëm protesta për të zbardhur krimin elektoral, për të ndalur rrënimin ekonomik dhe për të larguar një Qeveri, e cila pikërisht se është e lidhur me atë krim që fshihet në kutitë e votimit e ka të pamundur të zgjidhë edhe krizat që pasojnë prej atij krimi dhe që kulmojnë me çka ndodh përditë në ekonominë e familjeve shqiptare” tha Rama. Sipas kreut socialist, shqiptarët duhet të protestojnë dhe për gjendjen e rëndë ekonomike. “Gjendja e vështirë ekonomike nis nga shtrenjtimi i ujit dhe energjisë elektrike e deri në nevojat më elementare të jetesës” tha Rama në fjalën e tij. “Për qytetarët e Tiranës, fatura mujore e ujit ka arritur vlerat 30 mijë lekë të vjetra, jashtë çdo mundësie logjike për t’u përballuar nga shumica dërrmuese e familjeve të kryeqytetit. Energjia elektrike raportohet nga Qeveria të jetë shtrenjtuar 8-9% në tre muajt e fundit”, tha Rama. Socialistët nuk do të ndalen në protestën e tyre të madhe, që nis më 30 prill në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, theksoi Edi Rama, duke paralajmëruar një proteste maratonë në fund të këtij muaji.