E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi internetin, shkollën, bibliotekat dhe arkivat tona

Ndriçim Kulla

Rrjeti duhet të trajtohet si një sistem biologjik. Nëse 10 vjet më parë një koncept i tillë shihej me dyshim e nënqeshje, sot ky fakt është pohuar dhe siguruar nga studiuesit më të mirë të këtij argumenti. Madje edhe në analizat më të fundit e rigorozisht teknike të topologjisë së rrjetit thuhet se “ai nuk mund të përkufizohet ndryshe, përveçse si një ekosistem”. Ndaj, të flasësh për “kultivimin” e internetit nuk është aspak një provokacion apo një mënyrë thënieje. E kjo për faktin se “shoqëria në rrjet” ngjan më tepër me atë agrokulturore se sa me “linearitetin” dhe homogjenitetin e epokës industriale. Edhe ky pohim është konfirmuar nga shumica prej autorëve më të njohur të kësaj fushe. Në këtë kuptim, interneti “është një ambient organik, të cilin duhet të dimë si ta kultivojmë”. E të gjitha këto nuk janë vetëm konsiderata të rëndësishme filozofike dhe kulturore. Ato kanë një rëndësi të spikatur praktike. Zhvillimi i rrjetit nuk është i tipit “linear” apo dixhital, ai rritet si një bimë. Kësisoj, zhvillimi i tij fizik është më tepër problem politikash se problem financiar, ai kërkon më tepër kulturë njerëzore sesa njohje teknike, më shumë kompetencë dhe “mirëkuptim” në komunikim sesa në elektronikë, vizion më shumë sesa njohuri në informatikë.
Në Shqipërinë e këtyre viteve, nga pikëpamja e infrastrukturës teknike të rrjetit janë bërë hapa gjigante. Tashmë shkollat dhe universitet janë të lidhura që të gjitha me internet, edhe pse një domosdoshmëri për të qëndruar me hapin e kohës është lidhja, të paktën për universitetet, e brezit të gjerë. Mirëpo, si i janë përgjigjur këtij hopi cilësor faktorët ose strukturat kulturë-formuese kryesore në Shqipëri? Tema është e gjerë, por le ta nisim me strukturën kryesore që mund të formojë produkt dhe bazë për kulturën tonë në internet: shkollat, bibliotekat dhe arkivat. Si i janë përgjigjur ato sfidës së rrjetit? A e kanë parë ndonjëherë në vizionin e kultivimit të tij të vazhdueshëm? A e kanë konsideruar si një bimë, që kërkon durim e përkujdesje për t’u rritur? Pse vallë të gjitha këto probleme të rëndësishme vizioni nuk janë pronë as edhe debatit më të vogël të shoqërisë sonë, duke e lënë kështu pemën e internetit dhe “rrjetit organik” ende të pambjellë, e jo më të zhvilluar.
Që më 4 prill të vitit 2001, pas një pune të gjatë midis ekspertëve janë formuluar të ashtuquajturat “10 Parimet e Lundit” (vendi i takimit në Suedi)” mbi cilësinë dhe përdorshmërinë e web-ve kulturorë, ku përfshihen të gjitha kriteret bazë për të gjitha agjentet e arsimit dhe kulturës (shkolla, biblioteka, muze, arkiva, institute kërkimore-shkencore etj.), që lipset të jenë domosdoshmërish të pranishëm në rrjet. Ka vite të tëra, që çdo institucion publik e privat i Evropës, qoftë edhe Lindore apo Ballkanike, kërkon të jetë në rrjet, sipas këtyre kritereve dhe parimeve. Aq më tepër që themelorja është që këto kritere janë në vetvete edhe udhërrëfyese të zhvillimit dhe integrimit kulturor të çdo vendi drejt integrimit evropian, duke i dhënë më shumë rëndësi identitetit të tij kulturor, historik, etnografik e kështu me radhë. Por, si një nga produktet më të parë që duhet të ndërtonte çdo vend ishte web-i pedagogjik dhe kulturor i shkollave dhe bibliotekave (me produkt dixhital ose të ndonjë lloji tjetër) në rrjet, në mënyrë që ai të shërbente si bazë për shumë sektorë të tjerë dhe për një zhvillim të mëtejshëm shërbimesh të qendërzuara tek përdoruesi. Natyrisht që shërbimet “online” në Shqipëri tani për tani nuk janë të afrueshëm, në cilësinë dhe përdorshmërinë e standardeve të 18 shërbimeve bazë të përcaktuara nga BE, (edhe pse shpesh spekulohet me termin online, por që në fakt nuk ka të bëjë fare me një term standard shërbimi online), ndaj kjo nuk mund t’u kërkohej as shkollave, as bibliotekave, as arkivave dhe muzeve, pavarësisht se ato duhej të ishin bërë pararojë e saj, pasi të paktën edhe për një shërbim të thjeshtë, do ishte vendi më i posaçëm për të eksperimentuar. Vizioni i tyre më embrional do të ishin web-et kulturorë, arsimore dhe shkencore, model dhe shumë të pasur në të dhëna dhe metadata për çdo libër, katalog apo strukturë, bazuar në parimet, kriteret e vlerësimit dhe testimit, që shoqërojnë 10 “Parimet e Lundit”. Kështu, në radhë të parë ai do të qe një produkt shumë i mirë për edukimin dhe mësimdhënien në shkollat tona, ku interneti përdoret për shumë gjëra të tjera, përveçse për edukimin me produkt pedagogjik.
Së dyti, do të ishte produkt shumë i mirë për turizmin kulturor. Së treti, do t’u shërbente sektorëve shkencorë dhe atyre studentorë për studime të mëtejshme, duke kaluar kështu një problem të madh social, atë të hendekut dixhital midis atyre që janë në rrjet dhe atyre që s’i kanë mundësi të tilla. E tek e fundit, për një përfaqësim dinjitoz të kulturës dhe identitetit tonë në rrjet. E ku më mirë se sa në internet mund të arrihet një gjë e tillë. Për sa i përket kësaj arritjeje, pra krijimit të web-ve kulturore e arsimore, projekte të tëra 5-vjeçare, që nga viti 2001, në fillim me “Kartën e Parmës”, pastaj me “Minervan”, që vijoi me “Minerva Plus”, prodhuan dokumente e manualë bestseller, në të gjitha vendet e Evropës, brenda ose jashtë Komunitetit Evropian, për mënyrën e implementimit të një biblioteke dixhitale, për praktikat dhe shembujt më të mirë, për mënyrën e reduktimit të kostove, etj. Shumë vende përfituan edhe nga projekte konkretë ndihmës në skanimin dhe dixhitalizimin e materialeve të bibliotekave të tyre. E gjitha kjo tregon se ky problem së pari është çështje vizioni, jo vetëm çështje parash, pasi ka shumë qendra e firma të njohura botërore, që në Shqipëri kanë ofruar ndihmë edhe për infrastrukturën e internetit, kurse produktet e tij lihen dhe anashkalohen. Ku jemi pas 10 vitesh, kur në Evropë janë arritur të hidhen e të skanohen (jo më në format pdf), por të afrueshëm në format dixhital, me miliona libra në rrjet? Pse e kemi nisur me kaq vonesë këtë proces? S’e kemi kuptuar në kohë apo s’e kemi vlerësuar me vizionin që kërkon? Ka libra të tërë për Shqipërinë dhe shqiptarët, pra për historinë dhe albanologjinë, që ne i gjejmë të skanuara dhe gratis në rrjet nga kolosë të tillë si “Google e Microsoft”. Ndërkohë që në web-in kulturor të bibliotekave dhe arkivave tona kombëtare në përgjithësi s’ekzistojnë, jo më me 10 kriteret ndërkombëtare, por as në nivelin e institucioneve tona publike. Në një kohë kur ai duhet të ishte maja e diamantit për paraqitjen dhe përhapjen e vlerave shqiptare në rrjet. Mos ndoshta nuk ka të ardhura? Sigurisht që edhe kjo është arsye, por në kushtet e një politike prioritare duhej të ishte menduar edhe për këtë investim. Tregu i krijimit të web-ve në Shqipëri tashmë është zhvilluar dhe s’është dhe aq i shtrenjtë. Në një kohë kur ideja e projektit internet në çdo shkollë pati një fillim dhe vazhdimësi të mirë, por shpërndarja ende si dikur i produktit pedagogjik, tregon prapambetjen e këtij vizioni në arsim, i cili duhej të ishe rinovuar me ëeb, sepse ëeb-et janë më të kapshëm, por edhe shumë më të lirë. Në internet gjithçka duhet e kapshme, e realizuar në mënyrë të thjeshtë për t’u kapur e përpunuar. Gjithkça do të qe e kapshme për gjithkënd, mësues, nxënës, studiues, madje dhe disabël, etj., dhe jo siç është sot, vetëm për ata që e gjejnë CD-në, apo për ata që duan t’ua japin atë. Sot sociologë e filozofë thonë prej vitesh që edhe shoqëria ka arritur të ngrihet në rrjet, jo më institucionet e saj. Sot, për të perifrazuar Adam Smithin dhe “Pasurinë e tij të kombeve”, një rrymë e tërë filozofike thotë se çdo komb tashmë duhet të zotërojë “pasurinë e tij të rrjeteve” (pikënisur nga bestselleri i Yokai Benkler “Pasuria e rrjeteve”). Ja përse është urgjente të ndryshojë njëherë e përgjithmonë ky vizion. Mjedisi informatik shqiptar thërret me forcë për paaftësinë e thithjes së kapaciteteve të tij nga ana e disa institucioneve. Dhe institucionet tona përgjegjëse nuk ka pse të zvarriten më, pasi në epoka të tilla gjërat ndryshojnë shumë shpejt dhe kjo zvarritje kthehet në dënim. Prandaj pema e moçme dhe e fortë e kulturës sonë, që u ka rezistuar shekujve, duhet t’i rezistojë edhe sfidës së botës së sotme dixhitale. Le ta mbjellim, rrisim dhe kultivojmë atë, ashtu siç i ka hije arsimimit dhe kulturës sonë kombëtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›