E Diel, 1 Nëntor 2026

Që letërsia të mos hiqet nga shkollat e mesme

Dhurata Shehri*

Në shkollën e mesme shqiptare lexohet shumë pak letërsi e aq më pak studiohet. Do të duhej që shkolla e mesme shqiptare t’u mësonte nxënësve nëpërmjet leximit të letërsisë vetë letërsinë e ndoshta edhe mënyrën e të shkruarit të saj, por praktikisht ajo ka hequr dorë prej aftësimit të nxënësve për ta bërë një gjë të tillë. Dhe këtë e ka bërë fare thjesht: duke zhdukur letërsinë nga programet shkollore. Praktikisht në këto programe letërsia si art është zëvendësuar me të lexuarit si aftësi. Në programin e kurrikulës së re që përsëritet pandryshueshëm në klasën 10, 11 dhe 12 të shkollës, ende nuk është i qartë dallimi thelbësor mes leximit të letërsisë dhe letërsisë, çka duket që në formulimet e synimeve të përgjithshme të tij ku shkruhet se: E konceptuar si një lëndë e integruar ajo do të studiojë artin e të lexuarit, të shkruarit, të folurit, të dëgjuarit, të vështruarit (Programi mësimor për gjimnazin, Lënda gjuhë shqipe dhe letërsi, klasa 10, f. 2, Tiranë 2009) – pra, jo letërsinë si art, por leximin si aftësi. Që letërsia dhe arti nuk janë objektiv i këtij programi kjo duket edhe në këtë shënim “justifikues” që shoqëron programin e klasës së 11 ku dy vepra të Kadaresë jepen në dy programet e klasës së 10-të dhe 11-të, si ilustrimi i objektivit për të treguar sesi teksti pasqyron marrëdhënie të ndryshme historiko-shoqërore të një periudhe të caktuar në dy vepra të Ismail Kadaresë p.sh. Kronikë në gur (10) Kështjella (11)… flitet për dy periudha të ndryshme…
Autorët e programit me sa duket nuk e dinë se ka mëse një shekull që studimet e letërsisë në rang botëror e kanë konstatuar se letërsia nuk është pasqyrim i realitetit dhe se funksioni estetik është primari për të. Mendësia jashtëletrare në hartimin e programit është jo vetëm e shprehur cilësisht, por edhe në mënyrë sasiore: shkurt, në një vit, nxënësi shqiptar në shkollën e mesme lexon vetëm 6 fragmente nga letërsia shqipe dhe 3 fragmente nga letërsia botërore, dhe vetëm tri vepra: 2 nga letërsia shqipe dhe një nga letërsia botërore. Në total 100 faqe nga fragmentet dhe maksimalisht 9 libra gjatë gjithë shkollës së mesme, të cilët duhet të zgjidhen nga një grumbull librash. Mendësia jashtëletrare triumfon edhe në përzgjedhjen e tyre. Mjafton të qëmtosh që për të krijuar “identitetin kulturor” shqiptar merren vepra të tilla si Historia e Skënderbeut (Barleti) dhe “Bardha e Temalit” (P. Vasa), të cilat nuk janë shkruar as shqip; krejt Klasicizmi përfaqësohet me Mizantropin; Romantizmi evropian me çajd Haroldin, një vepër krejt jopërfaqësuese në krijimtarinë e Bajronit apo të Romantizmit; në nënndarjen e poezisë ofrohet një roman në vargje; përfaqësuesi më bashkëkohor i poezisë botërore është Bodleri, i cili i përket shekullit të 19 dhe Poradeci paraqitet me një vepër, që kurrë nuk e ka shkruar: Lirika. Veprat e mëdha e të pakapërcyeshme të letërsisë shqiptare e botërore si Ferri, Fausti, Në kërkim të kohës së humbur, Uliksi, Andra e jetës, Oh – për ta mbyllur vargun me një pasthirrmë, shkëlqejnë me mospraninë e tyre. Po ashtu e pakuptimtë dhe anakronike na duket edhe lista e autorëve nga të cilat mund të shkëputeshin edhe ato pak fragmente. Nuk kuptohet pse në këtë listë në vend të tyre figurojnë autorë që nuk bëhen as në tekstet e letërsive kombëtare të tyre si Kronin, Salminen, Verkors etj. Programi i titulluar “Gjuha shqipe dhe letërsia” mund të emërtohej fare mirë si lexim e gjuhë e aplikuar, sepse ai përmbushte standardet e një programi për një lëndë gjuhe të aplikuar me prirje komunikimi. Veprat, gjinitë, rrymat, autorët a periudhat letrare hamendësohet se do të njihen, studiohen, përvetësohen, analizohen, vlerësohen, kritikohen vetëm përmes 1-2 librash në vit. Nga tre të detyrueshëm për t’u lexuar në vit nga nxënësi, jo të gjithë duhet të jenë letrarë dhe duhen zgjedhur nga lista e sapo cituar. Problemi bëhet edhe më i rëndë kur mendon se kultura shqipe, si në përgjithësi të gjitha kulturat e vogla, është një kulturë me bazë shkrimin, letërsinë. Ajo nuk ka pasur e as nuk do të mund të ketë dominante as kinemanë, as muzikën, as pikturën e as teatrin. Duke goditur letërsinë, ai i heq pikërisht gurin e themelit formimit kulturor identitar të nxënësve. Autorët e kanë justifikuar këtë eksperiment, me nevojën e shmangies së studimit të letërsisë si histori autorësh. Metoda e studimit të letërsisë sipas autorëve është e gabuar, por natyrisht, ky gabim nuk mund të korrigjohet, duke zhdukur vetë letërsinë. Por, a mund të studiohet letërsia në një formë tjetër, më moderne. Natyrisht që po. Studimi nga pikëpamja e formave, e gjinive është për shembull një mundësi e tillë. Përveçse një këndvështrim ndryshe, kjo lloj prerjeje do të bënte një klasifikim në bazë kriteresh strikte letrare, do të qe evoluim formash (jo përmbajtjesh).
Letërsia shqipe ka qenë gati ishullore deri në periudhën e Rilindjes, pra në pjesën më të madhe të historisë së saj. Për këtë arsye, ndoshta gjinitë dhe evoluimi i tyre do të qenë një urë lidhëse midis ishujve letrarë, por edhe mes qarqeve letrare, po t’i përmbaheshim teorisë së çabejt. Do të lidheshin përmes gjinisë autorë që u përkasin ndjesive, formimeve, periudhave, shkollave, drejtimeve dhe shijeve të ndryshme. Shkrimtarë që, ndonëse krijuan pak a shumë në të njëjtën periudhë, jetuan e u formuan në atmosfera krejt të ndryshme. Në këtë pikë, për shembull, De Rada dhe Naim Frashëri do të kishin të përbashkët edhe përpjekjet për të shkruar poemën epike kombëtare, por edhe poemat lirike si “Milosao” dhe “Bukuria” . “Kufijtë gjinorë janë bërë për t’u kapërcyer”, - thotë Croce. Kapërcimi i këtyre kufijve nga një periudhë a brez mund të qe një tjetër kriter për të klasifikuar letërsinë në një histori letërsie. Poezia, ishte gjinia dominante gjatë Rilindjes, por u kapërcye si dominancë nga letërsia pasardhëse. Rast i mirë për shembull do të ishte ai i Koliqit dhe Migjenit. Të dy u prirën të kapërcejnë hegjemoninë e poezisë dhe në këtë pikë janë shumë të ngjashëm mes tyre. Por ajo që i ndan është përsëri gjinia. Migjeni, në vrull e sipër të kapërcimit të kulturës së vargjeve të matura krijon vargun e lirë, ndërsa Koliqi prozën poetike. Nga pikëpamja gjinore, këta dy krijues kapërcyes të kufirit gjinor, do të lidheshin me autorë të ndryshëm paraardhës, Migjeni me Asdrenin dhe Koliqi me Konicën e Mithat Frashërin. Në bazë të këtij klasifikimi gjinor, ajo që jemi mësuar ta quajmë letërsia e pavarësisë, vërtetë mund të na dalë e pavarur, po pavarësia e saj është formale, gjinore. Proza pavarësohet nga poezia, poezia humb dominancën e ndoshta nuk është e rastit që në periudhën që jemi mësuar të quajmë të pavarësisë letërsia shqipe për herë të parë shpërfaq të gjitha format e gjinitë letrare, pra pavarësohet. Një prerje gjinore do të qe frytdhënëse në historinë e letërsisë shqipe edhe për të zgjidhur ato që në letërsinë tonë janë konsideruar anomali apo anakroni. Ndër më të përfolurat janë shfaqja e epit “Lahuta e Malcis” e Gjergj Fishtës në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë dhe e dramave e tragjedive klasike e neoklasike të Ethem Haxhiademit, pak a shumë në të njëjtën periudhë. Prani të tilla, po të analizohen në këndvështrimin e gjinive, duken mëse të natyrshme, janë format bosh të epikës dhe të tragjedisë e dramës klasike, që mungojnë në kuadratet përkatëse në letërsinë shqipe, janë forma që kërkojnë të mbushen dhe kanë pritur me Fishtën dhe Haxhiademin deri në fillimet e shekullit të njëzetë. Pak më lart e përmendëm që kapërcimi i kufijve gjinorë mund të jetë edhe ai vetë një kriter klasifikimi për një histori letërsie, madje mund të na jepte dorë një prerje e tillë edhe për të analizuar praninë apo mungesën e fenomenit të avangardës në zhvillimet e një letërsie. Ndoshta në këtë pikë do të ndjeheshin shumë të afërta dy lëvizje relativisht larg në kohë si ajo e grupit të “Illyrisë” dhe ajo e grupit të “Vox clamantis in deserto”. Një prerje gjinore do të na i bënte të afërt autorë në dukje shumë të largët për nga kronologjia. p.sh.: Faik Konica, Mithat Frashëri, Ernest Koliqi, Martin Camaj dhe Mihal Hanxhari i bashkon shkrimi i prozave poetike. Duke kërkuar letrarësinë nëpër format letrare në prozë, poezi e dramë, siç u rrekëm pak më lart, na shfaqet qartas dallimi thelbësor mes gjuhës së letërsisë dhe gjuhës së përditshme. Nëse do të mbështetemi në parimin semiotik se të futësh FIGURëN në diskurs, do të thotë të heqësh dorë nga ajo tejdukshmëri e shenjës që është cilësi e arbitraritetit të saj, pra në pamotivimin e të shënjuarit dhe shënjuesit, atëherë dallimi mes gjuhës së përditshme dhe asaj me funksion estetik është i rëndë e i pakapërcyeshëm dhe e tillë duhet të jetë edhe ndarja e këtyre dy disiplinave në programin e gjimnazit shqiptar, duke e bërë letërsinë nga një lëndë me zgjedhje në një lëndë të detyruar dhe bazë për formimin e identitetit kulturor e shijes. Për ta bërë këtë, ndoshta ka ardhur koha që ideja e konkurrimit të teksteve të shtyhet edhe në atë të programeve. Universitetet dhe qendrat shkencore të vendit dhe në të gjitha hapësirat shqipfolëse mund të bëhen hartues të tyre, pasi MASH e Instituti i Zhvillimit të Arsimit të ketë përpunuar mirë standardet e politikat arsimore.

*Shefe e Departamentit të Letërsisë në Universitetin e Tiranës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›