Berisha dhe Berlusconi lançojnë partneritetin Shqipëri-Itali
Partneritet strategjik midis Shqipërisë dhe Italisë, i cili parashikon ngritjen në një stad të ri edhe më të lartë e më të konsoliduar të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe bashkëpunimit shumëdimensional. Kryeministri Berisha priti dje drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme për Evropën në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë, ambasadorin Mario Bova, i cili shoqërohej nga ambasadori italian në Tiranë, Saba D’Elia. Ambasadori Bova i transmetoi Kryeministrit Berisha përshëndetjet më të përzemërta nga Kryeministri Berlusconi dhe të shumë miqve të tjerë të Shqipërisë në qeverinë dhe institucionet italiane. Partneriteti strategjik pritet të lançohet nga dy kryeministrat Berisha dhe Berlusconi në fillim të vitit 2010. Ky do t’i shërbejë forcimit të mëtejshëm të miqësisë dhe lidhjeve të ngushta ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë, si dhe do të zgjerojë dhe thellojë bashkëpunimin dypalësh ekonomik, tregtar, në fushën e turizmit, mbrojtjes së mjedisit, kulturës, në fushën e mbrojtjes etj., në të mirë të progresit, zhvillimit të mëtejshëm ekonomik dhe prosperitetit të të dy vendeve, si dhe do të japë një kontribut shtesë në përshpejtimin e hapave të mëtejshëm të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, partneriteti strategjik merr parasysh angazhimin e të dy vendeve për të intensifikuar kontributin e tyre në të gjitha nismat me karakter rajonal. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për mbështetjen e jashtëzakonshme që Italia u ka dhënë në vazhdimësi përpjekjeve të Shqipërisë për integrim sa më të shpejtë në BE, duke theksuar se vendi fqinj dhe mik, Italia dhe qeveria italiane janë dëshmuar avokatët më të shkëlqyer të aspiratës së shqiptarëve për rikthim të shpejtë në familjen evropiane. Në takim u shpreh edhe një herë interesi i madh i të dy vendeve për projektin e rëndësishëm infrastrukturor të Korridorit 8, i cili do të sillte një kontribut të ri në zhvillimin ekonomik, në rritjen e shkëmbimeve tregtare e të gjithanshme ndërmjet vendeve të rajonit, si dhe do të forconte miqësinë dhe bashkëpunimin ndërmjet popujve të këtyre vendeve.