Në Tiranë hapet Qendra e Informimit të BE-së
Një qendër e posaçme për shqiptarët që t’i ndihmojë të kuptojnë projektin ëndërr të tyre dhe të mundësojë secilin të kontribuojë në procesin e anëtarësimit në BE. Kryeministri Sali Berisha mori pjesë mbrëmë në ceremoninë e përurimit të Qendrës së Informimit të BE-së. Në këtë ceremoni e cila u hap nga drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Evropian, z. Pierre Mirel, merrnin pjesë kryetarja e Kuvendit, Topalli; ministri i Jashtëm Meta; ministrja e Integrimit, Bregu; ambasadori Lohan, përfaqësues të trupit diplomatik, si dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare në Tiranë. Kryeministri Berisha u shpreh se hapja e kësaj qendre është një ngjarje shumë e veçantë dhe e rëndësishme për një vend, populli i të cilit mbështet 96% anëtarësimin e vendit në BE. Duke falënderuar z. Pierre Mirel dhe ambasadorin Lohan për vendimin për hapjen e kësaj qendre, Kryeministri tha se kjo qendër do t’i ndihmojë qytetarët shqiptarë të kuptojnë projektin e tyre ëndërr, anëtarësimin e vendit në BE dhe do t’i mundësojë secilit prej tyre të kontribuojë në këtë proces. Në mënyrë të veçantë, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe ndihmesën ekonomike dhe financiare që Komisioni Evropian i ka dhënë Shqipërisë ndër vite. “Pa këtë ndihmë, pa këtë solidaritet, - theksoi Kryeministri Berisha, - vendimi për miratimin e kërkesës së Shqipërisë si vend anëtar i BE-së do të ishte i pamundur”. Ndërsa, zoti Pierre Mirel, në fjalën e tij u shpreh se me vendimin e datës 16 nëntor për pranimin e kërkesë së Shqipërisë si vend anëtar i BE-së, marrëdhënia e Shqipërisë me BE-në ka hyrë në një fazë krejtësisht të re. “Shqipëria, - vijoi zoti Mirel, - nuk është vendi që ka thjesht një marrëdhënie dypalëshe, por ajo ka hyrë në një proces, qëllimi i të cilit është anëtarësimi në BE”. “Në këtë kontekst, - theksoi zoti Mirel, - kjo qendër do të luajë një rol të rëndësishëm”. Qendra e Informimit, e cila nuk do të kufizohet vetëm në Tiranë, do të ofrojë një sërë shërbimesh falas, duke përfshirë botime të ndryshme, akses në internet, salla leximi etj.