Mirel-Meta: Dialogu zhvillohet në Kuvend, jo në rrugë
Komisioni Evropian i sugjeron opozitës kthimin në Parlament, në institucionin e vetëm ku mund të dialogojë dhe të zhvillojë debatin politik. Në këtë mënyrë Shqipëria do të bëjë hapa konkretë përpara në funksionimin e demokracisë, sundimit të ligjit, sistemin gjyqësor, luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe lirinë e medias, pasi këto janë kritere mbi të cilat do të bazohet opinioni i Komisionit për kërkesën e Shqipërisë për të qenë vend kandidat i Bashkimit Evropian. Këtë qëndrim shprehu dje për mediat drejtori për Ballkanin në KE, Pierre Mirel, pas takimit që pati me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Ilir Meta. Diplomati evropian, Pierre Mirel, u ndal konkretisht edhe te bojkoti i opozitës për të cilën vuri në dukje se debati politik zhvillohet në Parlament dhe jo në rrugë, ndërsa ftoi edhe qeverinë që të gjejë rrugët për rikthimin e minorancës politike në Kuvend. "Kur përmenda më lart që të gjitha forcat duhet të përqendrohen në përgjigjet e pyetësorit, këtu kisha në mendje edhe rolin e Parlamentit. Që ky institucion të ndihmojë ashtu siç po ndodh edhe në Malin e Zi, nevojitet edhe pjesëmarrja e opozitës. Diskutimet në demokraci zhvillohen vetëm brenda Parlamentit dhe jo në rrugë. Në të kundërt kjo situatë do të ndikonte në përgatitjen e opinionit nga Komisioni Evropian. Kështu që duhen gjetur sa më parë rrugët që e çojnë opozitën në Parlament. Unë nxis vazhdimin e dialogut mes qeverisë dhe opozitës për të gjetur zgjidhjen që opozita të kthehet në Parlament", - vijoi Mirel. Por, për ministrin e Jashtëm sugjerimi i z. Mirel për të gjetur rrugën e dialogut me opozitën nuk përkthehet me hapjen e kutive. “Të jeni të sigurt ju që asnjë institucion, të paktën në botën demokratike, nuk kërkon rihapjen e kutive ose nuk parakupton të flitet për dialog pikërisht për këtë gjë, sepse ju e dini shumë mirë që OSBE/ODIHR kanë bërë një raport nëpërmjet të cilit i kanë certifikuar këto zgjedhje si zgjedhjet më të mira të zhvilluara deri më sot në Shqipëri. Së dyti, ky raport është përshëndetur edhe nga SHBA dhe nga BE në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së. Ashtu sikurse edhe ju e dini që ministrat e Jashtëm të BE-së do të vendosnin për kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim pas raportit të zgjedhjeve të OSBE-ODIHR-it që ishte një test për zgjedhjet. Vetëm kërkesën absurde të opozitës për hapjen e kutive nuk e parakupton”, - theksoi z. Meta. Ai vuri në dukje se qeveria ka qenë dhe është e hapur për dialog për të mirëpritur të gjitha kërkesat e arsyeshme, të cilat ndihmojnë jo vetëm për të pasur një dialog të qëndrueshëm në të ardhmen në Parlament, por njëkohësisht edhe të përmirësojmë akoma më tej standardet e demokracisë apo të funksionimit të institucioneve në vendin tonë.