E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha dhe Mediu: Trillimet e "New York Times"

Reagon zëdhënësja e Kryeministrit Berisha për artikullin e botuar në gazetën "New York Times". Kryeministri Berisha, nëpërmjet zëdhënëses, ka bërë me dije se kompania "AEY inc" ka lidhur një kontratë me Komandën e Bashkuar të Municioneve të Ushtrisë Amerikane për të blerë municione për në Afganistan nga Shqipëria dhe vende të tjera. "Më datë 17 prill 2007, kompania ‘AEY inc‘ i ka dhënë plotfuqinë për blerjen dhe transportin e municioneve nga Shqipëria, nga ndërmarrja MEICO, kompanisë EVDIN, me qendër në Larnaka të Qipros", thuhet në komunikatën për shtyp të Kryeministrisë. Duke iu referuar komunikatës, Kryeministri Berisha nuk ka marrë asnjë ankesë nga asnjë qytetar dhe nga asnjë firmë për këtë prokurim. "Kryeministri Berisha dhe djali i tij nuk kanë pasur dhe nuk kanë asnjë implikim në asnjë lloj kontrate të kësaj shitjeje. Djali i Kryeministrit Berisha është takuar muaj më parë me Kosta Trebickën me kërkesën e këtij të fundit. Kosta Trebicka ka pyetur djalin e Kryeministrit nëse ai ishte i përfshirë në caktimin e bashkëpunëtorit shqiptar nga kompania amerikane, siç pretendonte Diveroli. Në këtë takim, djali i Kryeministrit Berisha ka mohuar kategorikisht të ketë dijeni apo lidhje me këtë çështje dhe ka kërkuar ballafaqim me sipërmarrësin amerikan", thotë Juela Meçani, zëdhënëse e kreut të qeverisë, Sali Berisha. Po sipas Meçanit, për sa i përket bisedës telefonike të Efraim Diverolit me Kosta Trebickën, ku pretendohet se në këtë çështje është i implikuar edhe Kryeministri dhe djali i tij, Berisha e konsideron një trillim të mirëfilltë dhe autorizon gazetën "New York Times" dhe cilëndo gazetë tjetër, që të publikojë çdo fakt që mund të provojë lidhjen e Kryeministrit apo të djalit të tij në këtë aferë. Ndërkohë, Kryeministri informon opinionin publik se qeveria shqiptare është e vendosur të vazhdojë luftën me zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe se një hetim i plotë mbi këtë çështje është në vazhdim nga institucionet kompetente shqiptare. Ky hetim do të shqyrtojë të gjitha aspektet e kësaj afere, marrëdhëniet e të gjithë aktorëve të implikuar në këtë çështje, përcaktimin e çdo përgjegjësie eventuale të cilitdo. "Rezultatet e këtij hetimi dhe dosja e plotë do të bëhen publike.

Qeveria shqiptare është e vendosur të bashkëpunojë me të gjitha agjencitë e huaja që janë të angazhuara apo të interesuara në hetimin e kësaj afere", thuhet në komunikatën e Kryeministrisë.

Ish-ministri

"Pa asnjë hezitim, i bëj me dije opinionit publik se në ngjarjen e Gërdecit, nuk kam qenë dhe nuk jam pjesë e asnjë afere, apo veprimi të paligjshëm", u shpreh dje, pas dorëzimit të detyrës si ministër Mbrojtjeje, Fatmir Mediu. Ish-ministri mohoi që për këtë çështje të ketë pasur marrëdhënie private apo institucionale me cilindo nga personat e përfshirë në të, biznesmenë, nëpunës apo përfitues në mënyrë kriminale nga kjo ngjarje. "Nuk do të lejoj askënd të hedhë baltë pa të drejtë mbi dinjitetin tim dhe të familjes sime, pavarësisht se kujt kahu politik i përket. Mirëkuptoj çdo nismë të sinqertë të opinionit publik, të pjesës më të madhe të medias dhe të politikës, për të gjetur dhe evidentuar të vërtetat që lidhen me këtë ngjarje. Por, nuk do të lejoj askënd, kushdo qoftë e me çfarëdolloj statusi që të përpiqet në mënyrë manipuluese e përmes shpifjesh të tregojë personin tim, si shkaktar ligjor në aksidentin e Gërdecit", u shpreh Mediu. Këto deklarata të tij u bënë gjatë ceremonisë së dorëzimit të detyrës, ministrit të ri të Mbrojtjes, Gazmend Oketa, i cili sot bëri betimin para Presidentit të Republikës. Zëvendësimi i kreut republikan Mediu erdhi pas dorëheqjes që ky i fundit i paraqiti Kryeministrit Berisha, për shkak të ngjarjes së 15 marsit.

Shkrimi

NYT publikon trafikun e armëve Shqipëri-Afganistan

Gazeta e përditshme prestigjioze "New York Times" ka publikuar mëngjesin e ditës së enjte shkrimin për aferën shqiptare të municioneve. Në këtë shkrim janë bërë publike të gjitha akuzat e zyrtarëve të lartë në Shqipëri, të implikuar në trafikun e armëve. Shtatë faqe gazete kanë pushtuar të enjten "New York Times", duke vënë në qendër të saj ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediun, Kryeministrin Berisha dhe djalin e tij. Në shkrim, citohet se blerjet ishin një inskenim: Shqipëria i shiste "Evdin"-it municione me çmimin 22 dollarë për 1 mijë plumba, tha ai, dhe "Evdin" ia shiste AEY për më shumë para. Diferenca, ndahej me zyrtarët shqiptarë, përfshirë edhe Pinarin, shefin e agjencisë së eksportit të armëve dhe ministrin e Mbrojtjes të asaj kohe, Fatmir Mediu. Qeveria shqiptare është acaruar nga komentet e Trebickës. Sali Berisha si Kryeministër, Mediu dhe Pinari, të gjithë mohojnë të jenë përfshirë në këtë skenar. Por, Trebicka thotë se, pasi ai kishte ngritur shqetësimet e tij në lidhje me "Evdin"-in në Ministrinë e Mbrojtjes, kompania e tij ishte përjashtuar nga kontrata e ripaketimit të municioneve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›