E Diel, 1 Nëntor 2026

Fishekët, si fshihej origjina

Rezultatet e investigimit të gazetës amerikane "Nju Jork Tajms" ("New York Times"), se fishekët e vjetër të prodhuar në Kinë shiteshin si prodhim hungarez, konfirmohen edhe nga oficerë të ushtrisë shqiptare. Oficerët, të cilët nuk identifikohen, pasi detyra nuk ua lejon komunikimin me median, tregojnë se në fundin e vitit 2005 dhe në fillimin e vitit 2006, në magazinat e municioneve në Fier është bërë fshirja e etiketave kineze të arkave të municionit.

"Municionet ushtarake të reparteve të Fierit u janë drejtuar tregut të armëve pas një ndërhyrjeje në depozitat e tyre për fshehje të gjurmëve të origjinës. Kishim marrë urdhër që në arkat ku municionet depozitoheshin të mos dukej asnjë germë kineze, madje edhe në fashikullin e fishekut ku ka qenë damkosur vula kineze ne duhej të ndërhynim". Kjo është dëshmia e njërit prej ushtarakëve, që kanë udhëhequr operacionin e largimit të të gjitha materialeve ushtarake nga rrethi i Fierit, pas vendimit për shkrirjen e shumë bazave ushtarake në këtë rreth.

Mësohet se në fund të vitit 2005 është marrë vendimi për të shkrirë shumë reparte ushtarake në rrethin e Fierit.

"Disa ditë pas urdhrit të shkrirjes së disa bazave, me anën e një qarkoreje na është sugjeruar trajtimi i municioneve që do të largoheshin nga këto baza. Edhe pse me një pozicion të lartë pranë Divizionit Ushtarak të Fierit, sërish u anashkalova për të marrë informacion zyrtar për trajtimin e sasisë së municioneve. Shefi i divizionit ishte ai që na ka mbledhur jo vetëm ne oficerëve të ushtrisë, por edhe ushtarë e rekrutë të rinj e të vjetër dhe na lajmëroi që duhet të ndërhynim për të larguar çdo shenjë të origjinës nga municionet. Konkretisht, me të gjitha arkat e municioneve të shumëllojshme, ne kemi çngjyrosur të gjitha germat kineze, pasi kjo ishte etapa e parë e parë e përgatitjes", thotë oficeri i ushtrisë me inicialet A.V.

Duke pranuar hapur skandalin që ka përfshirë sot Ministrinë e Mbrojtjes, ai tregon më tej se "qysh në orët e para të mëngjesit, ushtarë dhe oficerë, togerë e kapterë me furça në duar dhe me kova me bojë, lyenin kutitë nga jashtë e nga brenda. Më shumë mëshonin me bojë në pjesën e sipërme të tyre, ku ishin edhe shkronjat kineze. Qëllimi i lyerjeve të kutive ishte pikërisht largimi i gjurmëve të shkronjave kineze, për këtë ishim këshilluar. Dua të theksoj se një operacion i tillë për të gjithë municionet e Fierit ka zgjatur më tepër se 45 ditë. Çdo ushtar i asaj periudhe e mban mend fare mirë një fakt të tillë dhe orientimi që na është dhënë në atë kohë na është servirur si një proces që përbën sekret ushtarak. Vetëm pas plasjes së këtij skandali kuptova që municionet që iknin atëherë me autokolona ushtrie shiteshin në Afganistan e Irak, si prodhime të Evropës Lindore", thotë oficeri A.V.

Ai shton më tej se një ndërhyrje tjetër ndaj municioneve ushtarake që do të largoheshin ka qenë ajo e fshehjes së fashikullit të fishekut. Aty kërkohej puna e specialistëve. Disa fishekë që kishin ardhur në Shqipëri gjatë vitit 1973-1976 kanë pasur të stampuar një numër serie dhe pikërisht ky numër serie duhej të fshihej. Për këtë proces janë angazhuar vetëm oficerët dhe ushtarët që konsideroheshin më të zotët.

Sipas dëshmive të disa ushtarakëve të tjerë në Fier, vetëm gjatë tre viteve të fundit dhe veçanërisht gjatë fundit të vitit 2005 dhe fillimit të vitit 2006 është larguar nga depot e Fierit një sasi shumë e madhe municionesh, që përbëheshin kryesisht nga fishekë 7.62 mm dhe predha të artilerisë së lehtë.

Një detaj ku ushtarakët kërkojnë të përqendrohen është edhe ai i transportimit të municioneve pas largimit të çdo gjurme. Sipas tyre, transportimi është bërë me automjete ushtrie. "Makinat vinin më shumë në orët e para të mëngjesit ose në mbrëmje. Asnjë polici ushtarake nuk ka pasur të drejtën t‘i ndalonte këto makina", tregon një ushtarak tjetër me iniciale F.J.

Transporti i municioneve ushtarake që ka ndodhur në rrethin e Fierit përgjatë dy viteve të fundit ka qenë larg një kontrolli të mirëfilltë të policisë ushtarake. "E drejta ligjore e një polici ushtrie ka qenë ndalimi dhe kontrolli i dokumentacionit për çdo makinë që mbante targën e ushtrisë dhe nga pikat e ngritura prej kësaj strukture të ushtrisë nuk është mbajtur raport asnjëherë për transportin e municioneve, vetëm për faktin se ndodhia që ngjau me një kolegun tonë që la punën shumë shpejt nuk duhej të përsëritej. Na dhanë urdhër të prerë që asnjë makinë ushtrie të mos ndalohej, ndërsa ishte duke transportuar municione", thotë një ish-efektiv i policisë ushtarake.

Reforma

Repartet që u shkrinë

Një numër i madh repartesh ushtarake janë shkrirë gjatë dy viteve të fundit në rrethin e Fierit. Në këtë kohë u shkri edhe divizioni ushtarak në hyrjen lindore të qytetit, baza ushtarake në Mbyet, ku sot ekziston vetëm një repart. Janë shkrirë edhe ish-reparti i tankeve në Mbyet, reparti ushtarak në Seman, reparti në Margëlliç të Patosit etj. Megjithatë, në territorin e rrethit Fier ndodhet sot një nga depozitat më të mëdha me municione në vend, që është depoja e Grizës në Patos. Përpara pak ditësh, kjo depo është inspektuar nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.

Dyshimi

U zhdukën 17 mijë tonë fishekë

Ngarkoheshin

me avionë

në Kuçovë

Në periudhën e largimit të municioneve nga Fieri mësohet se një drejtim ka qenë transporti i tyre drejt Kuçovës. Oficerë të ushtrisë tregojnë se kamionë të shumtë kanë shkuar në aerodromin e Kuçovës, ku dhe janë parë edhe avionë të prodhimit rus, që janë mbushur me municione. Ky version është përfolur në atë kohë në qarqe të ngushta ushtarake në Fier, ndërkohë që zyrtarisht është komunikuar se autokolonat me municione kalonin nëpër rrugën Fier-Berat-Lushnjë, për të shmangur tronditjet në aksin Fier-Lushnjë. Por, ky version hidhet poshtë sot nga ushtarakët, të cilët pohojnë se armatimet largoheshin nga Shqipëria nëpërmjet aeroportit ushtarak të Kuçovës. Ndërkohë, konfirmohet edhe fakti se nga spontimi i sasisë së municioneve që ndodheshin në depo para operacionit të largimit të tyre, me sasinë e municioneve të larguara ka munguar një sasi prej 17 mijë tonësh fishekë. Për këtë, për një periudhë njëjavore janë shoqëruar 4 oficerë ushtrie. Ndalimi i tyre dhe mbajtja në gjendje arresti është konsideruar false, pasi asnjëherë ajo dosje nuk u hap.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›