E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uidhers: Gërdecit t‘i shkohet deri në fund

"Ne të gjithë ndajmë dëshirën tuaj për t‘i shkuar deri në fund këtij incidenti". Ky është vlerësimi i dhënë dje prej ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Xhon L. Uidhers II, për atë çka ndodhi në Gërdec. Uidhers duket të ketë shfrytëzuar takimin e organizuar prej Partisë Socialiste me qëllim lobimin për anëtarësim në NATO, për të dhënë vlerësimet e tij rreth zhvillimeve të fundit në vend. "Faleminderit shumë për fjalët tuja të thella dhe të ndjera. Gjithashtu, do të falënderoja shumë që mblodhët Ambasadorët përfaqësues të NATO-s sot këtu", tha ai, duke ju drejtuar Edi Ramës. Ai konstatoi në emër të të gjithë ambasadorëve të vendeve të NATO-s në Tiranë se "është shumë e rëndësishme për ne që të kemi një kuptim sa më të thellë që të jetë e mundur të aspiratave të Shqipërisë dhe fjala juaj me fjalët e saj të thella dhe të menduara na ndihmojnë të gjithë ne të kuptojmë më mirë". Ambasadori amerikan u ndal në faktin se ky takim mbahej në një kohë të trishtuar për popullin shqiptar. "Tragjedia e Gërdecit i prek të gjithë në këtë vend dhe mund të them se na prek edhe ne që jemi sot këtu, miqtë tuaj", theksoi Uidhers, ndërsa ndau dëshirën për t‘i shkuar deri në fund këtij incidenti. "Gjithashtu, ne jemi të vetëdijshëm se si rezultat i këtij incidenti, mbledhja e sotme zhvillohet në një kohë polemikash politike; ju e përmendët këtë gjatë fjalës suaj", u shpreh ambasadori. Duke pranuar se polemikat ushtrojnë presion dhe rëndojnë veçanërisht mbi ato parti politike që janë në opozitë aktualisht. "Zgjedhësit tuaj, natyrshëm, do të kërkojnë veprim. Dhe ata do ta presin prej jush këtë veprim dhe do të kërkojnë që të ndodhë menjëherë", argumentoi Uidhers. Sipas tij fakti se opozita është në gjendje që t‘i bëjë ballë këtyre presioneve dhe këtyre kërkesave për veprim duke mbajtur parasysh Samitin e Bukureshtit dhe vendimi i rëndësishëm që pritet të marrë për zgjerimin e NATO-s, e nderon atë dhe udhëheqësinë e saj në shtetin shqiptar. "Unë e marr si një akt kurajoje politike që ju jeni në gjendje ta mbani parasysh këtë perspektivë në këtë moment të ndërlikuar. Por, jo vetëm si akt kurajoje politike, por edhe si një akt prej burri shteti", nënvizoi Uidhers, duke ju referuar kreut të opozitës. Shefi i diplomacisë amerikane në kryeqytetin shqiptar këmbënguli se vendosja në vend të parë e objektivit kombëtar të Shqipërisë dhe shqiptarëve nderon pa masë opozitën, dhe e përgëzoi për këtë. "Ju duhet të jeni në dijeni se jo më larg se dje, Presidenti Bush deklaroi mbështetjen për ftesën e të tria vendeve të Kartës së Adriatikut në Samitin e Bukureshtit", kujtoi ai. Duke e konsideruar këtë një qëndrim të përhershëm të qeverisë së vendit të tij, duke shpresuar që kjo do të përmbushet me sukses pas pak ditësh. "Por, qeveria ime, gjatë marrjes së këtij qëndrimi, ka qenë e ndërgjegjshme për rolin tuaj dhe të partive opozitare në forcimin e pozitave tuaja për një ftesë në Samitin e Bukureshtit", u shpreh Uidhers. Nëse kjo ftesë vjen, konstatoi ai, dhe ne shpresojmë se do të vijë, qeveria ime nuk do ta shohë këtë ftesë si rezultatin e përpjekjeve të një grupi të caktuar, por si arritjen e udhëheqjes politike shqiptare si e tërë dhe si suksesin e popullit shqiptar si i tërë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›