E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përkujtohet në Vlorë tragjedia e Otrantos

Kanë kaluar 11 vjet nga tragjedia më e madhe e ndodhur në Shqipëri, tragjedisë së Otrantos, që ka shënuar një numër të lartë viktimash, mes të cilëve, shumë gra e fëmijë. Dje familjarë të viktimave kanë hedhur lule në vendin nga ku u nis anija, më 28 mars të vitit 1997. Prej 11 vjetësh, ata kanë nisur një betejë ligjore për të vënë drejtësi dhe për t‘u dëmshpërblyer në lidhje me tragjedinë, por çështja është komplikuar, duke kaluar instancë më instancë dhe tani, një grup familjarësh të viktimave po përpiqen ta çojnë çështjen në një gjykatë ndërkombëtare.

Më 28 mars të vitit 1997, rreth 115 shtetas shqiptarë u imbarkuan në anijen "Katri i Radës". Rreth orës 15:00, anija ka ngritur spirancën dhe u është drejtuar brigjeve italiane, për të shkuar drejt tokës së ëndërruar. Pas rreth katër orësh lundrim në det, anija ka mbërritur në Kanalin e Otrantos, aty ku ndodhi tragjedia. Një goditje e anijes luftarake italiane "Sibila" ka fundosur anijen "Katri i Radës" dhe bilanci i tragjedisë ishte i rëndë: 57 të vdekur dhe 24 të humbur. Vetëm 34 veta arritën të mbijetonin. 81 familje filluan të kërkonin të drejtën për të afërmit e tyre, që nuk e kanë gjetur ende sot pas 11 vjetësh.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›