Sarandë, kontroll i rreptë për armët e gjahut
Njësitë ku tregtohen armët e gjahut, mënyra e dokumentimit të këtyre shitjeve dhe kushtet e ruajtjes së tyre, kanë qenë në vëmendjen e parë të njësisë së Task Force, që është krijuar këto ditë në Sarandë. Viktor Agaj, shef i Komisariatit të Sarandës, në cilësinë e këtij organizimi të ri të Task Force, thotë se krijimi i saj erdhi si reagim pas ngjarjes së Gërdecit. Task Force u krijua pasi u sigurua bashkëpunimi me policinë bashkiake të Sarandës, me atë kufitare dhe SHISH etj. "Duke iu referuar ligjit 9749, të datës 4 qershor 2007, - u shpreh Viktor Agaj, - ka nisur një punë e imët për evidentimin, ruajtjen dhe kontrollin e objekteve që përbëjnë burim rreziqesh për jetën. Nga dyqanet që tregtojnë armë gjahu, Task Force ka kërkuar dokumentimin më të saktë të shitjes, si dhe plotësimin rigoroz prej tyre të kushteve të ruajtjes së armatimit dhe municionit. Në pikat doganore të Portit të Sarandës dhe në atë të Qafëbotës janë forcuar masat e kontrollit për hyrjen e armatimit të gjahut nga kufiri, duke bashkërenduar me policinë kufitare dhe shërbimin doganor. Masa konkrete janë marrë edhe për mbulimin e objekteve shtetërore me shërbim policor dhe shtrihen deri në ushtrimin e kontrolleve të vazhdueshme mbi cilësinë e shërbimit të policisë private. Ndërkohë një evidentim i ri është bërë për të gjitha objektet e rëndësisë së veçantë, si depot e ujit, digat, ujëmbledhësit, si dhe të gjitha objektet me shkallë të lartë rreziku për ngjarje të jashtëzakonshme. Për disa objekte të gjetura të paruajtura me roje, u është kërkuar administratorëve dhe pronarëve vendosja e këtij shërbimi në mënyrë të menjëhershme. Është kërkuar që bashkëpunimi me qeverisjen vendore, me policinë dhe inspektoratet e ndërtimit e atë të mbrojtjes së tokës, detyrimisht të çojë në prishjen e padiskutueshme të ndërtimeve që ngrihen mbi rrjetin e ujësjellësit e deri mbi kanale ujitës, duke i vlerësuar realisht ato si një rrezik për jetën e qytetarëve. Kontrolle janë ushtruar edhe në zona që paraqesin rrezik shembjeje. Mbështetjen për Task Force ka siguruar edhe Prefektura e Sarandës, me të cilën ka bashkëpunuar këto ditë që ka bërë identifikimin e bizneseve të konsideruara të rrezikshme. Duke bashkëpunuar mes tyre, prefektja e Sarandës, Elsa Gjini, thotë se janë inspektuar të gjitha pikat e karburanteve, ato të tregtimit të gazit, si dhe reparte e biznese që përbëjnë rrezik për sigurinë e jetës së qytetarëve.