E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Të reformohet sistemi i sigurisë kombëtare

Lideri i opozitës, Edi Rama, ndërgjegjësoi dje faktorin ndërkombëtar me synim mosvënien e Shërbimit Informativ Shtetëror nën varësi të qeverisë. Në tryezën e organizuar me ambasadorët e vendeve të NATO-s në Tiranë, ai gjeti rastin të theksonte se tragjedia e tmerrshme e 15 marsit, na dëshmoi në një mënyrë shumë të dhimbshme sesa shumë kemi nevojë për ndryshime të thella politike e ligjore. "Sesa shumë kemi për të bërë për demokratizimin e qeverisjes, modernizimin e institucioneve dhe çmontimin e një korrupsioni sistematik e kërcënues deri edhe për jetën e njerëzve", tha Rama. Të gjitha aspektet dramatike të kësaj tragjedie, shtoi ai, do të jenë objekt i përpjekjeve tona të gjithanshme në javët e muajt që vijnë. "Ne dëshirojmë të ndajmë edhe me ju, partnerët e miqtë tanë të pakursyer në rrugën e integrimit të plotë në NATO e në BE, shqetësime dhe ide konkrete për reformimin e krejt sistemit tonë të sigurisë kombëtare", u shpreh Rama. Sipas tij, duhet një reformë komplekse, duke filluar nga ripërcaktimi i funksioneve e kompetencave të Këshillit të Sigurisë Kombëtare e duke vijuar me përcaktimin e një zinxhiri komandimi të qartë e të pandryshueshëm në kohë paqeje e lufte. "Hartimin e një ligji të ri për autoritetet e komandimit dhe drejtimit që duhet të reflektojë strukturën e re të Forcave tona të Armatosura", nënvizoi Rama. Ai propozoi edhe saktësimin e rolit dhe përgjegjësive të institucioneve që lidhen direkt ose indirekt me sigurinë e jetës e të vendit, krijimin e mekanizmave ligjorë dhe strukturave të efektshme për parandalimin e përballimin e krizave dhe emergjencave, mbushjen e hendekut ligjor që ekziston mes aspekteve civile e ushtarake në menaxhimin e tyre. "Por, dua të jem plotësisht transparent, ne nuk do të përkrahim asnjë lloj përpjekjeje për ta ngritur këtë kantier reformash të sistemit të sigurisë kombëtare si një alibi që justifikon tragjedinë e që mbron përgjegjësit e fajtorët, cilëtdo qofshin ata e për të cilët ne do të kërkojmë deri në fund një hetim e gjykim të drejtë e të pavarur", këmbënguli Rama. Sikundër, tha ai, do të kundërshtojmë me forcë çdo tentativë për ta shfrytëzuar këtë tragjedi si një arsye për vënien nën kontrollin e qeverisë të Shërbimit Informativ të Shtetit. Rama shprehu vullnetin e palëkundshëm të Partisë Socialiste për integrimin e Shqipërisë në NATO përmes kësaj fjale modeste. "Në një moment kaq historik për vendin tonë, dhe më lejoni që duke ju shprehur të gjithë mirënjohjen time për gjithçka bëni në ndihmë të Shqipërisë e të popullit shqiptar, t‘ju uroj suksese të mëtejshme në misionin tuaj fisnik", u shpreh Rama. Kreu i PS-së, tha se nuk ka dyshim se ne s‘mund t‘i shohim njëlloj më kundërshtarët tanë politikë, rrugën ku duhet të ecë vendi për të arritur aty ku duam të gjithë. "Por si bartës e promotorë të nevojës jetike të vendit e të njerëzve tanë për një politikë të re qytetarësh e energjish pozitive, ne jemi të vendosur ta emancipojmë politikën shqiptare", u shpreh Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›