Berisha dhe Nishani, mesazh urim për zgjedhjen e Papa Françeskut
“Shqipëria dhe shqiptarët, lidhje tradicionale e të shkëlqyera me Atin e Shenjtë”
Kryeministri, Sali Berisha i ka dërguar një telegram urimi Papës Françesku I me rastin e zgjedhjes në krye të Selisë së Shenjtë. Kryeministri i ka përcjellë urimet në emrin e tij, të qeverisë shqiptare, të katolikëve shqiptarë e të gjithë qytetarëve të vendit përshëndetjet më të përzemërta si edhe urimet më të ngrohta, për sukses të plotë në misionin e lartë e të shenjtë të përçimit të fjalës e mësimeve të Zotit në zemrat e besimtarëve katolikë e bekimin e Tij për mbarë njerëzimin. “At i Shenjtë, Kam kënaqësinë e veçantë që me rastin e lumtur te zgjedhjes Suaj, me dëshirën e Zotit, Papa Françeskun I, t’ju përcjell në emrin tim, të qeverisë shqiptare, të katolikëve shqiptarë e të gjithë qytetarëve të vendit tim përshëndetjet më të përzemërta si edhe urimet më të ngrohta, për sukses të plotë në misionin e lartë e të shenjtë të përçimit të fjalës e mësimeve të Zotit në zemrat e besimtarëve katolikë e bekimin e Tij për mbarë njerëzimin”, shkruan Berisha, në mesazhin e urimit.
Sipas tij, Shqiptarët vlerësojnë lart vizionin, përkushtimin e kontributin tuaj të jashtëzakonshëm në shërbim të drejtësisë sociale dhe në ndihmë të të vobektëve e të vuajturve si një ndër shprehjet më domethënëse të dashurisë e humanizmit të krishterë, një ndër virtytet më të lartë të Kishës së Jezusit.
“Së bashku me qytetarët e vendit tim, ndaj bindjen e thellë së nën udhëheqjen tuaj, me përkushtimin e urtësinë hyjnore që ju karakterizon, Selia e Shenjtë do të vijojë të japë kontributin e saj të paçmuar e thelbësor në forcimin e besimit ndaj Zotit, në përhapjen e fjalës së Tij të Shenjtë për dashuri e ndihmë reciproke mes njerëzve, si edhe në promovimin e mëtejshëm të paqes, bashkëpunimit e miqësisë në botë”, thuhen në mesazhin e Kryeministrit Berisha për Papa Françeskun I.
Në fund, kryeministri Berisha vuri në dukje miqësinë që shqiptarët kanë me selinë e Shenjtë dhe në veçantë me Atin e Shenjtë.
“Shqipëria dhe shqiptarët ruajnë lidhje tradicionale të ngushta e të shkëlqyera e me Selinë e Shenjtë e me Atin e Shenjtë ndaj edhe dëshiroj me këtë rast t’ju ripohoj dëshirën time të madhe dhe të gjithë shqiptarëve t’ju mikpresim në Shqipëri si Ati më i lartë shpirtëror i bashkatdhetarëve tanë të besimit katolik e më gjerë, por edhe si një mik i madh e i shquar i kombit shqiptar”, përfundon mesazhi i Berishës.
Presidenti Nishani
Një ditë pas zgjedhjes së tij në krye të Selisë së Shenjtë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka uruar përmes një telegrami Atin e Shenjtë, Papa Françeskun I.
“Në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, kam kënaqësinë dhe gëzimin e veçantë, t’ju përcjell urimet më të përzemërta për zgjedhjen Tuaj si Papa Françesku I dhe t’Ju uroj suksese në përmbushjen e misionit Tuaj të shenjtë Papnor!”, shkruan Nishani, ne mesazhin e urimit.
Presidenti Nishani thekson më tej se pret me padurim për të vazhduar bashkëpunimin tradicional dhe të frytshëm me Selinë e Shenjtë, në të mirë të promovimit të vlerave universale të paqes dhe mirëkuptimit, në bashkësinë katolike dhe në të gjithë popujt, në rajonin tonë dhe më gjerë! “Duke Ju përcjellë dëshirën time dhe të popullit shqiptar për t’Ju mikpritur së afërmi në Tiranë, Ju lutem pranoni, Shenjtëria Juaj, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!”, përfundon mesazhi.