Rruga e re që lidh Elbasanin me Tiranën do të ndihmojë edhe më shumë zhvillimin e qytetit
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli bashkohet me qytetarët e Elbasanit për të festuar Ditën e Verës
Në një atmosferë të mbushur me gëzim dhe hare, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, iu bashkua dje festimeve të Ditës së Verës. Kryetarja e Kuvendit vizitoi panairin e Ditës së Verës ku ishin ekspozuar produkte dhe shërbime të ofruara nga agjenci dhe institucione, si dhe nga dhjetëra biznese nga Elbasani dhe qytete të tjera të Shqipërisë e Kosovës. Ajo përgëzoi organizatorët e këtij panairi dhe shprehu bindjen se me mbarimin e tunelit të Tiranë-Elbasan dhe përfundimin e rrugës numri i bizneseve pjesëmarrëse në këtë panair, tashmë me rëndësi kombëtare dhe rajonale, do të jetë edhe më i madh.
Kryetarja e Kuvendit bëri një ndalesë të veçantë në stendën e Këshillit të Qarkut të Elbasanit, i cili prezantohej në këtë panair me një projekt në shërbim të fëmijëve autikë.
Duke i përgëzuar përfaqësuesit e Këshillit të Qarkut të Elbasanit për këtë nismë, Kryetarja e Kuvendit shprehu edhe njëherë të gjithë mbështetjen e saj personale dhe të Kuvendit të Shqipërisë për këtë çështje sensitive, e cila prek jo vetëm fëmijën dhe familjen, por edhe të gjithë shoqërinë.
Gjatë vizitës së saj në qytetin e Elbasanit, Kryetarja e Kuvendit u ndal edhe në shtatoren e Aqif Pashë Elbasanit, njeriut që ngriti flamurin e Pavarësisë në Elbasan në vitin 1912 dhe pllakën e firmëtarëve të Dokumentit të Pavarësisë, si dhe në monumentin e Lef Nosit atdhetarit, politikanit dhe studiuesit nga Elbasani dhe ruajtësit të Dokumentit të Pavarësisë së Shqipërisë 100 vjet më parë.