E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha dhe Rama përplasen për Unazën e Madhe të Tiranës

Ashpërsohet sërish marrëdhënia mes qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës. Kryeministri Sali Berisha shfrytëzoi mbledhjen e djeshme të qeverisë për të ngarkuar me detyrë ministrin e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashin, që brenda vitit 2009 të hapë tenderin ndërkombëtar për ndërtimin me koncension të Unazës së Madhe të Tiranës. Ndërkohë që propozimi i Kryeministrit ka si synim të ndryshojë edhe trajektoren nga projekti ekzistues, reagon edhe Bashkia e Tiranës. Kryetari i bashkisë më të madhe të vendit, Edi Rama, e cilësoi deklaratën e Kryeministrit si një tjetër ndërhyrje në pavarësinë e pushtetit vendor. "Bashkia e Tiranës ka projektin, ka gati kredinë dhe ka gjithçka i duhet prej kohësh. Edhe sot Unaza e Madhe mund të ishte realitet, po Kryeministri ynë nuk e ka mendjen te punët e tij, ndërsa shkel të drejtat e të tjerëve", thotë Rama. Varianti i lajmëruar nga Kryeministri parashikon ndërtimin e Unazës nga kompani private, të cilat nuk paguhen nga buxheti i shtetit, por të ardhurat e tyre i marrin direkt nga qytetarët kundrejt tarifës për përdorimin e kësaj rruge. Kryeministri Berisha e konsideroi këtë një projekt madhor dhe të domosdoshëm për infrastrukturën jo vetëm të Tiranës, por edhe të vendit, si një nyje e rëndësishme mes disa prej akseve kryesore kombëtare. "Ndërtimi i kësaj Unaze përbën një domosdoshmëri të madhe. Gjatë këtyre muajve, kompani ndër më seriozet kanë treguar interes të madh për të marrë pjesë në ndërtimin e saj. Krahu veriperëndimor dhe perëndimor i saj është jetik edhe për faktin se në dy vitet e ardhshme parashikohet të përfundojë Rruga e Arbrit, e cila do të sjellë një trafik të paparashikueshëm, ashtu siç ndodhi me trafikun me ndërtimin e korridorit të kombit", tha Berisha. Kryeministri tha se në ndërtimin e Unazës, me gjatësi mbi 30 kilometra dhe e parashikuar me 8 korsi, me përparësi do të shihen dy segmentet më të rëndësishme të saj, me ndikim shumë të madh në trafik. "Unaza mund të shkojë mbi 30 kilometra dhe po të kemi parasysh se do të jetë me 8 korsi, është një vepër shumë e madhe, por dy janë segmentet nevralgjike, në të cilat punimet duhet të fillojnë më së pari. Segmenti ura e Brarit-Kthesa e Kamzës, ose ura e Limuthit, unë mendoj se mund të shkohet tek ura e Limuthit, në mënyrë që qyteti i Kamzës të shmangë përfundimisht çdo trafik kombëtar dhe ndërkombëtar dhe krahu tjetër Sauk", theksoi Berisha. Kryeministri shtoi se do të studiohet trajektorja, sepse sipas tij, aty ku ka qenë, ajo nuk kalon dot më, pasi janë ndërtuar me dhjetëra pallate. Kryeministri Berisha theksoi se ky projekt madhor infrastrukturor do të realizohet në bashkëpunim me të gjitha qeveritë vendore, me atë të Farkës, të Dajtit, Paskuqanit, Kamzës, me qeverinë vendore të Tiranës, aty ku segmenti kalon në territorin e Bashkisë së Tiranës. Duke nënvizuar se ky projekt kap vlera shumë të mëdha, Kryeministri tha se qeveria do të marrë përsipër riskun e trafikut. "Ne do t‘i qëndrojmë kompanisë që e ndërton me zhdëmtim, në rast se trafiku i parashikuar dhe i përllogaritur nuk do t‘i plotësohet. Ky përbën një kusht të favorshëm për angazhimin me koncesion të kompanive të mëdha në këtë vepër të madhe dhe shumë të rëndësishme për qytetin e Tiranës dhe mbarë vendin", tha ai. Në mbyllje, Kryeministri Berisha kërkoi masa të shpejta për përgatitjen e tenderit ndërkombëtar për ndërtimin e Unazës së Tiranës, pasi, siç theksoi ai, ndërtimi i akseve si aksi i jugut, i Rrugës së Arbrit, e bëjnë këtë Unazë shumë të domosdoshme.

E.A.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›