E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE: Deficiti buxhetor rrezikon Shqipërinë

Autostrada Rrëshen-Kalimash dhe shqetësimet që ky projekt ka sjellë për rritjen e deficitit tregtar, deficitit të llogarisë korrente dhe deficitit buxhetor, përbëjnë pjesën dërrmuese të problemeve ekonomike të Shqipërisë, sipas raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë që u publikua dje. Sipas raportit, në Shqipëri situata makroekonomike ka ecur mirë gjatë vitit të fundit, me përjashtim të buxhetit të shtetit.

"Gjatë vitit 2008, administrata fiskale bëri progres qoftë në rritjen e të ardhurave të përgjithshme, qoftë te reforma administrative", thotë raporti. "Shpenzimet publike gjatë vitit 2008 u rritën në 32.3 për qind të PBB-së, si pasojë e përshpejtimit të shpenzimeve për investime, në përgjithësi për shkak të ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës".

Sipas raportit, deficiti i lartë buxhetor i shënuar në vitet 2008-2009, përbën një shqetësim serioz.

"Deficiti fiskal u përkeqësua në 5.5 për qind të PBB-së gjatë vitit 2008. Buxheti 2009 parashikoi fillimisht një deficit prej 4.2 për qind të PBB-së, bazuar në një normë rritjeje të PBB-së reale prej 4.8 për qind. Buxheti përfshiu një fond kontigjence prej rreth 2 për qind të PBB-së për të përballuar rrezikun e mosrealizimit të të ardhurave, por ky fond kontigjence u përdor sakaq pjesërisht për të rritur pagat dhe pensionet në maj 2009", thotë raporti. KE vëren se një problem i madh për buxhetin e shtetit ka qenë rritja e paplanifikuar e kostos së rrugës Rrëshen-Kalimash, gjë që ka sjellë edhe pjesën më të madhe të problemit me deficitin.

"Të ardhurat fiskale qenë në rritje me 8.1 për qind gjatë 5-mujorit të parë të vitit 2009. Megjithatë, për shkak se plani buxhetor qe bazuar në një perspektivë më pozitive makroekonomike, të ardhurat qenë 6 për qind më të ulëta se plani. Si pasojë, një buxhet i rishikuar u përgatit gjatë verës dhe u miratua në Parlament në shtator, gjë që e rriti deficitin në 6.4 për qind të PBB-së për vitin 2009".

Pasojat tek interesat

Sipas raportit të KE-së, deficiti i lartë i buxhetit të shtetit ka shkaktuar rritje të shpejtë të interesave të borxhit publik, ku qeveria ka konkurruar me biznesin dhe individët në marrjen hua të kursimeve të disponueshme, gjë që e pengon rritjen ekonomike.

"Financimi i deficiteve fiskale vijoi të rrisë interesat për kreditë për biznes dhe ato konsumatore, si dhe zhvendosi kursimet në sektorin shtetëror, gjë që dëmton rritjen ekonomike", thotë raporti i përgatitur nga ekspertët e Bashkimit Europian.

Një politikë e tillë nuk këshillohet që të vijohet edhe për shumë kohë. "Qeveria u bazua te të ardhurat nga privatizimi dhe te huamarrja për të financuar deficitin e vet, në një masë të tillë që duket se është e papërballueshme në terma afatmesëm", thotë raporti.

Këshillë për të menduar

Sipas KE-së, politika fiskale e deficitit të lartë ka mbështetur rritjen ekonomike, por duhet të rishikohet shpejt për t‘u siguruar që financat publike do të jenë të qëndrueshme në terma afatgjatë. Një këshillë e tillë për qeverinë është dhënë edhe nga Banka e Shqipërisë në mënyrë të përsëritur. Deri tani qeveria nuk ka dhënë asnjë shenjë reflektimi. Projektbuxheti i programuar për vitin e ardhshëm bazohet ende në skenarë tepër optimistë, të cilët mund të prodhojnë pasoja shumë negative në stabilitetin makroekonomik të vendit.

"Në përgjithësi, stabiliteti makroekonomik është ruajtur pasi kriza botërore e ka prekur shumë pak Shqipërinë [...]. Por te sektori fiskal, ndërsa planifikimi i buxhetit është përmirësuar, deficitet e larta buxhetore mbeten një element i dobët".

Borxhet në rritje

Raporti i KE-së thotë se borxhi publik i Shqipërisë po rritet së bashku me koston e shërbimit të këtij borxhi. "Borxhi i brendshëm mbeti në nivelin 36.7 për qind të PBB-së gjatë vitit 2008, ndërkohë që borxhi i jashtëm u rrit në 18.4 për qind nga 15.4 për qind të PBB-së që ishte në vitin 2007. Pagesat më të larta të interesave qenë pjesërisht pasojë e strategjisë për të zgjatur maturitetin e instrumenteve të borxhit.

Pasojat e rrugës tek importet

Raporti vëren se rruga patriotike Rrëshen-Kalimash ka qenë një nga faktorët e rritjes së importeve të Shqipërisë, e për rrjedhojë edhe një faktor në rritjen e deficitit të llogarisë korrente. "Pjesërisht si pasojë e projekteve masive të rrugëve, importi i mallrave kapitale u rrit me 29 për qind në vitin 2008, ndërkohë që importi i mallrave të konsumit u ul me 6 për qind", thotë raporti.

Rruga Rrëshen-Kalimash-Morinë pritet të kushtojë mbi 1.2 miliardë euro dhe sipas vlerësimeve të FMN-së, rreth 80 për qind e kostos së rrugës përbëhet nga importi i mallrave dhe shërbimeve. Një volum i tillë investimi ka sjellë rritjen e importeve dhe largimin e valutës nga Shqipëria. Ndonëse nuk ka një studim konkret se sa ka qenë kontributi i projektit të rrugës patriotike te rënia e vlerës së lekut, askush nuk dyshon se kjo rrugë ka qenë një faktor i rëndësishëm.

"Deficiti i llogarisë korrente u rrit gjatë vitit 2008 në 14.5 për qind të PBB-së, nga 10.5 për qind që ishte në 2007, gjë që qe pasojë e një përkeqësimi të mëtejshëm në bilancin tregtar dhe rënies së remitancave. Deficiti tregtar u rrit në 27.2 për qind të PBB-së, nga 26.5 për qind e PBB-së që ishte në 2007-ën", thuhet në raport. Deficitet e jashtme të ekonomisë vijuan të rriten gjatë vitit 2009.

Pagat u rritën me 8.8 për qind

Sipas llogaritjeve të ekspertëve të BE-së, pagat në sektorin publik gjatë vitit të kaluar u rritën me 8.8 për qind, ndryshe nga sa ka pretenduar qeveria për rritje 10 për qind, ndërkohë që pagat e sektorit privat u rritën me mesatarisht 15.1 për qind. Raporti vëren se ndonëse ka disa përmirësime në tregun e punës, papunësia mbetet shumë e lartë dhe të dhënat për tregun e punës janë shumë të dobëta.

Zyrtarisht Shqipëria ka një normë papunësie prej rreth 12 për qind (ose 166 mijë shqiptarë), shifër kjo shumë e lakmueshme për një vend në zhvillim. Por nga ana tjetër, Shqipëria ka vetëm 400 mijë të punësuar me pagë mujore, në 1.6 milionë njerëz të aftë për punë. Qeveria i klasifikon të gjithë banorët e zonave rurale "të vetëpunësuar në bujqësi", pavarësisht nëse puna e tyre ofron frute apo jo, ndërsa disa qindra-mijëra shqiptarë janë të klasifikuar si "të papunë të dëshpëruar" dhe rrjedhimisht janë nxjerrë nga lista e të papunëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›