Opozita nuk çon komisionerët, Ristani letër ndërkombëtarëve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t‘u dërgojë një letër misioneve ndërkombëtare për zgjedhjet, duke i vënë në dijeni për shkeljet e partive në zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit. Edhe në këtë proces zgjedhor, mosrespektimi i afateve të kodit do të jetë ankesa kryesore që KQZ do të raportojë te të gjitha organizmat ndërkombëtare të pranishme në vend. Shqetësimi u ngrit dje nga kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, i cili bëri me dije se ky institucion vijon të përballet me të njëjtin problem në çdo proces. "Vihet re i njëjti problem me këtë mungesë korrektësie në të gjitha zgjedhjet. Gjithsesi do të përgatitet një shkresë tjetër për dijeni organizatave ndërkombëtare", tha Arben Ristani, kryetar i KQZ-së. Ndërkohë, burime nga KQZ bënë të ditur se vetëm Partia Demokratike ka dorëzuar emrat e komisionerëve të KZAZ, ndërsa këtë detyrim ligjor e ka edhe Partia Socialiste, e nëse ajo e refuzon, detyrimi ligjor lind edhe për PBDNJ-në, si partia e dytë nga opozita. Partia Socialiste ka zyrtarizuar përmes Kryesisë bojkotin e zgjedhjeve 24 orë pasi skadoi afati i regjistrimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ekspertët ligjorë shpjegojë se ky ngërç i krijuar në ngritjen e strukturave zgjedhore mbetet sërish në duart e KQZ-së. Kodi Zgjedhor i jep të drejtën këtij institucioni që të bëjë të gjitha përpjekjet, në mënyrë që partitë opozitare të shlyejnë detyrimin e tyre ligjor, por në rast të kundërt ajo ka të drejtë të plotësojë vendet vakante me anëtarët e përzgjedhur prej saj. Nëse dy partitë nuk e përmbushin detyrimin ligjor, KQZ duhet të vijojë përpjekjet deri në fund. Por nëse ditën e zgjedhjeve vijon të kenë vende vakante, atëherë KQZ ka të drejtë të bëjë zëvendësimet. Partia e Punës, që është regjistruar në këto zgjedhje, nuk mund të bëjë propozimet, pasi ajo nuk është parti parlamentare.
A.Th.
A.Th.