E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimi i dritave, propozohet rritja 31%

Familjet shqiptare pritet të përballen vitin e ardhshëm me rritjen më të fortë të çmimit të dritave të kryer ndonjëherë në Shqipëri, në rast se çmimi i propozuar nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes miratohet nga Enti Rregullator i Telekomunikacioneve. Sipas lëvizjes "Mjaft!", propozimi i OSSH-së parashikon heqjen e sistemit aktual të tarifimit dynivelor, si dhe përcaktimin e një çmimi prej 9.15 lekësh pa TVSH. OSSH-ja dhe CEZ nuk kanë shpallur ende asgjë zyrtarisht me përjashtim të faktit se kanë filluar bisedimet për çmimet e reja. Aktualisht, familjet shqiptare paguajnë 7 lekë për kWh për konsumin nën 300 kilovat orë në muaj dhe 12 lekë për konsumin mbi këtë fashë. Familjet shqiptare konsumojnë mesatarisht 250 kilovat në muaj dhe në këtë rast, për shumicën dërrmuese fatura e dritave mund të rritet deri në 31 për qind. Para se të hyjë në fuqi, propozimi i OSSH-së duhet të miratohet nga Enti Rregullator i Energjisë. Ligjërisht Shqipëria duhet të ketë një çmim dritash që të mbulojë koston e këtij malli. Por se sa është kostoja e dritave, kjo mbetet një enigmë e madhe. OSSH-ja dhe KESH-i nuk i kanë publikuar kurrë bilancet e tyre fiskale dhe as nuk kanë publikuar ndonjë analizë kostoje, gjë që e bën të pamundur të mësohet nëse çmimi i ri i propozuar nga OSSH-ja e mbulon koston e dritave apo jo.

Të varfrit, më shumë

Pjesa më e prekur e shqiptarëve nga rritja e faturës së dritave, do të jenë konsumatorët më të varfër. Familjet që konsumojnë nën 300 kWh në muaj dhe që përbëjnë shumicën dërrmuese në Shqipëri, fatura mund t‘u rritet me 31 për qind, në rast se propozimi i OSSH-së miratohet. Lëvizja "Mjaft!" kërkoi dje nga qeveria të merren masa për mbrojtjen e të varfërve nga kjo rritje çmimesh.

"Të gjithë ne mësuam këto ditë se qytetarët shqiptarë, familjarë apo biznese, të pasur dhe sidomos të varfër, rrezikojnë të përballen me një rritje të papërballueshme të çmimit të energjisë elektrike", tha dje Aldo Merkoçi. Merkoçi argumentoi se më së pari, një rritje e tillë është e papërballueshme, sepse në kushtet e një krize ekonomike, tashmë të pranuar edhe nga qeveria, çdo rritje çmimi i një produkti jetik si energjia elektrike, do të vendoste përballë vështirësish serioze konsumatorët shqiptarë, të cilët ende nuk po trajtohen me asnjë masë mbrojtëse nga efektet e krizës. Sipas "Mjaft!", është e palogjikshme që të pranohet rritja e çmimit të dritave për sa kohë rreth 36 për qind e energjisë së konsumuar nuk paguhet dhe rëndon koston e dritave për pjesën e shqiptarëve që e paguajnë. Nga ana tjetër, sipas "Mjaft!", nuk është normale që një rritje çmimi e këtyre përmasave të lejohet, ndërkohë që privatizuesi i OSSH-së nuk ka kryer ende asnjë investim.

Për më tepër, transparenca e sektorit të energjisë elektrike është në nivelin zero, gjë që e bën të pamundur një debat mes ekspertësh për përcaktimin e kostos.

Çmimet për biznesin

Sipas shifrave të raportuara nga "Mjaft!", OSSH-ja ka kërkuar një rritje të konsiderueshme për bizneset, respektivisht 22.7% për tensionin e ulët dhe 31.1% për tensionin e mesëm. Më herët, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare analizoi se sistemi aktual i tarifimit i vendosur në vitin 2007, ka lejuar një subvencion të fshehtë të çmimit të energjisë elektrike që i furnizohet nga biznesi, përfshirë edhe industrinë e rëndë.

Rritja e çmimit të dritave në Shqipëri filloi në vitin 2002, me justifikimin se nevojiteshin më shumë para për të investuar në ndërtim termocentralesh dhe zgjerim të rrjetit të transmetimit e shpërndarjes. Një studim i kryer në atë kohë, vuri në dukje se kostoja margjinale e energjisë elektrike në Shqipëri, ishte rreth 13 lekë. Por, ndërsa çmimi u dyfishua nga 4 lekë, që ishte në 2001 në 8.45 lekë që është aktualisht, investimet nuk u kryen kurrë. Për më tepër, paratë e grumbulluara nga KESH-i përmes rritjes së çmimeve, u përdorën gjatë tre viteve të fundit për të paguar importe shumë të shtrenjta të energjisë elektrike. Rreth gjysmë miliardi euro janë harxhuar gjatë këtyre viteve për importe, shifër kjo që mjaftonte për të ndërtuar të gjitha kapacitetet prodhuese të nevojshme për të plotësuar konsumin në Shqipëri.

Pasojat tek indeksi i çmimeve të konsumit

Rritja e çmimit të energjisë elektrike ka dhënë pasoja serioze në rritjen e inflacionit në Shqipëri, qoftë si pasojë e peshës së konsiderueshme direkte që ka energjia në shportën e konsumit, qoftë edhe në ndikimin indirekt që sjell kjo në rritjen e kostos së mallrave dhe shërbimeve.

Konsumi mesatar

Sipas të dhënave të raportuara nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes tek Instituti i Statistikave, gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, 800 mijë familjet shqiptare konsumuan së bashku rreth 1.2 miliardë kilovat orë, gjë që tregon se konsumi mesatar mujor për familje është rreth 250 kilovat orë. Bazuar mbi këtë të dhënë, sasia e përgjithshme e parave që konsumatorët familjarë do t‘i paguajnë OSSH-së vitin e ardhshëm mund të rritet me mbi 30 për qind.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›