Berisha dhe Rama pranojnë Topin, por ndahen tek kutitë
Kryeministri: Gati për komisionin hetimor, nuk diskutoj vendimin e gjykatës. Kreu i opozitës: Hetim të plotë
Një ditë pas rezolutës së Këshillit të Europës, forcat politike ulën tonet, duke hedhur hapa konkretë drejt një dialogu, ku në mes do të qëndrojë Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Fillimisht Kryeministri e më pas kreu i opozitës u angazhuan për të qenë të pranishëm në një tryezë të thirrur nga Presidenti, ku do të diskutohen kushtet e opozitës për hetimin e zgjedhjeve. Por, pavarësisht këtij mesazhi, të dy liderët, Berisha dhe Rama, nuk tërhiqen nga pozicioni i tyre fillestar, siç është hapja apo jo e kutive të votimit. Berisha konfirmoi se do të ketë një komision hetimor parlamentar për hetimin e zgjedhjeve, por jo për çështjet e gjykuara, ndërsa Rama tha se nuk heq dorë nga protestat dhe bojkoti pa u hapur kutitë. Gjithsesi, i mbetet Presidentit të thotë fjalën e tij lidhur me rolin që ia caktuan ndërkombëtarët, edhe pse pa dëshirën e ndonjërës prej palëve. Por ndër të tjera, të dy liderët i dhanë fund një dileme, asaj që zgjidhja mund të vijë përmes institucioneve kushtetuese. Si Rama, ashtu edhe Berisha, deklaruan se nuk ka pazare të tilla dhe se institucionet kushtetuese nuk mund të bëhen pjesë e kësaj krize.
Berisha
Kryeministri Sali Berisha u shpreh i gatshëm për të dialoguar me opozitën, duke pasur Presidentin e Republikës si negociator. Berisha u shpreh i hapur për dialog, duke i bërë thirrje opozitës të kthehet në Parlament, akt që sipas tij do të shoqërohet me ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për çdo çështje, veç atyre që janë gjykuar më parë. E thënë ndryshe, mazhoranca pranon të hetohen zgjedhjet, por të mos bëhet hapja e kutive. “Jam sot para jush për t’i bërë thirrje dhe për të ftuar kryetarin e Partisë Socialiste, të fusë në Parlament grupin parlamentar të PS-së. E garantoj atë se ky akt do të shoqërohet me ngritjen e menjëhershme të Komisionit Hetimor parlamentar, për të hetuar të gjitha pretendimet e z.Rama, natyrisht, përveç çështjeve të gjykuara”, tha ai. Referuar rezolutës së KiE-s, Berisha u ndal tek amendamenti i pestë, i propozuar nga PD, e që lidhet me hetimin e zgjedhjeve. Ai la të nënkuptohej se vetëm një ankimim në Gjykatën Kushtetuese në momentin e duhur do të kishte çuar në hapjen e kutive të votimit, gjithmonë sipas vendimit të kësaj gjykate. “Gjykata Kushtetuese është i vetmi institucion që ka autoritetin e plotësimit të Kushtetutës, aty ku Kushtetuta ka paqartësi ose vakum. Vendimi i saj duhet të lexohet gjithnjë si një nen i munguar në Kushtetutë. Ky është rregulli i së drejtës kushtetuese”, deklaroi Berisha. Për herë të parë Kryeministri komentoi e mandej pranoi Presidentin e Republikës si negociator mes palëve për krizën. Berisha tha se nuk ka asgjë kundër tij e kundër cilitdo që do të marrë rolin e negociatorit. “Unë, Sali Berisha, nuk refuzoj asnjë. Unë kam një interes, atë të vendit dhe interesi i vendit është që opozita të marrë vendet në Parlament. Cilido që mund të japë kontributin e tij në këtë drejtim, as nuk është i paragjykuar, as nuk është i keqpritur”, tha ai.
Rama
Pak orë pas deklaratës së kreut të qeverisë, edhe Rama, kreu i PS-së, konfirmoi dëshirën për të dialoguar në një tryezë të thirrur nga kreu i shtetit. Sakaq, Rama saktësoi qartë se deri sa të arrihet një marrëveshje e negociuar, ku të plotësohen kushtet e opozitës, ajo do të vijojë bojkotin dhe protestat. “Unë jam gati për dialog në tryezën e Presidentit të Republikës dhe do të jem aty personalisht, në rast se Presidenti do të angazhohet t’i ulë palët në tavolinë. Sali Berishës i bëj apel të bëjë të njëjtën gjë, pa u vonuar dhe pa u fshehur pas lojërave të fjalëve”, tha ai.
Sipas tij, PS nuk bën asnjë hap mbrapa dhe nuk fillon asnjë lloj dialogu me qeverinë në sallën e Kuvendit, pa një marrëveshje të negociuar për hetimin e zgjedhjeve dhe për rivendosjen e të gjitha garancive demokratike në këtë vend. Në përgjigje edhe të asaj pike të rezolutës ku thuhet se PS duhet t’i japë fund bojkotit, Rama fajësoi direkt Kryeministrin si fajtor të këtij qëndrimi. “Bojkoti nuk është diçka e mirë, këtë e dimë edhe ne, është një ilaç i hidhur. Bojkotin tonë e ka vendosur Sali Berisha. Bojkotit tonë mund t’i japë fund Sali Berisha”, tha ai.
Sa i përket hetimit të zgjedhjeve, Rama vuri në dukje se PS kërkon transparencë kushtetuese dhe ligjore, jo përmbysje të Kushtetutës dhe të ligjit. Por deri atëherë, siç tha Rama,“kemi vetëm një rrugë, nuk kemi dy: të garantojmë lirinë dhe ndershmërinë e zgjedhjeve në këtë vend, duke garantuar që çka ndodhi, të mos përsëritet më kurrë, ose të largojmë qeverinë përmes protestave demokratike, si në çdo vend ku bie garancia e votës së lirë”. Ndër të tjera, Rama deklaroi edhe një herë se PS nuk është për marrjen e pushtetit me dhunë, sikundër ka pretenduar mazhoranca.
#